Sa na kushton dogmatizimi gjeo-ekonomik?

Nga 24 shkurti 2022, Evropa nuk është e njëjta.


Nga Dr. Marsela Musabelliu

Nga 24 shkurti 2022, Evropa nuk është e njëjta. Konflikti Rusi-Ukrainë nuk është një ngjarje që ka ngelur vetëm brenda kufijve të tyre, pasi efektet e saj janë të paprecedentë për të gjithë kontinentin e Evropës dhe më gjerë. Përveç tragjedisë njerëzore ky konflikt mbart, po kërcënon të shkatërrojë ekonominë globale, zinxhirët e furnizimit dhe rrjedhimisht mirëqenien e njerëzve.

Më shumë nga të tjerët, evropianët po përballen me një realitet të ri ekonomik, të cilin ata nuk e kanë përjetuar prej dekadash, po bëhen më të varfër. Jeta në një kontinent të cilin të tjerët e kishin zili prej kohësh për stilin e tij të jetës po humbet me shpejtësi shkëlqimin e saj, ndërsa evropianët shohin se fuqia e tyre blerëse po shkrihet, shënon Wall Street Journal, në 23 korrik 2023. Titulli ekzakt ishte “Evropianët po varfërohen dhe amerikanët po pasurohen. Historia pas rënies ekonomike të një kontinenti.” Me pak ironi therëse në rrështa, i vihej edhe disi faji “artit të jetesës” evropiane, d.m.th që punojnë më pak dhe shijojnë më shumë jetën… Francezët pijnë më pak verë të kuqe. Spanjollët po importojnë vajin e ullirit. Finlandezëve u kërkohet të përdorin saunat në ditët me erë kur energjia është më pak e shtrenjtë. Në të gjithë Gjermaninë, konsumi i mishit dhe qumështit ka rënë në nivelin më të ulët në tre dekada dhe tregu dikur në lulëzim për ushqimin organik është rënduar. Ministri i zhvillimit ekonomik të Italisë, Adolfo Urso, thirri një takim krize në maj për çmimet e makaronave, pasi ato u rritën me më shumë se dyfishi i normës kombëtare të inflacionit.

Por, të gjithë e dinë që nuk është “lifestyle” ose ajo e famshmja balancë punë-jetesë që ka shkaktuar këtë problem. Çdo ditë më shumë, vetë evropianët janë të frustruar me lidershipet e tyre përkatëse që duhet ti jepnin zgjidhje kësaj krize ekonomike. Dhe shohim se nga njëra anë amerikanët jetojnë më mirë, por edhe në Rusi nuk është se po vuajnë shumë, kështu që fatura ekonomike e përkthyer në shkatërrim të (mbi)jetesës së qytetarëve i mbetet Evropës.

Kur ekonomia bëhet armë

Një institut studimesh ekonomike në gjermani analizon se nën administratën Biden, ShBA vazhdon të kërcënojë rendin ekonomik botëror të bazuar në rregulla dhe po shtyn prirjen drejt de-globalizimit. Edhe pse administrata e re e Bidenit kërkon retorikisht më shumë “vlera” dhe “komunitetin e demokracive”, Shtetet e Bashkuara janë ende në thelb duke kërkuar të mbrojë interesat kombëtare me gjithë fuqinë e saj ekonomike dhe ushtarake. Në veçanti, Presidenti Trump e ka portretizuar vazhdimisht sistemin multilateral të tregtisë botërore si një “marrëveshje të keqe” për Amerikën. Duke vendosur tarifa ndëshkuese (për çelikun dhe aluminin) për arsye të sigurisë kombëtare, ai jo vetëm që arriti qëllimet e tij të politikës tregtare proteksioniste, por edhe minoi besueshmërinë e Organizatës Botërore të Tregtise (OBSh). Duke ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara, vendet e tjera, nga ana e tyre, mund të vendosin tarifa në emër të sigurisë së tyre kombëtare, dhe kjo ndodhi shumë shpejt në Evropë.

