Libri “Jeta në pjatancë” i Vangjel Sakos, një buqetë tregimesh i një vëzhguesi të mprehtë

Tregimet e tij janë një shembull i shkëlqyer i rritjes si njeri dhe si mendim duke u zhveshur nga ideologjitë e ngurta


Nga Laureta Petoshati

“Jeta në pjatancë” titullohet vëllimi me tregime i autorit Vangjel Sako. Është me të vërtetë një vëllim që dallohet menjëherë nga stili dhe nga përmbajtja tejet unike. Është një botë që të duket se e njeh, apo sikur je brenda saj.

Autori nuk e shpik atë botë, për të cilën shkruan, sepse ajo është aty brenda kujtimeve të tij. Ai na e jep atë si “Jetë në pjatancë”, siç thotë dhe titulli dhe e nxjerr nga kujtesa me dritëhijet e veta, me këndvështrimin e tij, me psikologjinë e tij dhe të kohës së vet. Ai, pothuajse në çdo tregim, i heq kufijtë e imagjinares me realen duke sjellë një botë krejt të vetën me një dikotimi të theksuar psikologjike: cila nga botët anon më shumë në rrëfim, imagjinarja apo realja?

Madje ka një tregim të titulluar “Ne e donim atdheun…”, ku bashkohen disa kufij bashkë: kufiri me të cilin ndahet atdheu, kufiri me të cilin ndahet bota e brendshme dhe e jashtme e një ushtaraku, etj. Por në tregim kufiri real dhe psikologjik nuk janë më. Bashkohen e pështjellohen duke rrjedhur në një çezmë të vetme: në atë mendore të autorit. Kur e lexon këtë tregim të vjen në mendje shkrimtari dhe kritiku letrar ruso – amerikan Vladimir Nabokov, i cili në librin studimor ” Mësime mbi letërsinë”, shkruan:

“Ajo mjegull është një mal, dhe ai mal duhet të zotërohet. Sipër në pjerrësi të lakuar ngjitet mjeshtri artist, dhe në majë, në një kreshtë me erë, kë mendoni se takon? Lexuesin gulçues dhe të lumtur, dhe aty përqafohen vetvetiu dhe janë të lidhur përgjithmonë nëse libri zgjat përgjithmonë.” Pra dhe autori Vangjel Sako, pavarësisht se në kohën reale nuk takoi askënd tek ajo çezmë, tashmë, ai atje takon ne, lexuesit e tij që të etur duam të dimë më shumë.

Ndërsa tregimi “Sekretarka” ka një harmoni mendore mes asaj që përshkruan autori Sako dhe lexuesit, gjë që rrit kënaqësinë e leximit. Këtë kënaqësi lexuesi e gjen në të njëzet tregimet, të cilat janë të punuara me pasion dhe durim. Pasionin për të treguar autori Vangjel Sako e ka nga profesioni i gazetarit, ndërsa durimin për tu treguar i kujdesshëm në përshkrim e ka nga disiplina ushtarake. Ajo që bën ndryshimin midis autorit si gazetar dhe rrëfimtar është përshkrimi.

Autori zhbiron thellë, është një vëzhgues i mprehtë social, tregon gjithmonë në vetën e parë dhe me zhdërvjelltësi, duke ecur në rrëfim me hapa të rregullt, por dhe me pauza, në të cilat duhet të ndalet për hollësitë, të cilat i japin tregimit një bukuri të rrallë dhe frymë besueshmërie të një atmosfere thellësisht njerëzore dhe të ndjeshme.

Personazhet e tregimeve të tij janë ai vetë, familjarët e tij, miqtë, shokët dhe kolegët. Këto i gjejmë te mjaft tregime të tij si te:“Zanatçinjtë për kryetar dege”, “Si limon i shtrydhur”, “Ne e donim atdheun…”, “Gjinekologu”, “Edhe mjeshtrit gabojnë ndonjëherë”, “Stërvitja shkencore”, “Ne kishim fat”, etj. Koha dhe hapësira e tregimeve të vëllimit “Jeta në pjatancë” janë koha dhe hapësira në të cilën ka jetuar dhe lëvizur autori Vangjel Sako.

Ai i ka jetuar të dy kohët: atë të sundimit komunist dhe atë të rënies së diktaturës. Por ka jetuar kohën si ushtarak dhe si civil, e pastaj si gazetar e tregimtar. Ka jetuar në Shqipëri, por dhe në disa vende të Europës. Kjo larushi në kohë dhe hapësirë, bën që shumë tregime të kenë përshkrime me ngjyra të gjalla që mbështillen me mbresat e tij. Ka raste që ato gërshetohen me analiza psikologjike që gjatë shumë tregimeve formojnë baticat dhe zbaticat e gjendjeve të tij emocionale që përbëjnë rrjedhën e madhe të përjetimeve të lexuesit.

Në shumë tregime spikasin ndjenjat e thella të dashurisë ndaj atdheut, familjes, shokëve, por edhe miqësia mes popujve të ndryshëm. Kjo dashuri njerëzore e përshkruan tërë atë buqetë tregimesh dhe është pikërisht dashuria njerëzore ajo që shfaqet me tërë madhështinë e saj dhe që mesazhet e saj janë universalë.

Ky mesazh theksohet dhe del i plotë sidomos te tregimi “Ne kishim fat”, ku lidhja midis popujve të ndryshëm si ai mes popullit shqiptar dhe atij grek del jashtë kuadrit ideologjik dhe politik, por vetëm në atë njerëzor. Në këtë tregim, por edhe brenda të njëzet tregimeve, lexuesi gjen diçka nga vetja, madje tregimet e Vangjel Sakos edhe pse kanë tema të ndryshme, prapëseprapë ato ushqejnë njëra-tjetrën me të vërtetat e kohës për të cilën flasin, duke i dhuruar lexuesit një amalgamë ndjeshmërie brenda së cilës gërshetohet përvoja jetësore e autorit me atë të lexuesit.

Tregimet e tij janë një shembull i shkëlqyer i vetë-rinovimit, i rritjes si njeri dhe si mendim duke u zhveshur nga ideologjitë e ngurta e duke përvetësuar e përsosur vlerat njerëzore. Madje në shumë tregime si“Edhe mjeshtrit gabojnë ndonjëherë”, “Stërvitja shkencore”, etj, edhe pse përdoret sarkazma ajo nuk e kalon masën, mbetet në sasinë që nuk dëmton, por shëron. Ka një ecje në të gjithë vëllimin me tregime.

Ndoshta më parë kanë qenë ecjet në marshimet ushtarake, pastaj ecja e tij si gazetar, rendja e strategjia për të kapur i pari lajmin, ndërsa si tregimtar është një tjetër ecje: është ecja për të treguar sesi e reformon njeriu vetveten, si e kap mentalitetin e ri, jo me dhunë, por me inkulturim, pra duke e thithur brenda vetes ngadalë si toka shiun. Të gjitha më sipër ndihen e preken brenda kësaj buqete me tregime që mbeten të freskëta dhe do ti rezistojnë kohës.


Fjala e mbajtur në përurimin e librit me tregime të gazetarit të ndjerë Vangjel Sako, “Jeta në Pjatancë”, më 6 gusht 2023.

Lexo më shumë nga

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…