Papa: Ta kërkojmë perlën e çmuar të takimit me Zotin!

Gjatë kremtimit të lutjes së Engjëllit në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa i ftoi besimtarët të mos kënaqen me gjëra të kota


Nga R.SH. / Vatican News

Si zakonisht, lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot  Papa e nisi me përshëndetjen drejtuar turmës së besimtarëve, që as vapa e madhe e verës nuk e pengon të mblidhet poshtë dritares së Engjëllit në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, ku, në drekë zbret vetë dielli, ndërsa mijëra sy nga mbarë bota ngulen në të për të dëgjuar një fjalë të mirë, një urim, një premtim për të ardhmen pa lufta e e pa fatkeqësi të tjera, të jetuar me e për Zotin.

Reflektimin para lutjes së sotme mariane Papa ia kushtoi pjesës së Ungjillit të kësaj së diele të 17-të gjatë vitit kishtar ‘A’ nga Mateu, ku përmes tri shëmbëlltyrave Jezusi vazhdon të flasë mbi Mbretërinë e Hyjit si thesarin më të çmuar. Ati i Shenjtë u ndal te shëmbëlltyra ungjillore e një tregtari në kërkim të perles a margaritarit të çmuar.  Ky – kujton Jezusi – “pasi gjen një margaritar me vlerë të madhe, shkon, shet gjithçka që ka dhe e blen” (Mt 13:46). Le të ndalemi pak – fton pas kësaj Papa – në gjestet e këtij tregtari, i cili fillimisht e kërkon, pastaj e gjen dhe në fund e blen perlën e çmuar.

Gjithnjë në kërkim të risisë së Zotit

E ky është hapi i parë  – nënvizoi Ati i Shenjtë – të kërkosh! Është tregtar gjithnjë në lëvizje, njeri që nuk rri i ngrirë, por lë shtëpinë e shkon të kërkojë perlat e çmuara. Nuk thotë: “Më mjaftojnë ato që kam”, i kërkon më të bukura. Gjithnjë më të bukura”:

“E kjo është ftesë për ne, që të mos mbyllemi në rutinë, në mediokritetin e atyre që janë të kënaqur, por të ringjallim dëshirat: të kultivojmë ëndrrat e së mirës, ​​të kërkojmë risinë e Zotit, sepse Zoti nuk përsërit, sjell gjithnjë diçka të panjohur e i bën realitetet e jetës gjithmonë të reja (shih Zbulesa 21:5)”.

Ta kërkojmë e ta gjejmë gjithnjë të mirën

Gjesti i dytë i tregtarit – kujtoi në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa – është gjetja. Ai është njeri mendjendritur, që “ka sy të mprehtë” dhe di ta njohë perlën me vlerë të madhe. Kjo nuk është e lehtë. Mendojmë, për shembull, për pazaret magjepsëse orientale, ku tezgat, plot mallra, përgjatë mureve të rrugëve, janë përplot me sende e me njerëz; apo për disa tezga që shihen në shumë qytete, plot me libra dhe objekte të ndryshme. Ndonjëherë në këto tregje, po të ndalesh e të shikosh mirë, mund të zbulosh thesare: gjëra të çmuara, vëllime të rralla të cilat, të përziera me një mori gjërash të tjera, në shikimin e parë nuk bien fare në sy. Por tregtari i shëmbëlltyrës ka sy të mprehtë, di “ta dallojë” perlën.

Ta kërkojmë perlën e çmuar të takimit me Zotin  

“Edhe ky është një mësim për ne – vijoi Papa – çdo ditë, në shtëpi, në rrugë, në punë, në pushime, kemi mundësinë të shohim gjëra të mira:

“Dhe është e rëndësishme të dimë sesi ta gjejmë atë, që ka rëndësi: të stërvitemi t’i njohim perlat e çmuara të jetës dhe t’i dallojmë ato nga mbeturinat. Të mos humbasim kohë dhe lirinë për gjëra të parëndësishme, për argëtime, që na lënë bosh përbrenda, ndërsa jeta na ofron çdo ditë perlën e çmuar të takimit me Zotin dhe me të tjerët!”.

Jezusi, margaritar i çmuar

Gjesti i fundit, që bëri tregtari i shembëlltyrës, i përshkruar sot nga Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: e blen perlën. Duke kuptuar vlerën e saj të pamasë, shet gjithçka, flijon gjithçka, për ta pasur. E ndryshon rrënjësisht inventarin e magazinës së tij; nuk i mbetet gjë tjetër, veç asaj perle: është pasuria e tij e vetme, kuptimi i së tashmes dhe i së ardhmes së tij:

“Edhe kjo është ftesë për ne. Por çfarë është kjo perlë për të cilën njeriu mund të heqë dorë nga gjithçka e për të cilën na flet Zoti? Është Vetë Jezusi! Ai është perla e çmuar e jetës, që duhet kërkuar,  duhet gjetur dhe duhet bërë për vete. Ia vlen të investosh gjithçka për Të, sepse jeta ndryshon, kur takon Krishtin”.

Pyetje, në kërkim të përgjigjes

Pra, le të kthehemi tek tre gjestet e tregtarit – kujtoi në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa – të kthehemi e të kërkojmë, të gjejmë, të blejmë – dhe t’i bëjmë vetes disa pyetje.

Pyetje për kërkimin, së pari: në jetën time, a po kërkoj? A ndihem i qetë, a kam mbërritur, a jam i kënaqur apor po stërvit dëshirën time për të mirë?

Gjesti i dytë, gjetja: a përpiqem ta dalloj atë, që është e mirë dhe që vjen nga Hyji, duke ditur të heq dorë nga ajo që më lë me pak ose aspak? Së fundi, blerja: a mund ta shpenzoj veten për Jezusin? A zë për mua kryet e vendit? E a është për mua e mira e pambaruar në jetë? Do të ishte mirë t’i thuash “Jezus, Ti je pasuria ime më e madhe”:

“Maria na ndihmoftë ta kërkojmë, ta gjejmë dhe ta përqafojmë Jezusin me të gjithë vetveten”.

Lexo më shumë nga

Uldedaj sërish kampion, Balla: Mes 15 më të mirëve në botën e boksit profesionist

Suksesi i Uldedajt është një arritje historike për sportin shqiptar dhe një tjetër hap i madh për boksierin e talentuar…

Global 360

Armenia njeh pasaportat e Kosovës

Armenia nga sot njeh zyrtarisht të gjitha pasaportat e Kosovës, duke përfshirë ato të zakonshme, diplomatike dhe zyrtare.

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Uldedaj sërish kampion, Balla: Mes 15 më të mirëve në botën e boksit profesionist

Suksesi i Uldedajt është një arritje historike për sportin shqiptar dhe një tjetër hap i madh për boksierin e talentuar…