Tregtia “e lirë”, tregtia e “drejtë” – dhe tregtia “si më leverdis mua”

Tregtia ndërkombëtare është një motor i rëndësishëm i rritjes së ekonomisë globale, dhe rregullat botërore të tregtisë ofrojnë siguri dhe stabilitet.


Nga Dr. Marsela Musabelliu

Tregtia ndërkombëtare është një motor i rëndësishëm i rritjes së ekonomisë globale, dhe rregullat botërore të tregtisë ofrojnë siguri dhe stabilitet. Rregullatori më i madh i kësaj fushe në rang botëror është Organizata Botërore e Tregtisë (OBT). OBT-ja operon si arbitër dhe si menaxhues negociatash, marrëveshjesh e mosmarrëveshjesh midis vendeve dhe në thelbin e saj, është gurthemeli normativ i globalizimit ekonomik dhe tregtisë së lirë. Ajo ka krijuar një grup rregullash të tregtisë ndërkombëtare nëpërmjet marrëveshjeve të ndryshme, të cilat qartësojnë të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve të saj, si dhe mbikëqyrin formulimin dhe zbatimin e politikave tregtare të anëtarëve.

Kina para hyrjes në OBT (tregtia e lirë)

Në rrjedhën e viteve 1980 dhe 1990 Kina u shfaq si një lojtar kryesor në globalizim; mjafton të mendojmë se asnjë vend tjetër nuk e ka zgjeruar ndonjëherë rolin e vet tregtar kaq shpejt në histori dhe kuptohet shkalla dhe rëndësia e situatës. Në këto dekada, tregtia e saj e jashtme u rrit jashtëzakonisht, nga rreth 20 miliardë dollarë në fund të viteve 1970, shkoi në 475 miliardë dollarë në vitin 2000. Njëkohësisht Kina tërhoqi sasi rekord të investimeve të huaja direkte (IHD). Edhe me të gjitha sa më sipër, Kina mbeti në disa aspekte, e integruar vetëm në mënyrë të cekët në ekonominë botërore pasi tarifat e larta dhe një sërë pengesash jotarifore nënkuptonin që disa sektorë kritikë të ekonomisë kineze ishin relativisht të izoluar nga konkurrenca ndërkombëtare. Hyrja në OBT do të hiqte shumë barriera jo vetëm për Kinën por edhe për vendet partnere.


CFP

Megjithatë, historia e Kinës në tregtinë globale filloi shumë më herët se hyrja e saj në OBT. Që në momentin që në Kinë filloi reforma dhe hapja në vitin 1978, Kina zhvilloi lidhje të ngushta me pjesën tjetër të botës. Në vitin 1986, Kina aplikoi zyrtarisht për pranim në Marrëveshjen e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë (GATT), që ka qenë paraardhësi i OBT-së. Që nga viti 1994, Kina rishikoi shumë rregulla dhe ligje kombëtare, duke përfshirë uljen e tarifave të importit. Në vitin 1995 GATT transformohet në OBT dhe Kina kërkoi zyrtarisht të aderojë, ndërkohë që mbante statusin “observues”. Më 11 dhjetor 2001, Kina u bë zyrtarisht anëtarja e 143-të e OBT-së. U deshën 15 vite negociata dhe bisedime me vende të ndryshme të botës për të arritur në anëtarësim.

