Policia dhe banorët shpëtojnë turisten gjermane
Turistja gjermane kishte rënë në një terren të vështirë në “Kodër Kunje”, kishte thyer këmbën dhe dorën
Policia e Shkodrës ka njoftuar se së bashku me banorët e zonës i kanë shkuar në ndihmë një turisteje gjermane që ishte rrëzuar dhe kishte pësuar dëmtime fizike, gjatë eksplorimit të zonës me një turist tjetër, në vendin e quajtur “Kodër Kunje”.
Turistja gjermane kishte rënë në një terren të vështirë në “Kodër Kunje”, njësia administrative e Shosh-it. Mësohet se ajo kishte thyer këmbën dhe dorën dhe nuk mund të lëviste. Ishte një banor i zonës i cili në pamundësi për t’i dhënë ndihmën e parë njoftoi ekipet e policisë.
Pas mbërritjes në vendngjarje, shërbimet e Policisë kanë transportuar turisten gjermane dhe turistin tjetër që e shoqëronte, nga terreni ku ndodheshin deri në Prekal, në rrugën automobilistike, ku më pas turistët janë marrë nga shërbimet e ambulancës.
Pasi i është dhënë ndihma e parë nga ekipi mjekësor, turistja e dëmtuar është transportuar në Spitalin Rajonal Shkodër, në gjendje jashtë rrezikut për jetën.
Turistët gjermanë kanë falënderuar banorët e zonës, shërbimet e Policisë dhe ekipin mjekësor, për ndihmën që iu dhanë.