Leon Trocki: Unë, dëshmitari i masakrave serbe ndaj shqiptarëve në Shkup

Dhjetori i vitit 1912 e gjen atë si i dërguar special të gazetës ruse “Kievskaja Misl” në Shkup dhe rrethinat e tij për të bërë një reportazh lufte.


Nga Albert Vataj

I njohur edhe si bashkëpunëtor në disa gazeta të rëndësishme të kësaj kohe, dhjetori i vitit 1912 e gjen atë si i dërguar special të gazetës ruse “Kievskaja Misl” në Shkup dhe rrethinat e tij për të bërë një reportazh lufte. Por, i gjendur në mes të një masakre të organizuar të serbëve ndaj popullsisë shqiptare, ai nuk ngurron te shkruajë me tone akuzuese për atë që pa me sytë e tij.

Gazeta “Kievskaja Misl”, që botohej në Kiev në gjuhën ruse, në atë kohë ishte më e madhja dhe më e rëndësishmja që botohej jashtë kryeqytetit, Moskës. Për të, shkruanin pothuaj të gjitha penat më të mira të kohës, nisur nga publicisti Llunaçarski, duke vazhduar me shkrimtarët Korolenko, Paustovski e Gorki e për të përfunduar me politikanët si Leon Trocki e të tjerë. Dihet se Leon Trocki, me origjinë hebreje, ishte një nga dy pretendentët për të marrë postin e Leninit pas vdekjes. Por ai humbi përballë Stalinit dhe më pas u detyrua të largohej nga Bashkimi Sovjetik për të gjetur vdekjen në Meksikën e largët, pas një atentati të organizuar nga kundërshtarët politikë. Koha që Trocki sjell në reportazhin e tij ka qenë nga më të vështirat për shqiptarët dhe mbijetesën e tyre.

Me fillimin e Luftës Ballkanike, Shqipëria ishte gjysmë e shkretuar dhe trupat serbe, në emër të luftës kundër Perandorisë Osmane, ndërmorën një sërë pushtimesh, të cilat u shoqëruan me masakra masive kundër popullsisë krejtësisht të paarmatosur. Sipas shtypit të kohës, gjatë kësaj ofensive humbën jetën rreth 250 mijë shqiptarë.

Gazetari austriak Leo Frojdlih, edhe ky me origjinë hebreje, autor i librit “Golgotha Shqiptare”, i përshkruante masakrat e serbëve në vjeshtën e vitit 1912, deri në pranverën e 1913-s, në trojet shqiptare, Kosovë, Maqedoni me këtë gjuhë: “Me qindra e mijra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjve. Ata që mundin t’u shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej nga një plumb kokës.

Më keq e pësonin ata që fshiheshin në shtëpitë e tyre. Pas kontrolleve të imta që bëheshin për plaçkitje dhe florinj, të fshehurit gjendeshin lehtë dhe thereshin si berrat.

Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilët përdhunoheshin, lidheshin, dhe pasi bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla.

Në rast se ato ishin shtatzëna, u çahej barku me bajonetë dhe pasi u nxirrej fëmija, vendosej në majë të bajonetës apo të hunjve. Pas masakrimit serbët pinin verë, këndonin dhe hidhnin valle. Kishte raste që ata gjatë therjes mblidhnin gjakun në kupa dhe e hapnin gostinë me të”.

Më poshtë, reportazhi i plotë i Leon Trockit, botuar në gazetën ruse “Kievskaja Misl”, në dhjetor 1912, veç të tjerave shërben për të rrëfyer edhe përsëritjen e historisë me masakrat e gjenocidin serb gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë.

Genocidi në zonën e Preshevës

Leon Trocki – “Kievskaja Misl” 23 dhjetor 1912.

Kam pasur rastin, për fat apo fatkeqësi, ta vizitoj Shkupin, disa ditë pas Betejës së Kumanovës. Qysh në fillim u irritova nga autoritetet e Beogradit lidhur me lejen për qarkullim. Për shkak të pengesave që më bëri Ministria e Luftës, fillova të mendoj se njerëzit që e udhëhiqnin luftën nuk e kishin ndërgjegjen të pastër dhe se atje poshtë, ata po kryenin veprime krejt ndryshe nga sa paraqitej në shtypin zyrtar.

Kjo përshtypje ose parandjenjë m’u përforcua pas takimit me një oficer, i cili kishte qenë në Shkup me ushtarët e Shtabit të Përgjithshëm.

Oficeri, të cilin e kisha njohur për një kohë të gjatë, ishte njeri i ndershëm.

