Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Por ka dicka që mprehtas të kthen vështrimin për ta rimenduar dhe njëherë bollëkun e banorëve të këtyre anëve.


Nga Dr. Monika Stafa

Shumë është folur e shkruar, ndonjëherë edhe me një ngazëllim të habitshëm, se shqiptarët kanë qenë dhe janë populli më i varfër i Europës.

I varfër në toka. Por jo aq në male. Në det, lumenj apo dhe liqene. Ndoshta ky paradoks mes malit dhe tokës për syrin e një të huaji ka qenë një raport që nuk i ka mbushur mendjen fotografit të huaj për të përllogaritur ushqimin bazë fillimisht të një shqiptari. Pasuri dhe mirëqenie nuk mendohej asesi. Lumturia dhe shëndeti që vijnë pas tyre padyshim jo e jo.

Por ka dicka që mprehtas të kthen vështrimin për ta rimenduar dhe njëherë bollëkun e banorëve të këtyre anëve.

Cila është ajo?

Janë veshjet tradicionale shqiptare të cilat dëshmojnë kokëfortë se sa shumë është tepruar me përcaktime të tilla. Ato, në mos përditë, të paktën në çastet më solemne të jetës, i kanë dhënë mundësi njeriut shqiptar të shijojë luksin. Dhe jo vetëm luksin e artizanatit vendas.

Një botim që i kushtohet pranisë së qytetërimit frëng në Shqipëri (Sinani-Bourolleau, La France dans les Archives d’Albanie, Tiranë 2005), duket qartë se zonjat shqiptare, pavarësisht nga gjendja e përgjithshme e zhvillimit të vendit, në vitet 1930 ndiqnin modën e Parisit dhe blinin bizhutë më të reja franceze që u shiteshin po atëherë zonjave frënge në sheshin “Vendôme”.

Regjistrimi i xhubletës në listën e trashëgimisë kulturore botërore të shpallura në mbrojtje të UNESCO-s si një veshje origjinale me lashtësi të kryehershme për njerëzimin përbën një ngjarje kulturore me rëndësi për gjithë shqiptarët.

E bashkë me të, drejt thesarit të trashëgimisë botërore kanë udhëtuar edhe disa pasuri të tjera shqiptare të pandashme prej saj. Areali i kryezonës së ruajtjes së xhubletës; areali i ruajtjes së lahutës, eposi heroik, kanuni, kulla, logu, bjeshkët, malësori si dhe jeta tradicionale.

Por ne duhet të jemi të vetëdijshëm se ka gjithmonë një dallim midis zonës së rrudhur, ku këto pasuri janë ruajtur deri në kohët moderne si trashëgimi e si mjeshtëri. Krahasuar kjo me zonën e përhapjes së kryehershme.

Ndaj është e pashmangshme pyetja, a është xhubleta vërtet një veshje 4 mijë vjecare? Ku fillojnë dhe ku mbarojnë ilirët? Ku fillon dhe ku mbaron historia e xhubletës? Si ndahen këto epoka mes mitizimit nacionalist dhe asaj cka shkenca provon në të vërtetë?

Kur do e kuptojmë këtë marrëzi të shkencës atdhetare?

Xhubleta 4 mijëvjecare?!

Në hapësirën historike-zanafillëse arbërore ndarja në dy makrozona, etnografikisht në toskë e gegë; gjuhësisht në toskërisht e gegnisht; në traditën muzikore në zonën e polifonisë e të homofonisë, ndodhi, sipas shprehjes së Eqrem Çabejt, në shekujt e kapërcyellit, bashkë me kalimin nga ilirët tek shqiptarët (shek. V-VII). Edhe në pikëpamje të tipologjisë së veshjes hapësira historike shqiptare është ndarë në të njëjtën kohë, në dy makrozona: të fustanellës në jug dhe të xhubletës në veri. Hartëzimi tipologjik i veshjeve shqiptare sipas kësaj vendosjeje lehtësohet prej analogjisë bindëse me ndamjen krahinore të popullit shqiptar prej Rrok Zojzit dhe ndamjen krahinore të Kosovës prej Mark Krasniqit, që janë vazhdim i njëra-tjetrës.

Mbështetur në të dhëna e argumente historike e kulturore mund të besohet se dikur fustanella dhe xhubleta takoheshin mbi e nën Shkumbin, pa e penguar njëra-tjetrën për t’u ngjitur më lart apo për të zbritur më poshtë. Deri në mesin e shekullit të kaluar me fustanellë visheshin e fotografoheshin Kryezinjtë e Gjakovës, Hamzë Kazazi i Shkodrës dhe Ahmet Zogu i Matit. Në të njëjtën mënyrë xhubleta, në një formë të stilizuar, zbriste gjer në Berat, madje gjer në Lunxhëri.

Po nga vjen fjala xhubletë?

Nga pikëpamja etimologjike emri i xhubletës është lidhur me fjalën-rrënjë të turqishtes cüppe, me kuptimin fustan, që është huajtur në shqip në disa forma: xhybe, xhubè, xhubletë, me sa duket dhe xhup.

Makrozona e xhubletës nisi të ngushtohej dhe të mbyllej kryesisht në atë areal që franceskanët e quanin Lekni, domethënë prej lumit Mat deri në rrjedhën e Drinit të Bardhë, atëherë kur shqiptarët u gjendën në përbërje të një supershteti krejt të ndryshëm prej qytetërimit të tipologjisë perëndimore, siç ishte ish-perandoria osmane. Kjo është koha kur ngushtohet edhe kryevatra e eposit dhe lahutës, areali i kanunit dhe deri-diku edhe i krishtërimit.

