Odise Kote shkruan natën në rërë

Poezia “Shkrime nate në rërë” është nga ato poezi që shkruhen vetëm në breg të detit, në një mbrëmje vere.


Nga Timo Mërkuri

Poezia “Shkrime nate në rërë” është nga ato poezi që shkruhen vetëm në breg të detit, në një mbrëmje vere ku poeti përfshihet në një lloj vuajtjeje e trishtim të ëmbël për një kujtim dashurie, pa qënë ndoshta i ndërgjegjshëm se në këtë mënyrë nis dhe eksploron temën e humbjes (së një dashurie vere), shpresës dhe kërkimit të identitetit në një kontekst ku koha, pritja dhe ndryshimi janë elemente të rëndësishme. Poeti Kote e ka ndërtuar poezinë me një strukturë të qartë dhe imazhe të ngjarjeve e emocioneve të përjetuara, që e bëjnë atë të bukur ( ka vallë dashuri që të mos jetë e bukur) dhe të ndjeshme për lexuesin, e pse jo edhe aktuale: Vera është stina ku në plazhe dashuritë vijnë dhe ikin si valë deti, duke lënë përkohësisht lagështinë e tyre mbi rërën e bregut dhe sytë e adoloshentëve. Sigurisht që unë e ndjej se kjo poezi është shkruar një mbrëmje vere në plazhet e qytetit tim, ndryshe ska si shpjegohet që më është kaq e afërt.

Poezia e Kotes ka sipër një tis mjegulle ku përthyhet drita e hënës në shtatë ngjyra, duke i dhënë çdo strofe një ngjyrë më vete, të cilat së bashku formojnë një ylber, si një urë mbi të cilën kalon dhimbja dhe melankolia “duke vrapuar si një shpirt harabeli” për të ardhur te e sotmja, por ndjejmë që nëpër ylberë vetëm ëndrrat mund vrapojnë dhe ato humbasin diku, pa arritur në një destinacion real ku të mund t’i takojmë. Është e rrezikëshme vera në plazh, shpesh na le të plagosur me ca plumba shikimesh që na vijnë pa krisma, na godasin e na mbeten në shpirt e në zemër dhe ska kirurgji a terapi të na shërojë. Më e shumta qetësohesh duke shkruar si Odise Kote netëve në rërë ca fjalë pranë një emri, që e mban të fshehur si thesar në shpirt bashkë me dhimbjen që ai mbart.
Është e rrezikëshme vera në plazh, të le me plagë në shpirt, por çuditërisht këto plagë kanë një dhimbje të ëmbël, që duam ta kemi gjithmon e të mos na fashitet kurrë.
Janë të rrezikëshme mbrëmjet e verës në rërën e palzhit, pse çdo kokrrizë rëre që të hyn mes gishtave të ndriçon në kujtime si një yll që duket se diçka do të të thotë me sinjale drite, por nga që janë shumë, sgjejnë rradhë të flasin ndaj nga marazi gremisen nga shkrepat e reve e bien diku në det, ku shpirti i tyre shndrohet në kandil deti. Unë ju kam thënë se dhe yjet hidhen nga shkrepat qiellore, si dikur vajzat nga bedenat e kështjellave.

I-Poezia “Shkrime nate në rërë” e poetit Kote është një poezi e ngrohtë, që ngjason me një plagë që ke dëshirë ta fërkosh me mollëzat e gishtit lehtë lehtë, thua se do ta shërosh. Është një poezi me një dukje të thjeshtë, të cilat vetëm penat e sprovu ara i krijojnë, ashtu si Pikaso që me një vijëzim lapsi mbi letër krijonte kryeveprat pëllumbore të tij.

E lexon dhe të duket se ecën në ranishte, paralel me vijën bregdetare ku valët përpiqen të të afrohen dhe diçka të të thonë por largohen kur të shohin lagështirën e një kujtimi në sy, pse aty afër dikur ka qe silueta e një Afërdite shtrirë mbi rërë, po: “erdhi batica dhe fshiu gjithçka” duke lënë një lagështirë në rërë e në shpirt.

Është vërtet një poezi e thjeshtë, ku ndjen se çdo varg të depërton në shpirt e të trazon ndjenjat. Përkundër natyrës së Odise Kotes, te kjo poezi, metaforat ngjajnë si gurë deti të lëmuar nga valët, që të tërheqin vëmëndjen me ngjyrat e format e ndryshme të tyre, të bëjnë kureshtar, ndaj i merr në dorë për ti soditur. Pranë tyre, imazhet si guacka që reflektojnë dritën e hënës me sipërfaqen e tyre të brendëshme, të lëmuar deri në shkëlqim ku kupton se dhe ato, dikur kanë patur një jetë të tyre.