Në konkurrencën në rritje gjeo-ekonomike, veçanërisht midis ShBA-së dhe Kinës, por edhe me “aleatët” e ShBA, ekonomia nuk është më qëllimi, por një mjet për qëllime gjeostrategjike. “Aleatët” e Amerikës në Evropë po detyrohen gjithashtu të blejnë më shtrenjtë “gaz për lirinë” amerikane në vend të gazit më të lirë rus dhe të paguajnë për infrastrukturën e nevojshme për transport, siç janë terminalet e gazit natyror të lëngshëm (LNG). Vendimmarrësit evropianë në politikë dhe biznes duhet të njohin seriozitetin e situatës së pasigurt në Shtetet e Bashkuara dhe efektet anësore. Askush nuk duhet të habitet nëse administrata Biden do të përpiqet aq më tepër të përfitojë nga varësia ekonomike dhe, veçanërisht, ushtarake e aleatëve të saj në Evropë dhe Azi, vazhdon Instituti Gjerman i Zhvillimit dhe Qëndrueshmërisë.

Një libër tejet i famshëm nga Nicholas Mulder, “Arma ekonomike” është vlerësuar si libri më influent i vitit 2022. Mulder shprehet se një politikë shtrënguese që dikur ishte e mundur vetëm në kohë lufte – duke i izoluar komunitetet njerëzore nga shkëmbimi me botën e gjerë – tani u bë e mundur në një gamë më të gjerë situatash, u pranua dhe u aplikua. Bllokada tregtare dhe financiare praktikisht janë një politikë e zhvilluar si një formë lufte ekonomike kur nuk ka hapësira ose dëshirë për konfrontim frontal. Synimi fillestar në krijimin e “armës ekonomike” ishte mospërdorimi, por atje ku u përdorën ato ngritën një perspektivë të frikshme. Përvoja e izolimit material la gjurmë në shoqëri për dekada më pas, pasi efektet u transmetuan ndër breza.

Evropa dhe inflacioni

Me shpenzimet e konsumit në rënie, Evropa u fut në recesion në vitin 2023. Bashkimi Evropian tani përbën rreth 18% të të gjitha shpenzimeve të konsumit global, krahasuar me 28% për ShBA-në. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, BE dhe ShBA përfaqësonin secila rreth një të katërtën e këtij total, pra ishin të barabarta. Të rregulluara për inflacionin dhe fuqinë blerëse, pagat janë ulur me rreth 3% që nga viti 2019 në Gjermani, me 3.5% në Itali dhe Spanjë dhe me 6% në Greqi.

Gjermania pësoi recesionin e saj të parë në vitin 2023 që nga fillimi i pandemisë, duke shuar shpresat se ekonomia kryesore e Evropës mund t’ia dilte.

Inflacioni u bë sëmundja e madhe, dhe si është shprehur një ish-kancelar austriak,“Kur Franca teshtin, pjesa tjetër e Evropës ftohet”…dhe në vitin 2023, po teshtin Gjermania, lokomotiva e ekonomisë kontinentale, dhe kështu kontinenti i tërë është “ftohur”.

Inflacioni në BE dhe në eurozonë

Burimi: Eurostat (përpunim grafik nga autorja)

….

Shqipëria dhe kriza ekonomike

Nëse Gjermania kollitet, dhe Evropa ftohet, atëherë Shqipërinë e ka kapur bronshiti!

Në planin afatgjatë dhe me aspiratën për të qenë pjesë e standardeve të Bashkimit Evropian, Shqipëria më në fund ia ka dalë të përputhet dhe të tejkalojë disa prej këtyre standardeve, specifikisht çmimet e ushqimeve.

Ndërsa kriza e kostos së jetesës së vitit 2022, po zvarritet edhe në vitin 2023, familjet shqiptare po shohin gjithnjë e më shumë se të ardhurat e tyre po kanalizohen kryesisht në ushqim. Duke qenë se vendi ka pagat më të ulëta në Evropë dhe çmime më të larta për gjërat e nevojshme, vazhdimi i rritjes së çmimeve ka shtuar vështirësi të konsiderueshme financiare për shumicën e familjeve.

Konsumi Konkret individual (AIC) është një tregues alternativ i përshtatur më mirë për të përshkruar mirëqenien materiale të familjeve.

Më poshtë është një pasqyrë kontinentale kryesore të rritjes së Konsumit Konkret Individual (AIC) në Shqipëri. Me pak fjalë shqiptarët konsumojnë më pak se të gjithë evropianët.

Konsumi Konkret Individual (AIC)

Burimi/Grafika: Eurostat

Eurostat publikoi këto të dhëna ku thuhet se për Shqipërinë, shifra e konsumit mesatar është rreth 5,178 euro (€) për vitin 2022. Shifra ka një rritje prej +16,7%, nga 4,436 euro për frymë një vit më parë. Në të gjitha konsideratat, kjo rritje është dukshëm mbi normën e Bashkimit Evropian (BE), e cila është fiksuar në 10%. Është e panevojshme të thuhet se konflikti në Ukrainë dhe rritja pasuese e çmimeve të karburanteve, energjisë dhe ushqimeve ndikuan në mënyrë eksponenciale. Polemika më e dukshme këtu është se kjo rritje nuk do të thotë rritje e konsumit sepse konsumi u tkurr sidomos në fund të vitit. Do të thotë se shqiptarët shpenzonin më shumë dhe konsumonin më pak.

