Sejko: Inflacioni shënoi rënie në 3-mujorin e dytë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në një konferencë për mediat, theksoi se inflacioni shënoi rënie gjatë tremujorit të dytë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në një konferencë për mediat, theksoi se inflacioni shënoi rënie gjatë tremujorit të dytë.
“Inflacioni i çmimeve të konsumit regjistroi një vlerë mesatare prej 4.6% gjatë tremujorit të dytë, duke rënë me pothuaj dy pikë përqindjeje nga tremujori paraardhës”, tha Guvernatori.
Sipas tij, kjo rënie pasqyroi normat më të ulëta të inflacionit të ushqimeve, dhe në veçanti të atyre të papërpunuara, dhe të inflacionit të mallrave të konsumit joushqimor, dhe në veçanti të atij të naftës. Ndërsa inflacioni i artikujve të tjerë të shportës së konsumit u shfaq më i qëndrueshëm.
Në aspektin makroekonomik, vijoi ai, ngadalësimi i ritmit të rritjes së çmimeve u ndikua më së shumti nga rënia e inflacionit të importuar, në pasqyrim të rënies së inflacionit në partnerët tanë tregtarë dhe forcimit të kursit të këmbimit.
“Presionet e brendshme inflacioniste vazhdojnë të shfaqen relativisht të forta e të qëndrueshme. Këto presione ushqehen nga kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime, kërkesë e cila është shoqëruar me rritje të shpejtë të pagave e të kostove të prodhimit dhe mban të larta marzhet e fitimit”, u shpreh Guvernatori.
Sejko theksoi se, “inflacioni pritet të vijojë të bjerë gradualisht gjatë tremujorëve të ardhshëm dhe të kthehet në objektiv gjatë mesin e vitit 2024, çka do të përcaktohet nga rënia e mëtejshme e inflacionit në partnerët tregtarë, si dhe nga balancimi më i mirë i kërkesës dhe ofertës në vend”. /ATSH