Te kjo poezi, strofat vijnë si valë deti mbi ranishte duke sjellur në çastet e tyre vezullime drite në kënde të ndryshme shikimi. A janë vezullime dritë hëne, a janë vezullime dritë ëndrrash, kjo është tjetër gjë, por e përbashkëta është se ky vezullim drite valëzohet gjersa mbrin te rëra e bregut, ku ndriçmi çuditërisht mer një ftohtësi ranore, sikur do të thotë se nuk i përket këtij ambienti. Dhe: “Unë mbeta i vetëm, /duke mbajtur të fshehur dhimbjen, /si një thesar të groposur”. Gjithsesi në jetën tonë e krijuam një thesar, pa çka se të groposur në…kujtesë.

II- Te kjo poezi rrezëllin metafora: “kërkimi i provës së zjarrit” që përshkruan sfidën dhe përpjekjet e përhershme të kërkimit të pafund, duke na vënë në lëvizje kohore fantazinë, “vrapi këmbëzbathur mbi driza” shpalos imazhin e një rendje djaloshare për të kapërcyer pengesat në rrugëtimin për të dashuria, thua se është në një lodër fëmijërie,”shpirtin harabel, / që nuk ngopej me frymë” flet për një ndjenjë të thellë të përkushtimit dhe përpjekjeve të pashuara, duke e paraqitur me bukurinë e një harabeli.
Imazhet ndrijnë si:”flakë që digjnin e shkrumbonin” duke na shfaqur një pasion të fuqishëm si një ngjarje reale, duke shfaqur ndikimin e ndryshimit të gjithçkaje, imazhi i fëmijës që “gjuante me llastika” na shfaq një situatë të përpjekjeve si dhe kërkesën për të kapërcyer kufijtë e një moshe.

Plot dritësim janë dhe simbolet si: “hëna që ndoshta e ruan në memorie” apo për “poça elektriku”, por sot unë dua të tregoj diçka tjetër. Du tju them se poeti Kote përdor suksesëshëm atë që mund ta quajmë: Rrëfimi i Ngjarjeve, ku përdorimi i ndodhive specifike dhe pamjeve përshkruan ngjarjet dhe emocionet në mënyrë të thellë dhe të qartë, duke e bërë poezinë më përfundimtare dhe të imagjinueshme. Kjo është jo vetëm e veçanta e kësaj poezie, por edhe e poezisë shqipe në tërësi. Shumë veprime çfaqen në vargjet e poezisë, shumë të tjera nënkuptohen midis vargjeve, disa prej tyre janë të së tashmes, disa i përkasin të shkuarës dhe të tjerat do ndodhin në të ardhmen, por që çuditërisht qëndrojnë natyrshëm në një poezi. Ëshët njësoj sikur një njeri i djeshëm dhe një tjetër i nesërm të gjënden në një shtëpi me njeriun e sotëm dhe çuditërisht, bashkëbisedimi mes tyre të jetë në harmoni të plotë.
Duke e parë në këtë kontekst arrijmë në përfundimin se poezia “Shkrime natë në rërë” është një kundërshtim emocional ndaj ndjesive të vetmisë, të braktisjes, të izolimit, kërkimit të identitetit dhe ndjenjave të humbjes. Përmes këtij rrëfimi të ngjarjeve, autori përshkruan një udhëtim të brendshëm të ndjenjave dhe paralelisht shpalos ndjenjat dhe mendimet e tij në mënyrë të thellë dhe emocionale, duke na shfaqur një vizion të bukur për jetën. Dhe ai trishtim që duket në vargje është në fakt një tis i hollë mjegulle që vjen nga mbrëmja e djeshme dhe len mbi vargje një vesë, që shkrin në dritën e agimit.

III-Më dëgjoni pak, te kjo poezi shfaqen veçori psikologjike dhe filozofike që ndikojnë në interpretimin dhe ndjenjat që i transmeton lexuesit. Ajo shpalos thelbin e ndjenjave dhe kohës nëpërmjet vargjeve dhe imazheve të ngjarjeve të thella. Pavarësisht ëmbëlsisë së saj, tiparet psikologjike dhe filozofike janë të dukëshme dhe të ndjeshme, si gurët nën rërë që i ndjen kur ecën shpenguar.

Në veçoritë Psikologjike mund të dallojmë:

Njëndjeshmëri dhe Ndjenja e Vonesës: Poezia shpreh ndjenjën e vonesës dhe kohëzgja-tjes, ndodhur përmes përshkrimeve të kërkimit të pafund dhe ndjekjes së një premtimi që nuk vjen: “Në një pjesë të shkrimeve nuk ishte as ti, /por një premtim se një ditë do të vije”. Ky element shkakton ndjenja të pakënaqësisë dhe zhgënjimit, që mund të lidhen me ndjenjat e njerëzve përballë pritjes së gjatë dhe pasigurisë.
Ndjenja e Humbjes dhe Vetmisë: Poezia përshkruan ndjenjën e humbjes së premtimit dhe ndarjes nga diçka e rëndësishme, si dhe vetminë e përkohëshme që vjen si pasojë e saj: “Unë mbeta i vetëm, /duke mbajtur të fshehur dhimbjen, /si një thesar të groposur…”. Është e çuditëshme, kjo vetmi, braktisje apo çfarëdo që është, nuk është dëshpëruese, ajo më shumë se plagë që dhemb është një kujtim që ëmbëlson. Të gjitha dashuritë e humbura lënë pas hoje kujtimesh të çasteve të tyre.

