Basha: Gati t’i përvishemi një tjetër beteje!
Pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve për kryetar në Partinë Demokratike, Lulzim Basha falenderoi votuesit
Pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve për kryetar në Partinë Demokratike, Lulzim Basha falenderoi votuesit, strukturat e partisë si dhe kandidatin tjetër të kësaj gare, Gjergji Hanin.
Në një deklaratë për mediet, Basha tha se kjo ditë nuk shënon votën për një individ, por nisjen e një pune të menjëhershme.
“Jam i vetëdijshëm për kohën e vështirë që kemi kaluar dhe sfidat në të cilat ndodhet PD, demokratët dhe opozita. E di se lumenjtë e mosbesimit rrjedhin akoma, ca të vërtetë, e dhimbshme siç është e vërteta e ca të sponsorizuar nga ata që duan me çdo kusht të ruajnë status quo-në, që e duan shqipërinë kështu, pa mudnësi ekonmike, pa liri tregu, pa konkurrencë as në politikë, as në ekonomi, me media nën presion dhe censurë, me drejtësi nën presion, pa barazi para ligjit, por e di po kështu se mbi të gjtiha dhe para së gjithash e sotmja nuk shënon votën për një individ, as një proces të thjeshtë dhe brenda një partie por shënon nisjen e punës dhe puna fillon menjëherë për të ndërtuar mes dy brigjeve të lumenjve të mosbesimit urën mes bregut të sotëm të dëshpërimit të kaq shumë shqiptarëve të djathtë e të majtë, mes depresionit psikologjik, ekonomik e social ku e ka kredhur stanjacioni i gjithanshëm, mes mllefit, zemërimit por edhe dëshirës për ndryshim që shpaloset anekënd dhe bregut të shpresës e të besimit tek një projekt politik që nuk do të sjellë thjesht ndryshimin e partive në qeveri, por ndryshimin e qeverisjes njëherë e mirë për çdo shqiptar”, u shpreh ai.
Basha theksoi se “nuk ka për të qenë e lehtë, por nëse ka diçka që demokratët provuan sërish gjatë ditës së sotme, është që jemi në gjendje, jemi të aftë, jemi të përkushtuar dhe gati t’i përvishemi një tjetër beteje në dukje të pamundur, por asnjëherë të pafitueshme, ndaj le ta nisim menjëherë punën për ta ndërtuar këtë urë shprese e besimi për qindra, mijëra shqiptarë”. /ATSH