Kushi firmos Memorandumin e Mirëkuptimit me British Council: Sjell bashkëpunim më të ngushtë edhe në arsimin e lartë
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi nënshkroi sot Memorandumin e Mirëkuptimit me British Council për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi nënshkroi sot Memorandumin e Mirëkuptimit me British Council për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit.
Gjatë takimit me përfaqësues të British Council dhe ambasadorin e Britanisë, Alastair King-Smith, ministrja Kushi nënvizoi rëndësinë që ka kjo marrëveshje për të çuar përpara projektet e përbashkëta në arsimin parauniversitar, si dhe do të rrisë bashkëpunimin në arsimin e lartë atë lartë.
“Nënshkruam sot Memorandumin e Mirëkuptimit me British Council në fushën e arsimit, i cili përveçse çon përpara projektet e përbashkëta në arsimin parauniversitar, gjithashtu i hap rrugën edhe një bashkëpunimi më të ngushtë në fushën e arsimit të lartë”, shkroi Kushi në një postim në rrjetet sociale.
Kushi theksoi se, “në fokus të bashkëpunimit do të jenë: trajnimi i mësuesve të gjuhës angleze dhe përfshirja e tyre në Platformën Rrjetëzuese të British Council, zhvillimi i kapaciteteve për drejtuesit e shkollave dhe mësuesit e ciklit fillor, forcimi i bashkëpunimit në fushën e ndërkombëtarizimit mes universiteteve shqiptare dhe britanike, organizimi i konferencave ose seminareve të përbashkëta, nxitja e shkëmbimit të studentëve dhe stafeve akademike”.
Ministrja Kushi falënderoi përfaqësuesit e British Council dhe ambasadorin e Britanisë, Alastair King-Smith për kontributin me vlerë në zbatimin e projektit “Shkollat e Shekullit 21”, një nga programet më të suksesshme për nxitjen e mendimit kritik tek nxënësit dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve, nga i cili kanë përfituar 1191 shkolla, 120 mijë nxënës dhe 6 mijë mësues. /ATSH