Balla me Njësinë Detare në Vlorë: Siguri e shtuar përgjatë sezonit veror
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla zhvilloi një takim me strukturat e Policisë Kufitare dhe Delta Forcën
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla zhvilloi sot një takim me strukturat e Policisë Kufitare dhe Delta Forcën, që janë të vendosura dhe operojnë në vijën bregdetare nga Vlora deri në Sarandë, për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Përgjatë sezonit veror në vijën bregdetare janë shtuar kontrollet dhe patrullimet për të garantuar siguri të shtuar, për mijëra turistë e pushues.
Ministri Balla ka përgëzuar të gjitha njësitë e Policisë së Shtetit që janë të angazhuara drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e sezonit turistik, gjatë një takimi që zhvilloi sot me strukturat e Policisë Kufitare dhe ato të Delta Forcë, në Vlorë e Sarandë.
Ai u shpreh se, deri tani nuk kemi pasur incidente si në të shkuarën dhe se ky rol parandalues duhet të vijojë me të njëjtin intensitet.
Balla vlerësoi me këtë rast rezultat e njësive të posaçme të Policisë së Shtetit, qoftë në ndihmën e dhënë për shtetasit e turistët që ndodheshin në situata problematike, ashtu edhe me numrin e mjeteve detare të sekuestruara.
Gjithashtu ministri Balla solli në vëmendje edhe Kodin e Etikës dhe rrezikun që vjen nga rrjedhja e informacionit nga punonjës policie, drejt elementëve kriminalë. Ai u shpreh se sot është një ditë, kur 20 vite më parë humbi jetën në krye të detyrës komisar Gani Malushi, e po ashtu, 14 vite më parë, humbën jetën 4 oficerë policie në një operacion për kapjen e një personi shumë të kërkuar.
Më tej gjatë fjalës së tij Ministri foli edhe për vëmendjen e vazhdueshme që ka qeveria dhe kryeministri Rama, në aspektin e përmirësimit të kushteve të punës dhe sidomos rritjes së pagës për nivelin bazë.