Veçoritë Filozofike:

Koha dhe Ndryshimi: Poezia shpreh një ndjenjë të kohës së përjetshme dhe ndryshimit të përhershëm. Kjo temë filozofike theksohet përmes imazheve të kërkimit të pafund dhe përpjekjeve për të kapërcyer vështirësitë dhe kufijtë.

Identiteti dhe Kuptimi i Jetës: Autori flet për përpjekjen për të kuptuar jetën dhe identitetin e vet, si dhe për t’u lidhur me kuptimin e gjërave. Kjo ndihmon lexuesin të reflektojë mbi pyetje filozofike mbi qëllimin dhe rrugën e jetës. Autori Kote sjell në këtë mënyrë të gjallë përjetimet e një adoloshence të zjarrtë e të vrullëshme dhe të pafajëshme në çiltërsinë e saj.

Disa Vargje që shprehin këto tipare dhe cilësi:

“Ato nisnin të gjitha me kërkimin / e provës së zjarrit, / tek vrapi këmbëzbathur mbi driza / dhe gjuhët e flakës që digjnin e shkrumbonin.” ku poeti shpreh kërkimin e pafund për provën e zjarrit, ku termi “prova e zjarrit” është një ndërthurrje metaforike që shërben si mënyrë për të paraqitur sfidat, sakrificat dhe përpjekjet që subjekti poetik ka përjetuar, ndërsa imazhi i “flakës që digjnin e shkrumbonin” tregon një ndjenjë të ndryshimit dhe përpjekjeve për të kuptuar përvojën, ku zjarri është një simbol i energjisë, pasionit dhe intensitetit të jetës ndërsa shkrumbimi është një imazh i shkatërrimit dhe ndryshimit që mund të shoqërojë përpjekjet e fuqishme dhe përbaljet me sfidat. Kjo mund të tregojë për jetën e vështirë dhe shkatërruese që subjekti poetik ka përjetuar në përpjekjen për të arritur një qëllim të caktuar.

“Donin fëmijën harakat që gjuante me llastika, / gjithë bestytnitë e fisit e gjinisë, / varur nëpër pemë, / si poça elektriku.”

Këto imazhe poetike shfaqin pasigurinë, papjekurinë dhe përpjekjet e paefektshme të një periudhe të hershme në jetën e subjektit poetik. Fëmija që “gjuan me llastika” tregon për një ndjenjë të papjekurisë dhe të paaftësisë për të përballuar sfidat, ndërsa “varja nëpër pemë” paraqe ndjenjën e trashëgimisë pagane të fisit, bir i të cilit është.

“Vrapoje sikur diku doje të mbërrije, / me shpirtin harabel, / që nuk ngopej me frymë.” është varg që shpreh ndjenjën e përgjatë dhe të pafund të kërkimit, si dhe ndjenjën e një shpirti të pashuar dhe të ndezur për të arritur ndërsa vargjet: “Hëna që ndoshta e ruan në memorie, / kapërceu oqeanin, / iku në një tjetër kontinent.” tregon ndryshimin dhe ndarjen nga një realitet i njohur (adoloshenca), dhe simbolizon lëvizjen nga një vend në tjetrin (pjekuri-në e njeriut).

Mos u habisni: dashuria, sidomos një dashuri e humbur (plazhi në verë) plazhi në verë veçse poet, të bën edhe filozof e psikolog. Pyeteni Odise Koten pasi ta lexoni këtë poezi të tij.

Sarandë, më 20 gusht 2023

Odise Kote
Shkrime nate në rërë …

Ato nisnin të gjitha me kërkimin
e provës së zjarrit,
tek vrapi këmbëzbathur mbi driza
dhe gjuhët e flakës që digjnin e shkrumbonin.

Donin fëmijën harakat që gjuante me llastika,
gjithë bestytnitë e fisit e gjinisë,
varur nëpër pemë,
si poça elektriku.

Vrapoje sikur diku doje të mbërrije,
me shpirtin harabel,
që nuk ngopej me frymë.

Në një pjesë të shkrimeve nuk ishte as ti,
por një premtim se një ditë do të vije.

Kështu deri në ag,
kur erdhi batica dhe fshiu gjithçka,
pa lënë asnjë kopje të vetme.

Hëna që ndoshta e ruan në memorie,
kapërceu oqeanin,
iku në një tjetër kontinet.

Unë mbeta i vetëm,
duke mbajtur të fshehur dhimbjen,
si një thesar të groposur…

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…