Që nga aplikimi deri në aprovim, vendet e tjera sidomos ato të zhvilluara kërkonin me këmbëngulje të madhe vetëm një gjë nga Kina “tregti të lirë”. Por, rruga e reformave të Kinës kishte ritmin dhe hapin e saj, me atë përkujdesje ndaj çdo detaji që i karakterizon në aspektin profesional, politikëbërësit por edhe sipërmarrësit kinezë janë ulur me vite të tëra të shqyrtojnë si do të bëhej kjo hapje graduale me pjesën tjetër të botës në terma tregtarë. Më shumë nga të gjithë, thirrje për “tregti të lirë” bënin ShBA-të, duke kuptuar potencialin e tregut kinez, bazën prodhuese dhe koston e ulët të krahut të punës, leverdia për ta do ishte maksimale. Shumë shpejt këtë praktikë ndoqën edhe vendet e Bashkimit Evropian, me thirrje politike, delegacione ekonomike, platforma biznesi, e shumë të tjera, i bënin thirrje Kinës për “tregti të lirë”. Në Kinë e pranonin se OBT-ja ishte një shtyllë e rëndësishme e qeverisjes ekonomike globale, që nga fillimi i saj dhe ishin të gatshëm dhe të vullnetshëm të merrnin pjesë duke analizuar mirë kushtet dhe përgjegjësitë që organizata mbart.


CFP

Kina në OBT (tregtia e drejtë)

Që nga viti 2001 kur filloi shkëmbimi intensiv tregtar angazhimet e Kinës për aksesin në treg ishin shumë më të mëdha se ato që rregulluan pranimin e vendeve në fillimin e viteve 90-të. Si kusht për anëtarësim, Kinës iu kërkua të merrte angazhime protokollare që tejkalojnë ndjeshëm ato të bëra nga çdo anëtar tjetër i Organizatës Botërore të Tregtisë.

Një profesor amerikan nga Instituti Brookings, Nicholas Lardy, që në vitin 2001 ka shkruar se Shtetet e Bashkuara kanë për të fituar shumë nga reformat e mëtejshme ekonomike të Kinës dhe integrimin e saj në ekonomisë globale. Është e qartë – shprehte Lardy – se hyrja e Kinës në OBT u shërben interesave ekonomike të ShBA-së. Angazhimi i Kinës për të liberalizuar kushtet sipas të cilave firmat e huaja mund të investojnë në telekomunikacion, shpërndarje dhe shërbime financiare, etj., krijon mundësi të mëdha pasi këto janë fusha në të cilat firmat amerikane janë shumë konkurruese në një bazë globale. Kina në vitet 1990 ishte tashmë tregu i madh i huaj me rritje më të shpejtë për mallrat dhe shërbimet e ShBA-së. Pritej që nga fillimi se angazhimet e Kinës në OBT, do të rrisnin aksesin e firmave amerikane në këtë treg dhe do të hapnin perspektivën që marrëdhëniet tregtare dypalëshe të mbeteshin të fuqishme. Dhe në fakt kështu ndodhi, firmat amerikane dhe evropiane u dyndën në Kinë, duke arritur marzhe fitimi marramendëse, por siç dihet për pronarët, drejtorët dhe menaxherët e kompanive ndërkombëtare fitimet nuk janë kurrë mjaftueshëm. Dhe nga ana tjetër filloi shënjeshtrimi i Kinës për pronësi intelektuale, praktika të padrejta, përfitime kombëtare etj.


CFP

Kriza financiare e vitit 2008 i përkeqësoi këto akuza, sa më shumë bizneset shkonin në Kinë, aq më shumë narrativa acarohej. Tregti e drejtë, këtë kërkonin ShBA-të specifikisht, por edhe disa vende të zhvilluara në BE. Problemi është se atë drejtësi po e shikonin me një sens superioriteti dhe për më tëper me praktika gati prepotente ndaj vendit ku po investonin dhe fitonin.

Tregtia “si më leverdis mua”

Me ardhjen e Trump si president në ShBA, nga ana tregtare shumë gjëra u shkundën në themel, edhe ajo parulla “tregti e lirë” u la mënjanë. Në këtë kohë Organizata Botërore e Tregtisë u përball me krizën e saj më të madhe që prej themelimit. Shënjeshtrimi i Kinës nga Trump u bë fakt global, dhe “lufta tregtare” me Kinën u bë lajtmotivi i administratës së tij. Por, OBT-ja shpalli se “lufta tregtare e administratës Trump është e paligjshme”. Tarifat amerikane të vendosura për më shumë se 200 miliardë dollarë në mallra kineze thyen rregullat e tregtimit, pasi ato zbatoheshin vetëm për Kinën dhe ishin mbi normat maksimale, të rënë dakord nga ShBA-të. Dhe çfarë u bë kur gjyqi i OBT-së nuk shkoi në favor të ShBA-së – u ndërruan gjyqtarët. Në vitin 2019, i OBT-ja bllokohet totalisht pasi Uashingtoni ndaloi emërimin e gjyqtarëve të rinj në panelin e apelit. Tani kemi frikë se tregtia botërore po përballet me “ligjin e xhunglës”, u shpreh asokohe një analist gjerman.