Në fakt, rritja e shpenzimeve prej 16.7% është mbi dy herë më e lartë se norma zyrtare e inflacionit për vitin 2022 në Shqipëri.

Inflacioni në Shqipëri

Burimi: INSTAT (përpunim grafik nga autori)

Duket sikur në vitin 2023 situata është më e butë por ky vit krahasohet me vitin paraardhës, dhe viti i shkuar ishte më i shtrenjti në dekada, kështu që situata është alarmante.

Në një vend ku paga mesatare është të paktën pesë herë më e ulët se në BE, çmimet e ushqimeve janë të njëjta dhe më të larta se në vendet e pasura. Në Shqipëri familjet shpenzojnë mbi 40-50% të të ardhurave për ushqim, nga 13% që është mesatarja evropiane, sa më shumë rriten çmimet e ushqimeve, aq më pak do të konsumojnë.

Lind pyetja, si ia dalin shqiptarët të jetojnë me çmime të tilla? – Shumica e tyre kanë konsumuar më pak ushqim, siç tregojnë të dhënat. Një analizë e fundit ekonomike shqiptare tregon se konsumi i bukës në rrethe është ulur! Importet për grupin e drithërave ranë 25% në 2022 krahasuar me një vit më parë. Pesha neto e drithërave në vitin 2022 është më e ulëta e regjistruar në 14 vitet e fundit (që nga viti 2008). Prodhuesit e bukës pohojnë se ecuria e konsumit në Tiranë është normale, ndërsa në rrethe është në rënie. Emigrimi i popullsisë ka ndikuar në konsumin e bukës në rrethe.

Ky trend i pafund i rritjes së çmimeve po krijon një vorbull ngarkesash shtesë për të gjithë, por kryesisht për konsumatorët me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Ata vazhdojnë të shpenzojnë më shumë dhe të blejnë më pak, me të njëjtën sasi monedhe në dispozicion. Nëse individët dhe familjet duhet të marrin parasysh ushqimin e tyre të përditshëm, atëherë ka shumë pak hapësirë për përmirësim të përgjithshëm në të gjithë ekonominë. Duket se ka një paradë të paqëndrueshme faktorësh (Ukraina, zhvlerësimi i euros, produktiviteti i ulët, varësia e madhe nga importet, etj.) që po e bëjnë të vështirë çdo ditë dhe nëse vazhdojnë, situata për gjysmën e dytë të 2023 mund të përkeqësohet ende. Dhe çfarë ndodh, shqiptarët largohen nga vendi…

Sipas Instat 46,460 shqiptarë janë larguar si emigrant gjatë vitit të kaluar. Kjo shifër rezulton të jetë 10.5% më e lartë se ajo e vitit 2021, kur numri i të ikurve ishte rreth 42 mijë. Emigrimi në vitin 2022 ka prekur nivelin më të lartë që prej vitit 2014. Me pak fjalë, 127 persona në ditë, afro një person çdo 10 minuta, ikën nga Shqipëria për të mos u kthyer më. Këto janë shifrat zyrtare, por shumë ekspertë thonë së janë edhe më të larta se kaq.

“E tërë lufta është dinakëri” – thoshte Sun Tzu në librin e famshëm “Arti i Luftës” mijëra vjet më parë. Për të parë kush e do luftën, sanksionet, shkëputjet, e të tilla “dinakëri”, mjafton të shohim kush përfiton nga kjo situatë, dhe kush paguan faturat.

Nga ana tjetër, në këtë Shqipërinë e vogël mes dallgëve të mëdha gjeo-ekonomike, ndërkohë që flitet për nevojën jetike për siguri, është mirë që të flitet më shumë për politika zhvillimore, me ekonominë në fokus, se ndryshe nuk do të kemi ç’të sigurojmë n.q.s njerëzit largohen. Mjafton të mendojmë që vetëm në minutat që u deshën për të lexuar këtë artikull, një shqiptar është larguar nga vendi, me idenë për të mos u kthyer më….dhe trishtimi merr trajtë, ndryshe.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…