Fitimi i tregut të sigurimeve arriti në 6.3 milionë euro në tremujorin e parë
Rritja e fitimeve në vlerë u reflektua në treguesit e rentabilitetit.
Fitimi i tregut të sigurimeve vazhdoi rritjen me ritme të larta edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), kompanitë e sigurimeve raportuan një fitim neto prej 677 milionë lekësh (6.3 milionë euro), në rritje me 147% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e fitimeve në vlerë u reflektua në treguesit e rentabilitetit. Sipas AMF, raporti i normës së fitimit të kapitalit u rrit në 4.69%, nga 2.08% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa raporti i normës së fitimit të aseteve u rrit në 1.53%, nga 0.67% që kishte qenë për tremujorin I 2022.
Fitimet u rritën paralelisht si në tregun e sigurimeve të Jo-Jetës, ashtu edhe në atë të Jetës. Kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës për tremujorin e parë arritën një fitim neto në vlerën e 575 milionë lekëve, në rritje me 126% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e fitimit i detyrohet kryesisht zgjerimit së rezultatit teknik ose rezultatit të lidhur direkt me aktivitetin sigurues. Ky rezultat për tremujorin arriti në 621 milionë lekë ose rreth 2.8 herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Faktori me ndikimin kryesor ishte rritja e primeve të fituara neto.
Nga ana tjetër, shpenzimet neto për dëme dhe shpenzimet operative të veprimtarisë së kompanive ishin në nivele të përafërta me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Kjo ka bërë që rritja e primeve të fituara neto të shkojë në masën dërrmuese për përmirësimin e rezultatit teknik dhe në rritjen e fitimit neto të kompanive të sigurimit të Jo-Jetës.
Rritje edhe më të lartë të fitimeve realizoi tregu i sigurimit të Jetës. Sipas AMF, për tremujorin i fitimi neto i kompanive të sigurimit të Jetës arriti në 102 milionë lekë, pesë herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe për kompanitë e sigurimit të Jetës, rritja e fitimeve erdhi kryesisht nga përmirësimi i rezultatit teknik. Ky rezultat arriti vlerën e 134 milionë lekëve rreth 7.4 herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e rezultatit teknik u përcaktua në masën më të madhe nga zgjerimi i primeve të fituara neto me 34%, por edhe nga rënia me 33% e dëmeve të paguara neto.
Rezultati i tremujorit të parë po ndjek fitimet rekord të raportuara nga tregu i sigurimeve për vitin 2022. Sipas të dhënave nga AMF, rezulati financiar neto i tregut arriti vlerën e 1.63 miliardë lekëve ose 14.3 milionë eurove, në rritje me 171% krahasuar me një vit më parë.
Prej vitit të kaluar, kompanitë e sigurimit janë shprehur se rritja e inflacionit ka shtuar kostot e pagesës së dëmeve dhe shpenzimet për personelin, duke argumentuar nevojën për rishikimin në rritje të primeve. Megjithatë, në fakt shifrat tregojnë se rezultati i tyre financiar nuk është ndikuar negativisht nga këto zhvillime, madje fitimet për vitin e kaluar dhe tremujorin e parë të këtij viti kanë arritur nivele rekord. /E.Shehu