Xhubleta dhe fustanella kanë plotësuar njëra-tjerën dhe të dyja së bashku vetë identitetin shqiptar duke bashkëjetuar së paku prej kohës kur shqiptarët dolën prej burimit ilir. Në përshkrimet dhe imazhet që janë ruajtur për veshjet ilire, duke përfshirë veshjen e Teutës mbretëreshë (në mozaikë, p. sh.), nuk ka xhubletë.

Jo vetëm xhubleta e fustanella, por edhe veshjet e tjera tradicionale shqiptare, si veshja e Hasit, e Gurit të Bardhë, e Mallakastrës apo e Kurveleshit, kanë qenë dhe janë lajmëtare identifikuese për bartësin e vet.

Përveçse si heraldikë kombëtare e krahinore, xhubleta ka identifikuar edhe statusin social të familjes. Sipas disa të dhënave që ruhen në arkivat e trashëgimisë, në arkën e nuses, në ditën e martesës, duhej të kishte, sipas gjendjes shoqërore dhe të pasurisë, tri, shtatë apo nëntë xhubleta secila për një ditë të shenjuar. Numrat nuk janë aspak rastësorë. Ata janë të gjithë numra simpatikë. Kryesisht në krishtërim por edhe në parakrishtërim.

Ngjyrat e xhubletës, stilizimet e saj, dallonin vajzën e fejuar, nusen në ditën e parë të martesës, gruan që sapo është bërë nënë, magjatoren apo baçicën e familjes patriarkale; zonjën që është nisur të dielën për meshë apo për të pagëzuar fëmijën.

Në këtë kuptim, xhubleta u jepte siguri atyre që e bartnin dhe u diktonte marrëdhënie respekti të tjerëve. Qofshin dhe kalimtarë të panjohur.

Vërtet mendojmë ende se kemi qenë kaq të varfër?

Me xhubletën është i lidhur një prej ritualeve më të njohur tradicionalë të viseve veriore shqiptare, festa e logut, e cila është cilësuar herë konkurs bukurie për vajzat, herë si dyluftim artistik i shpatës dhe xhubletës.

Siç kanë vlerësuar studiuesit, xhubleta duhej të ishte jo vetëm e bukur, por edhe funksionale, të mos e pengonte bartësen e vet në punë, në ndêjë, në kcim apo në udhëtim. Prandaj meritojnë nderim jo vetëm mjeshtret që e ruajtën zejen e xhubletës, por edhe gratë e vajzat e hijshme që e kanë bartur.

Është interesante të vërehet se edhe leksiku që lidhet me punimin e xhubletës është shumë i hershëm dhe ka disa përkime aspak rastësore me arbërishten e sotme. Këto janë shenja të hershmërisë relative të xhubletës, që na çojnë në periudhën parashqiptare dhe na japin mundësi të veçojmë periudhën paraosmane.

Ndja e theksojmë sa i takon hershmërisë absolute, në çdo rast duhet të mbahet në konsideratë koha kur u shfaqën ilirët si popullsi banuese e qendrueshme në hapësirën subdanubiane e në anën tjetër të Adriatikut, si kufi pagabueshmërie.

Veshja tradicionale shqiptare i ngjan një palimpsesti, ku epokat historike kanë fshehur gjurmën e tyre të pashlyeshme njëra pas tjetrës. Kjo është arsyeja që, aty ku syri i zakonshëm i njeriut sheh një larmi të pafundme veshjesh, abstraksioni i specialistit zbulon afri deri në përputhje të tipeve të tyre.

Në këto veshje, ashtu si në rastin e xhubletës, gjenden shenja të kulteve pagane, si dielli dhe yjet; shenja të totemeve të të parëve, si gjarpëri; shenja të krishtërimit të hershëm, si peshku; shenja të krishtërimit të fshehtë ose të rifshehur prej fillimit të periudhës osmane e këndej, si kryqi i stilizuar dhe simbole të tjera, që ngjajnë shpesh si monograme të kodifikuara me një mjeshtëri të rrallë.

Në veshjet tradicionale shqiptare, sidomos në ato veshje që arkeo-etnologjia provon një vijimësi prej antikitetit apo kohëve të mëvonshme çdo vijë, çdo dekoracion, çdo simbol, çdo ngjyresë që syrit të zakonshëm njerëzor mund t’i ngjajë si një e njohur e rëndomtë, syrit të studiuesit i informon procese shumëshekullore evolucioni. Në këtë proces veshjet shqiptare kanë ruajtur etnicitetin e tyre, duke lejuar, megjithatë, që njeriu të shprehë individualitetin e tij në shije dhe në ngjyra.

Nuk është e rastit që studiueset albanologe L. Conti e O. Marquet shenjojnë një spirito reale, një frymë aristokratike dhe vetëdije mbretërore në veshjet e shqiptarëve mërgimtarë në Itali në periudhën e fundit të mesjetës (Spirito reale nei costumi della donna arbëreshe, Puglia 1988). Ky konstatim merr vlerë duke e vendosur në kontekstin e kohërave moderne.

Me plotësimin hap pas hapi të gjithë hapësirës shqiptare me enciklopedinë e kostumeve ndoshta do të lindë vërtet nevoja edhe për një fjalor gjuhësor-etnografik të përshkrimit të veshjeve. Jo vetëm çdo veshje e çdo kind, por gjithashtu çdo pjesë e tyre, çdo cep e qepje, çdo anë palë, kanë emrat e tyre të përveçëm, thuajse krejt të pavlerësuar gjuhësisht e etnografikisht.

Mendoni sa bukur do të jetë!

Dhe katër mijë vjetët të shndërrohen në përrallë

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…