Margariti: Projekt për ndërhyrjen në Kishën e Profetit Ilia në Bual, Përmet
Kisha e Profetit Ilia në Bual të Përmetit ka nevojë për ndërhyrje emergjente për t’i shpëtuar rrënimit të saj.
Kisha e Profetit Ilia në Bual të Përmetit ka nevojë për ndërhyrje emergjente për t’i shpëtuar rrënimit të saj.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se “për të mbështetur nevojën për ndërhyrje emergjente në Kishën e Profetit Ilia në Bual, Përmet janë bërë bashkë institucione shtetërore e private, të trashëgimisë kulturore, por dhe arsimore”.
“Skuadrës së Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër iu bashkua edhe CHwB Albania dhe Universiteti Polis. Tashmë ka filluar procesi i dokumentimit që i paraprin hartimit të projektit të ndërhyrjes”, tha Margariti.
Ndërkohë që CHwB Albania thekson se “tashmë kemi filluar procesin e dokumentimit dhe po përgatisim në mënyrë aktive projektin e ndërhyrjes. Ruajtja e trashëgimisë është një përpjekje kolektive dhe ne jemi këtu për të mbështetur çdo iniciativë”.
Restaurimi i kësaj kishe do të krijojë mundësinë e ruajtjes së saj nga degradimi i mëtejshëm, ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe do ta kthejë atë në itinerar turistik për vizitorët vendas e të huaj. /ATSH