Politika si privilegj për t’u shërbyer njerëzve
Politika është një privilegj për t’u shërbyer njerëzve. Një mision fisnik.
Nga Jurgis Çyrbja
Deputet i Qarkut Durrës, PS
Politika përkufizohet si arti i qeverisjes, sfera e shpalosjes dhe zbatimit të ideve, mjeti për sigurimin e mirëqenies dhe funksionimin sa më efikas të të gjithë sektorëve të jetës së komunitetit e mbarë vendit.
Por, mbi të gjitha, politika është një privilegj për t’u shërbyer njerëzve. E një mision i tillë kaq fisnik ka qenë shtysa ime, qysh në krye të herës, për t’u përfshirë në politikë, gjithmonë krenar dhe përulësisht i nderuar për të shërbyer si zëri i komunitetit që përfaqësoj në Kuvendin e Shqipërisë, duke kontribuar me të gjithë aftësitë dhe idetë e mia për më shumë progres, duke punuar me përkushtim jo vetëm në legjislativ por edhe për rritjen e standardeve të jetesës së familjeve të thjeshta.
Politika është një mjet transformues. Teksa kam ndjekur nga afër shqetësimet e njerëzve, nevojat e komunitetit për përmirësim në infrastrukturë apo zhvillim në zona dikur të harruara, apo në ndërtimin e shkollave e kopshteve, si në rastin e shkollës “Zyber Sallaku” në Kuçok të Manzës te e cila brenda pak javësh do të rifillojnë mësimin 263 nxënës në një godinë të rikonstruktuar dhe të zgjeruar, ku janë hedhur edhe themelet e një kopshti të ri, në të cilin ky komunitet i vogël prej 400 familjesh, do të kenë mundësinë të çojnë fëmijët e tyre në një kopësht me standard bashkëkohor, si edhe ndërtimi i një moli peshkimi në Njësinë Administrative Ishëm, për t’u ardhur në ndihmë peshkatarëve të zonës, shtrimi i shumë akseve rrugore, etj, forca transformuese e një politike të mirë ndihet edhe më shumë e të nxit për të shërbyer edhe më tej e për ta zgjeruar transformimin e jetës së komunitetit në çdo sektor.
Politika është edhe përgjegjësi. Bizneset e vogla dhe ato familjare po lulëzojnë sepse shqiptarët janë duarartë dhe punëtorë e falë politikave mbështetëse fiskale të qeverisë po ndikojnë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik lokal ndaj edhe konsultimi dhe bashkëbisedimi im i përjavshëm me ta është detyrim dhe nxitje, pasi përgjegjësia zgjerohet edhe më gjerë në lidhje me promovimin e produkteve vendase, përfaqësimin dinjitoz që shumë kompani të qarkut tonë po arrijnë në tregun ndërkombëtar, provominin në turizmin e zonës, punësimin e të rinjve, dhe rritjen e mirëqenies për familjet. Kësisoj privilegji dhe përgjegjësia e politikës janë të pandara e në themel kanë shërbimin ndaj njerëzve.
Politika është edhe pasion që duhet të burojë nga zemra. Të duash njerëzit, të kujdesesh për nevojat e tyre, t’u qëndrosh në krah në përballjen me sfidat dhe nevojat e tyre dhe të komunitetit është motivim i lartë njerëzor e politik që të shtyn të shërbesh më shumë e të ecësh gjithmonë përpara.
Përpara, vetëm përpara, pa e kthyer më kokën pas, që është edhe parimi i qeverisë shqiptare, pasi njerëzit dhe familjet e thjeshta, në qarkun e Durrësit e në mbarë Shqiperinë, meritojnë një të ardhme gjithnjë e më të mirë e më të begatë.
Kjo është arsyeja që politika është e rëndësishme, idetë kanë rëndësi, demokracia ka rëndësi, sepse të gjithë ne jemi të thirrur të sjellim ndryshimin e vazhdueshëm te komuniteti dhe vendi ynë.