CFP

Por administrata Trump nuk është e vetmja që vazhdon në këtë linjë. Në fillim gushti 2023, pas javësh bujë dhe spekulimesh mediatike, presidenti Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të ndaluar investimet e reja amerikane në industritë kyçe të teknologjisë në Kinë. Urdhri do t’i ndalojë firmat amerikane të investojnë në projekte kineze në gjysmëpërçues dhe mikroelektronikë, kompjuterë kuantikë dhe aplikacione të caktuara të inteligjencës artificiale. Në një deklaratë, Departamenti Amerikan i Thesarit këmbënguli se masa është një “veprim i synuar për të mbrojtur sigurinë kombëtare” por edhe se ShBA-ja ruan “angazhimin e saj afatgjatë për investime të hapura”.

Një ditë më pas këtij urdhri të Biden, Kina kritikoi ashpër masën e qeverisë amerikane për të ndaluar investimet e reja amerikane në industritë kryesore të teknologjisë në Kinë, duke e quajtur një tjetër përpjekje politike në fushatën e Uashingtonit kundër Kinës.

Ministria e Tregtisë së Kinës kritikoi ShBA-në për kërkimin e “shkëputjes” së investimeve dypalëshe nën maskën e “ç’rrezikimit”, gjë që shkel seriozisht parimet e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së ndershme që ShBA ka shpallur gjithmonë. “Kina është seriozisht e shqetësuar për këtë dhe rezervon të drejtën për të marrë masa”, tha Ministria.

Më tej Ministria lëshoi një raport mbi pajtueshmërinë e ShBA-së kundrejt OBT-së. Raporti shqyrtoi performancën e ShBA-së në ndjekjen e rregullave të OBT-së dhe shprehu shqetësime për masat e politikës së aplikuar që minojnë rregullat e tregtisë shumëpalëshe, vendosin sanksione të njëanshme, manipulojnë standardet e dyfishta në politikat industriale dhe shqetësojnë zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit.

Shqetësimet e raportit ishin ndarë në 11 fusha, duke përfshirë barrierat tarifore dhe jotarifore, subvencionet industriale, subvencionet bujqësore, mjetet juridike tregtare, standardet dhe rregulloret teknike, tregtinë e shërbimeve dhe të drejtat e pronësisë intelektuale. Në këtë raport, Kina shprehu shqetësime për masat e politikës së ShBA-së që minojnë sistemin tregtar shumëpalësh, manipulojnë me standardet e dyfishta në politikat industriale dhe prishin zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit. ShBA-ja, si ekonomia më e madhe në botë, themeluesi kryesor dhe përfituesi i rëndësishëm i sistemit tregtar shumëpalësh, duhet të respektojë rregullat dhe të përmbushë angazhimet e saj, thuhet në raport.

Së fundmi, zbatimi në mënyrë selektive i vendimeve të OBT-së është fakt prej kohësh, por shfrytëzimi i pozicionit dominues në rang global nuk mund të shitet si aplikim i vlerave ose shqetësim i sigurisë kombëtare, kur në fakt janë vetëm transaksione dhe fitime. Është interesante të dihet ku ishin këto “vlera” dhe “shqetësime” kur fitimet ishin marramendëse dhe Kina nuk kishte marrë ende termin konkurrent. Kur u kalua nga termi “konkurrent” në termin “rival” atëherë edhe rregullat e lojës u ndryshuan sipas rastit.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…