Veliaj: Vendimi i SPAK për impiantin e mbetjeve, i mirëpritur
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka përshëndetur vendimin e SPAK për të kaluar në administrim publik impiantin e mbetjeve të Tiranës.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka përshëndetur vendimin e SPAK për të kaluar në administrim publik impiantin e mbetjeve të Tiranës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Veliaj shprehet se heqja nga duart e subjektit privat të impiantit të mbetjeve është i mirëpritur, në rrugën e zbardhjes së veprimtarisë së paligjshme të kujtdo që ka abuzuar në dëm të interesit publik.
“Histeria e portaleve të baltës tregon vetëm që baltaxhinjtë e udhëhequr nga non gratat s’e kanë marrë vesh akoma që jemi në epokë tjetër. Sekuestrimi dhe heqja nga duart e subjektit privat të impiantit të mbetjeve të Tiranës si rezultat i hetimeve të SPAK është mëse i mirëpritur në rrugën e zbardhjes së veprimtarisë së paligjshme të kujtdo që ka abuzuar në dëm të interesit publik”, theksoi Veliaj.
Veliaj u shpreh se “bashkia e Tiranës ndërkohë do të vazhdojë pa u ndalur punën për një Tiranë që sot është pasqyrë pastërtie edhe si rezultat i transformimit të Sharrës nga një kancer urban, në një fushë sanitare me standardet e duhura mjedisore”.
Kryebashkiaku Veliaj tha se “koha punon për Tiranën dhe Shqipërinë evropiane, jo për kandilët e non gratave që do të shkojnë drejt shuarjes”.
Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar ka vendosur sot sekuestrimin e Inceneratorit të Tiranës. SPAK po heton në kuadër të procedimit penal për veprat penale të “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim.