Humbën gjatë natës në Karaburun, Policia iu vjen në ndihmë dy turistëve francezë
Shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum iu erdhën në ndihmë dy turistëve francezë
Shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum iu erdhën në ndihmë dy turistëve francezë të cilët humbën orientimin gjatë natës në një terren të thepisur në zonën e quajtur “Qafa e Thellë” në Karaburun.
Pas marrjes së njoftimit se dy turistë francezë kishin mbetur të bllokuar në zonën e quajtur “Qafa e Thellë”, shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum, të asistuar nga inspektorë të zonave të mbrojtura, kanë organizuar punën për t’u shkuar në ndihmë turistëve.
Pas katër orësh kërkime u bë i mundur lokalizimi i dy turistëve francezë, të cilët fillimisht janë asistuar me ujë dhe me ushqim, dhe më pas janë shoqëruar nga punonjësit e Policisë, deri te vendi ku ishin akomoduar për qëllime turistike.
Dy turistët francezë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë falënderuar punonjësit e Policisë për gatishmërinë e treguar.
Policia e Shtetit fton çdo qytetar apo turist që gjendet në një nevojë që lidhet me detyrat funksionale të Policisë, të kërkojë ndihmë, ndërsa siguroi se reagimi do të jetë i menjëhershëm./