Protesta masive në Izrael, pas miratimit të reformës gjyqësore
Ligji është pjesë e një pakete më të madhe për të cilën kritikët kanë frikë se do të minojë demokracinë e Izraelit dhe që ka shkaktuar protesta masive në vend prej muajsh.
Mijëra izraelitë kanë protestuar sërish kundër qeverisë së krahut të djathtë pas miratimit të një elementi thelbësor të një reforme të diskutueshme gjyqësore që kundërshtarët thonë se po gërryen demokracinë.
Sipas medias, të paktën 34 demonstrues u arrestuan në të gjithë vendin mbrëmjen e së hënës dhe disa persona u plagosën nga përdorimi i ujit me presion.
Në disa qytete pati përleshje mes policisë dhe demonstruesve.
Sipas njoftimeve, kundërshtarët e reformës në drejtësi bllokuan disa rrugë në vend.
Në Tel Aviv, qindra njerëz marshuan në një autostradë qendrore në mbrëmje.
Parlamenti i Izraelit miratoi një element kyç në projektligjin për ristrukturimin e gjyqësorit, pasi shumica e 120 ligjvënësve votuan në favor të ligjit për të kufizuar kompetencat e Gjykatës së Lartë.
Pas ditësh debati, 64 nga 120 ligjvënësit e Knesset-it e mbështetën projektligjin.
Opozita bojkotoi votimin.
Ligji është pjesë e një pakete më të madhe për të cilën kritikët kanë frikë se do të minojë demokracinë e Izraelit dhe që ka shkaktuar protesta masive në vend prej muajsh.
Ligji i ri do të thotë se nuk do të jetë më e mundur që Gjykata e Lartë të gjykojë një vendim nga qeveria ose ministra individualë si “të papërshtatshëm”, duke shkaktuar frikën se kjo mund të çojë në korrupsion dhe emërime arbitrare në poste kyçe dhe shkarkime.
Qeveria e Netanyahut akuzon gjyqësorin për ndërhyrje të tepruar në vendimmarrjen politike.