Ibrahimaj: Taksa e re e pasurisë do të llogaritet mbi vlerën reale të pronës
Taksa mbi pasurinë e paluajtshme ka mbetur në të njëjtin nivel me vitin 2021, ndonëse ndjeshëm më e lartë se ajo në vitin 2015.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se qeveria po vijon konsultimin me grupet e interesit për ndryshimet në ligjin për taksën e pasurisë.
Në konferencën “Financat vendore 2022”, të mbajtur sot në Tiranë, ministrja Ibrahimaj tha se ndryshimet në ligj parashikohet të miratohen këtë vit, ndërsa për banesat, taksa e re do të nisë zbatimin në vitin 2026 dhe për tokën bujqësore në vitin 2028.
“Ne synojmë që brenda vitit të miratojmë ligjin. Ligji do të konsultohet gjerësisht me ju. Synohet që përmes këtij ligji të rritet ndjeshëm taksa mbi pasurinë që do të ndikojë në të ardhurat e të gjitha bashkive. Taksa për banesat është propozuar të hyjë në fuqi në vitin 2026, ndërsa për tokën bujqësore në vitin 2028”, tha ministrja.
Sipas saj, është propozuar që taksa mbi pasurinë të vlerësohet mbi vlerën reale dhe jo çmimet e referencës.
“Nëpërmjet ligjit duam që tashmë taksa e pasurisë të vlerësohet mbi vlerën reale e jo mbi çmimet e referencës. Përcaktimi i vlerës reale do të jetë proces i vështirë, i cili do të zbatohet dhe kalkulohet nga Drejtoria e Përgjithshme Kadastrës Fiskale në varësi të MFE-së”, u shpreh ajo.
Ministrja kërkoi angazhimin e bashkive për mbledhjen e kësaj takse.
“Duke qenë një taksë që mblidhet nga ju, do të duhet angazhim më i madh nga ana e bashkive, me qëllim zbatimin e ligjit, por mbi të gjitha mbledhjen e taksës në të gjithë vendin”, u shpreh ajo.
Taksa mbi pasurinë e paluajtshme ka mbetur në të njëjtin nivel me vitin 2021, ndonëse ndjeshëm më e lartë se ajo në vitin 2015.
Të ardhurat për vitin 2022 nga taksa për pasurinë e paluajtshme ishin 6.1 miliardë lekë, ose 56 % më shumë se në vitin 2015.