Sa të bukur të kemi, moj Shqipëria e jonë!
Më në fund ndalemi në Vithkuq. Natyrë e mahnitshme e paimagjinueshme,nëse nuk e shikonim…
Nga BUJAR QESJA, “Mjeshtër i Madh”
Me miqtë tanë të thekur Elsa Ekonomin dhe Vasil Hilën, në makinën e të cilëve udhëtonim, së bashku me Kostandinën dhe Gean shumë të dashur, realizuam synimin që kishim për të vizituar Vithkuqin.
Rrugë e asfaltuar, mbushur me kthesa, por të marra në dorëzim nga gjelbërimi i pafund, ku dukeshin edhe burimet ujore që ishin asi nën mëngë i kësaj natyre mahnitëse. Rrugës ndeshemi në të majtë me një rezervuar gjigand, që mund të ishte edhe furnizuesja kryesore me ujë të pastër, të këtij Vithkuqi tërheqës.
Dushqe fillimisht, më pas akacje e gjithfarë bimësie, për të ardhur tek pishat e drejta si steka, që bënin ligjin në natyrën aq piktoreske të këtij vëndi që quhet Vithkuq. Qendër e mjaft fshatrave, ku me sa duket në Panarit asfalti duket se ndalet.
Në qendër Vithkuqi kishte mikpritësin kryesor, bustin e rilindasit të parë dhe të famshëm, krijuesin e Evëtarit të parë të gjuhës shqipe të përbërë nga 33 shkronja Naum Veqilharxhi. Përbri tij, ishte ndërtuar shkolla e mesme dhe më në brinjë, kryente funksionin njësia administrative e fshatit.
Në qendër të Vithkuqit, qendronte kisha “Shën Nikodhimi”, e ndërtuar nga Anastasi në vitin 1999. Në hapsira të veçanta, qendronin edhe tri lokale, dy prej të cilave të heshtura. Shumë pak metra larg nga qendra e Vithkuqit, do të shikonim kishën më të madhe atë të “Shën Mëhillit”.
Na erdhi keq që nuk ishte e hapur. Tentuam ta shikonim brendësinë e saj, nëpërmjet disa frëngjive të hapura përdhunshëm. Mesa arritëm të kuptonim, mirmbajtja e këtij tempulli të krishterë, nuk ishte atje ku do ta dëshironin besimtarët e saj. Iu luta Ilir Ngresit të më bënte një foto, që mbetet kujtim me vlera.
Kisha e “Shën Mëhillit”, më e madhja në Vithkuq. Është monument i trashigimisë kulturore. E ndërtuar në vitin 1682 nga Mihaili dhe Gabrieli, me shpenzimet e krishterëve që jetonin në Vithkuq. Ndihmesë shumë aktive ka dhënë prifti Stavri dhe mitropoliti i Kosturit. Kisha e “Shën Mëhillit” u përfundua në vitin 1728, me një kohëzgjatje të pazakontë 46 vjeçare.
Ajo që na befasoi ishin disa varre të hershme, një pjesë të rrënuara, e pak të tjera më në gjëndje. I thashë Vasil Hilës, të më fiksonte pranë një varri ku lexohej:
Formula e Pagëzimit- viti 1751, 272 vite më parë.
Lodheshim kot për të mësuar, se çne mbi një pllakë varri të mos shkruhej emri dhe mbiemri i një njeriu, por i Formula e Pagëzimit. Çtë jetë kjo? Një lidhje monolite që i qendronte shekujve, por edhe kjo në rrënim. Rrasat e gurta që përbënin çatinë e kishës, zor se mund ti qendronin dimrit që po ofron.
Pozicioni i kishës më detyroi të bëja disa foto, një prej të cilave me Kostandinën. Prapa shpinës tonë, shikohet gjarpërimi i rrugës për në fshatin e mbiemrit të njohur Panarit, e tëra e asfaltuar.
Zbresim sërish në qendër të Vithkuqit. Ndez qirinj të shumtë dhe të gjitha me objekt konkret. U luta për njerëz të mirë, të largët dhe të afërm, për ditë më të mbara dhe më me fat. Kështu bëri edhe Gea, edhe Kostandina, por edhe mikesha jonë e çmuar Elsa Ekonomi.
U ulëm për pak minuta edhe në klub. Rrufitëm nga një kafe turke. E mrekullueshme. Kafeja vinte nga Maqedonia, enkas në këtë zonë të thellë të Korçës. Tërhoqën vëmëndjen tonë dy maune të mëdha, aq sa thamë, si kanë mundur të rrugëtonin deri këtu.
Na kishin thënë, se Vithkuqi ishte si Voskopoja. Por absolutisht jo e vërtetë. Voskopoja me sa po eksploroj, mbetet kryeqyteti i fshatrave të Korçës. Madje gjynah ti thuash edhe fshat. Voskopoja mbetet mburrja e turizmit korçar.
Pamë aq sa mundëm. Qendruam gjithashtu, aq sa mundëm. Ngamë veturat tona, duke lënë pas Vithkuqin dhe më në fund realizuam vizitën e shumëpritur, që kishim vite që e mendonim.
Vendosëm aty për aty, të drekonim në Boboshticë, aty ku konkurenca e bizneseve kulinare, është shumë e madhe. Dhe mirë bëmë. Para mbrëmjes futemi në Voskopojë, që më është bërë bash si Durrësi.
Të lodhur, por shumë të kënaqur.
Sa të bukur të kemi, moj Shqipëria e jonë!
Bujar Qesja
Voskopojë: 9 gusht 2023