110 vjet më parë, Shqipëria shpallej Principatë!
Më 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër vendosi që Shqipëria të shpallej Principatë
Më 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër vendosi se Shqipëria do të shpallej: ”Principatë kushtetuese e pavarur dhe e trashëgueshme”, nën garancinë e Fuqive të Mëdha.
Kjo konferencë vendosi se nuk do të kishte prekshmëri të tokave në kufijtë e përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha. E drejta sovrane i përkiste princit Vilhelm Vidit, i cili ishte kryetar i administratës civile e ushtarake dhe do të kishte të drejtën të emëronte Këshillin e Ministrave.
Organi legjislativ i Shqipërisë do të ishte Asambleja Kombëtare. Shqipja do të ishte gjuha zyrtare që do të përdorej në të gjitha prefekturat, nënprefekturat dhe komunat e vendit.
Më 17 mars, Princ Vidi formoi qeverinë e re shqiptare me në krye Turhan Pashë Përmetin dhe me kabinetin e tij të përbërë nga: Esat Pashë Toptani, ministër i Luftës dhe i Punëve të Brendshme; Aziz Pashë Vrioni, ministër i Bujqësisë dhe i Tregtisë; Myfit bej Libohova, ministër i Drejtësisë dhe i Kulteve; Dr. Gjergj Adamidi bej Frasheri, ministër i Financave; Hasan Bej Prishtina, ministër i Postë-Telegrafikëve; Dr. Mihal Turtulli, ministër i Arsimit dhe Prenk Bib Doda, ministër për Punët Botore.
U gjend nën presion nga shumë ngjarje të zhvilluara në vend, si kryengritjet e kryesuara nga Esat Pashë Toptani, kryengritjet e forcave greke në zonën e jugut të Shqipërisë, presionet e vazhdueshme të serbëve dhe fillesën e Luftës së Parë Botërore.
Mbështetja për Vidin do të zbehej deri në pikën që ai do ta shikonte të udhës të largohej më 3 shtator 1914.
Vidi shkoi fillimisht në Venecia, pastaj u kthye në Gjermani si kapiten në ushtrinë perandorake me emrin e luftës, “Konti i Krujës”.
Pas luftës, Vidi ende ushqente ambicje për t’u rikthyer në Shqipëri, pavarësisht se Gjermania kishte dalë e humbur nga lufta. Shpresat e Vidit morrën fund më 31 Janar 1925 kur Shqipëria u shpall zyrtarisht republikë me president Ahmet Zogun, më pas mbret