39 vjet më parë, Franz Josef Strauss vizitonte Shqipërinë komuniste
Më 18 gusht 1984, kryeministri i landit të Bavarisë, Franz Josef Strauss, vizitoi Shqipërinë komuniste.
Më 18 gusht 1984, kryeministri i landit të Bavarisë, Franz Josef Strauss, vizitoi Shqipërinë komuniste.
Ishte i pari funksionar perëndimor që ndërmori një hap të tillë, duke thyer akullin disavjeçar të sistemit të vetëizoluar monopartiak. Strauss-i ishte figurë e njohur për kohën, jo vetëm si Kryeministër i Bavarisë dhe kryetar i Unionit Kristiandemokrat, por edhe si ideues i shpirtit të biznesit në sipërmarrjet e tij për krijimin e linjës evropiane “Airbus”. Ai do të ishte ideatori për vendosjen e marrëdhënieve mes RFGJ-së dhe Shqipërisë rreth një vit para largimit, për shkak të vdekjes, të Hoxhës nga drejtimi i shtetit shqiptar.
Vizita e kryeministrit Strauss u paraqit thjesht si e natyrës private, ku Shqipëria ishte rrugë kalimi nga Jugosllavia për në Greqi. Madje, Strauss-it iu desh të zgjaste me një ditë qëndrimin e tij në Shqipëri, për t’u takuar me një prej funksionarëve të shtetit shqiptar. I vetmi përfaqësues zyrtar shtetëror që e priti nga pala shqiptare ishte zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, Manush Myftiu. Strauss-i do ta vizitonte Shqipërinë edhe dy herë të tjera, në maj 1986 dhe në nëntor 1987, kur u prit në Pallatin e Brigadave prej presidentit shqiptar të kohës, Ramiz Alisë.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell foto dhe fragmente nga biseda mes Myftiut dhe Strauss-it gjatë pritjes që u krye më 18 gusht 1984.