Variacione për vetminë në perëndim
Aq shumë e shijova pikturën “Vetmia e Doruntinës” të Helidon Halitit, sa sot shkrova këtë… Vetmia e një qenie mbi kalë. Qenie udhëtare…
Nga Alisa Velaj
Aq shumë e shijova pikturën “Vetmia e Doruntinës” të Helidon Halitit, sa sot shkrova këtë… Vetmia e një qenie mbi kalë. Qenie udhëtare…
VARIACIONE PËR VETMINË NË PERËNDIM
– 1 –
Ai kalorës është më i vetmuar se kali i tij.
Nëpër trokthin e ngadaltë, sheh dritën e diellit tek mbytet në det dhe i fashitet pak nga pak etja për gjumë.
“Do rri zgjuar për diellin sonte”, mendon dhe hidhet prej kalit në tokë.
Nuk është më i vetmuar.
Për dritën e mbytur do rri zgjuar një natë.
I paqtuar pranë kalit dhe vetmisë.
– 2 –
Më i vetmuar se kalorësi, duket se është kali.
I fundit stacion i udhëtimit, – nata.
Kalorësi ndalet dhe e përqafon kalin.
Heshtje dhe dallgë.
Dallgë, heshtje dhe një kalë i përmalluar në breg.
Kalorësi i përkëdhel kalit fytyrën me duar dhe trembet se kafsha e ka kuptuar të vërtetën.
Janë të dy më vetëm se kurrë.
– 3 –
Janë të dy të vetmuar, dhe kalorësi dhe kali.
Dita vetmohet aq shumë sa bëhet natë.
Kalorësi ia merr një këngë cigane, ndërsa tretet në terr.
Askush nuk duket se e vuri re shurdhimin e trokut.
Mëngjesit, vetmia endej në ajër si angështi korriku.