Arti i të qenit njerëzor!
Vizatimet dhe grafikat e Fatbardh Markut janë vërtet impresionante pasi në to zbulon energjinë, lëvizjen, botën dinamike
Nga Luan Rama
Vizatimet dhe grafikat e Fatbardh Markut janë vërtet impresionante pasi në to zbulon së pari energjinë, lëvizjen, botën dinamike. Ato nuk janë të paqta, idilike, ëndërrimtare. Janë gjendje, në zgjim. Do të veçoja mes tyre shumë vizatime e grafika që i adresohen natyrës, pemëve drurëve qindra vjeçarë që ende mbijetojnë, ku arti u jep një jetë të dytë.
Pemët
Kur kam vështruar këto lloj vizatimesh, menjëherë më janë shfaqur disa vizatime të Rembrandt dhe në veçanti brendësia e një pylli, një vizatim që gjendet në muzeun e Chantilly pranë Parisit. Një imazh pylli, ku ndjen menjëherë jetën e drurëve, lëvizjen e degëve, gjetheve, madje limfën që rrjedh në dejet e fryra dhe erën që fryn. Gjeta një gjendje të përbashkët mes tyre dhe më ngjau se mjeshtri shqiptar përvijonte imazhet e mjeshtrit hollandez të shumë shekujve më parë. Madje në vizatimet e Markut gjeta një jetë tepër dinamike, një erë që të rrëmbente, zhaurimat e vjeshtës, zëra që dialogonin aq bukur dhe ato trupa të lartë që si figura të Gacometti-t brenda një trungu lartësoheshin gjithë elegancë, nudo, aq sa kishe dëshirën ti prekje në dritën e tyre të bardhë. Dhe atëherë shikuesi mendon: si është e mundur vallë të rikrijosh këtë botë në letër thjesht me një lapës, tu japësh frymë drurëve, kërcunjve të vjetër si pleq shekullorë që i qëndrojnë erës, shiut, kohrave, botës që po perëndon dhe asaj që afron të rilindë. Në to gjen vërtet thelbin e vet natyrës, ku energjia e lapsit të rrëmben dhe të bën të pyesësh: cili është sekreti i kësaj gjendjeje? A mundet vallë një lapës ti japë lëvizje botës, natyrës? Kjo gjendje pra është e mundëshme nga një dorë mjeshtri që nuk mjaftohet vetëm në disa linja, por që kërkon ti afrohet sa më shumë natyrës, madje të bëhet njësh me të dhe vijë pas vije të krijojë atë ansambël ku linja statike lëviz, animohet, duke krijuar vetë natyrën e gjallë, dhe ku gjithnjë shohim në qendër të kuadrit një dritë të bardhë, jetëdhënëse.
Në një ekspozitë rreth vizatimeve të Rembrandt për natyrën, kuratori hollandez e kishte titulluar “Arti të jesh njerëzor”. Një titull i bukur që mishëron gjithashtu dhe veprën e mjeshtrit shqiptar, ku pyjet në stuhi, kërcunjtë e vjetër, buajt e lodhur në fushë etj., ai kërkon të kenë një tjetër dritë, të cilën vetëm një talent i madh arrin ta japë, çka na kujton një thënie të Balthus i cili në kujtimet e tij shkruante: “Drita, e pakapshme dhe tiranike për piktorin, e cila e ndrit portretin dhe e bën atë sublim. Gjithë jetën kam ndjekur dritën nga dritarja e atelierit tim. Të pikturosh është të shkosh çdo ditë në burim dhe të marrësh si në pus, ujin e tij. Dritën…”
Nudo
