Shkrimtari i shquar Ismail Kadare merr nënshtetësinë kosovare
Presidentja Vjosa Osmani: Ikonë e letërsisë shqipe, nderim për shtetin e Kosovës.
Shkrimtari Ismail Kadare ka marrë nënshtetësinë e Republikës së Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar këtë të martë dekretin. Sipas saj, dhënia e nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe, është nderim për shtetin e Kosovës.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, u shpreh Osmani.
Dekreti i nënshtetësisë, shkrimtarit Kadare do t’i dorëzohet nga presidentja Osmani gjatë vizitës, e cila do të realizohet në Shqipëri në një periudhë të afërt.
Në qershor të këtij viti, Kadare u nderua me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti që Republika e Kosovës ndan për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.