Policia ndihmon tetë turistë italianë në Divjakë, , u bllokuan në pyll nga balta
Tetë turistët italianë po eksploronin lagunën e Karavastasë dhe pyllin e Divjakës
Policia e Divjakës u ka ardhur në ndihmë tetë turistëve italianë, të cilët mbetën të bllokuar në mesnatë për shkak të baltës në pyllin e Divjakës. Policia njofton se turistëve iu bllokua automjeti për shkak të baltës së krijuar nga reshjet e shiut gjatë ditës.
“Mesnatën e djeshme, Komisariati i Policisë Divjakë ka marrë njoftim se për shkak të shirave, 2 automjete me të cilat 8 turistë italianë eksploronin lagunën e Karavastasë dhe pyllin e Divjakës, kishin ngecur në një pjesë rruge me baltë”, njofton Policia.
“Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën, kanë shkuar në zonën e sinjalizuar dhe përmes përdorimit të një makine teknologjike (skrep), i kanë nxjerrë 2 automjetet nga rruga me baltë ku kishin ngecur. 8 turistët janë shoqëruar me automjetet e Policisë dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore”, vijon njoftimi.
“Këta turistë kanë falënderuar shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe humanizmin e shfaqur gjatë ofrimit të ndihmës”, përfundon njoftimi i Policisë. /ATSH