Kam parë disa nudo nga ky piktor. Disa kanë elegancën e disa akuareleve të Roden. Por njëra nga këto të fundit më ka besasuar. Nuk isha përballë nudove në mermer të piktorit-skulptor Maillol në kopshtet e mbretëreshës Maria Antoinette pranë Louvre. Ishte një nudo e veçantë, jo vetëm për nga kompozicioni, shtrirë në shpinë, me një krah ngritur që i mbulon fytyrën, por për testurën e trupit, kofshëve, këmbëve, muskujve, çka e kërkonte Mikelanxhelo kur krijonte figurat e tij nën kubenë e Sikstinës. Përmes dritë-hijeve, lapsi ka rilevuar një nudo tepër njerëzore siç janë gratë e popullit, ku kofshët nuk kanë elegancë, por ngërthejnë forcë, si kofshët e një matrone antike, kur njeriu adhuronte gruan e fuqishme, pjellore e po aq dhe sensuale, edhe pse këmbët e kësaj nudoje mbulojnë seksin e saj. Kështu, përmes kësaj nudoje, para apo pas ekstazës, ky piktor e ka kthyer nudon e tij në një emblemë të vërtetë. Pasi e ke vështruar gjatë, pak dëshire ke të shohësh nudo të tjera…
Nënë Tereza
Fatbardh Marku është një portretist i jashtëzakonshëm. Në aventurën e tij artistike portreti zë një vend të rëndësishëm. Kështu ka qenë që në rini të tij dhe kjo vazhdon, edhe pse kjo aventurë pikturale alternohet mrekullisht e pa sforco në zhanre e origjinalitete të tjera, gjithnjë në kërkim, me një etje të vazhdueshme, siç ndodh me artistët e mëdhenj që gjithnjë kanë etje dhe uri. Eshtë etja për rikrijimin njerëzor. Janë disa portrete të Nënë Terezës në veçanti që më kujtuan duart e vizatuara nga Dürer, ku jeta kishte lënë gjurmë në to. Vizatimi i një dore padyshim që thotë shumçka. Në duart e Nënë Terezës sheh gjurmët e një jete të stuhishme. Profili i saj duket se është një kumt i luftës për jetën. Në të është shpirti i një gruaje në një meditim për njeriun, ekzistencën dhe botën. Njollat e zeza mbi fytyrën e saj, janë gjurmë të një kalvari udhëve të botës, është fytyra e gruas së popullit dhe e një shenjteje njëkohësisht. Eshtë vështirë ti ngjizësh në një këto dy ndjesi të përkushtimit, vuajtjes dhe dashurisë për njeriun dhe botën tokësore. Eshtë portreti i një gruaje, i një nëne të madhe që mbajti në krahë ardhmërinë e botës…
Venecia ndryshe…
Një vizitë në Venecie I ka mjaftuar këtij piktori të na shfaqë diçka magjistrale. Duket që nuk ka parapëlqyer të jape imazhet e shesheve, urave apo peizazhit të rrallë, por ai ka dashur të na futë në një boë tjetër, Venecien mesjetare, e cila fsheh brenda vetes diçka të mistershme dhe mistike nën mjegullën që nderet. Piktori italian, I mbiquajtur Il Caneletto, meqë pikturonte shumë kanalet e këtij qyteti të lashtë dhe jetës së përditëshme ku udhët për banorët ishin thjesht kanalet dhe gondola. Në një seri vizatimesh të Markut mbi Venecien, shohim kompozime mbresëlënëse me varkat që shkojnë dhe ku gjithçka mbart frymën e misterit. Eshtë kjo gjendje që të tërheq njëherësh dhe të mban të gozhduar me shpresë të depërtosh në të dhe të zbulosh se çfarë ndodh në atë botë faustiane. Të ngjan se është ajo botë veneciane që gjetën emigrantët shqiptarë në fillimet e shekullit XVI, në kohën e stradiotëve shqiptarë që do të luftonin nën flamurin e Shën Markut kundër osmanëve dhe e qytetarëve të rij të “Scuola degli albanesi”. Kështu, ky piktor na zbulon një Venecia tjetër, atë që sot nuk mund ta shohim. E tillë ka qenë Venecia dikur, misterioze, një bote enigme ku mjegullat u desh shumë kohë të largoheshin. Piktori di të na kthejë në kohra të largëta.