Mirëpo, sapo ai e mori vesh se unë po shkoja për në Shkup, meqë realisht edhe e kisha marrë lejen për të shkuar atje, me një qëndrim të hapur armiqësor më tha se nuk duhet të shkoja dhe se nuk e kuptonte pse Beogradi po vepronte në këtë mënyrë, sipas tij, duke i lejuar “të huajt” të shkonin në Shkup.

Në Vranjë, në kufirin me Serbinë, kur e kuptoi se nuk do ndryshoja vendimin, oficeri serb e ndërroi zërin dhe filloi të më përgatitë për pamjet që do të shikoja kur të arrija në Shkup. “Këto janë gjëra të pakëndshme, por fatkeqësisht janë të paevitueshme…”, – më tha ai.

Kjo, më duhet ta pranoj, se më bëri edhe më shumë të dyshoja. Kjo do të thotë se veprat e liga, për të cilat ishte dëgjuar deri në Beograd, nuk ishin të rastësishme, nuk ishin raste të veçanta e të izoluara, përderisa një oficer i trajtonte si “nevoja të shtetit”. Dikush duhej të kishte të dhëna për këto. Kush? Ushtria apo qeveria?

Përgjigjen për këto pyetje e mora sapo arrita në Shkup. Trishtimi im filloi porsa e kaluam kufirin. Në orën 5 pasdite, iu afruam Kumanovës. Dielli po perëndonte dhe errësira tashmë kishte fituar terren. Sa më shumë errësohej, aq më tepër shiheshin flakët e zjarrit që shkonin përpjetë. Po digjej gjithçka përreth nesh.

Të gjitha fshatrat shqiptare, të afërta dhe të largëta, ishin kthyer në shtëllunga zjarri, deri te hekurudha. Ishte ky shembulli i veçantë i një lufte të tmerrshme shkatërruese që pashë në zonat e luftimeve. Në një çast, pasuria e atyre njerëzve, e trashëguar nga gjyshërit e stërgjyshërit dhe e fituar me mund, po kthehej në flakë. Kjo monotoni zjarri na përcolli gjatë gjithë rrugës deri në Shkup.

Genocidi ndaj shqiptareve 1912

Masakra serbe

Zbrita nga vagoni me të cilin udhëtova.

Tërë qyteti ishte i heshtur, në rrugë nuk shihje njeri të gjallë, vetëm para stacionit të trenit ishte një grup ushtarësh, prej të cilëve mbërrinin zëra të dehurish. Secili shkoi në rrugën e vet, ndërsa unë mbeta i vetmuar në stacion. Shkova te grupi i ushtarëve. Katër ushtarë mbanin bajonetat në gjendje gatishmërie.

Në mesin e grupit të ushtarëve qëndronin dy të rinj shqiptarë, me takije të bardhë. Një ushtar, çetnik i dehur, mbante në dorë thikën, ndërsa në dorën tjetër shishen e rakisë. Çetniku i urdhëroi shqiptarët të shtriheshin për tokë. Ata, gjysmë të vdekur nga frika, u ulën në gjunjë. Pas urdhrit tjetër, ata u ngritën. Këtë ai e përsëriti disa herë…

Pastaj çetniku, duke sharë dhe duke kërcënuar, u drejtoi majën e thikës edhe viktimave të tjera. I detyroi të pinë raki, pastaj… i puthi. I dehur nga forca, rakia dhe gjaku, ai argëtohej duke luajtur me ta ashtu si macja e egërsuar me minjtë.

Të njëjtat veprime, e njëjta psikologji. Të tre ushtarët e tjerë, edhe ata të dehur, qëndronin duke ruajtur se mos shqiptarët po iknin ose do kundërshtonin, derisa çetniku të argëtohej. “Këta janë arnautë”, – më thotë një ushtar, “tash do t’ i ther!”. Prej frikës u largova nga grupi. Nuk kishte kuptim të mundohesha për të mbrojtur shqiptarët.

Ata mund të shpëtonin nga këta ushtarë vetëm nga një forcë tjetër e armatosur. E gjithë skena luhej në stacionin e trenit. Sapo mbërriti treni tjetër, ika për të mos dëgjuar britmat e tmerrshme dhe thirrjet e shqiptarëve për ndihmë…

Në rrugët e qytetit dhe në vetë qytetin ishte aq qetësi, sa dukej sikur ishte i shkretë. Të gjitha dyert ishin mbyllur qysh nga ora gjashtë pasdite. Me të rënë nata, çetnikët fillonin punët e tyre.

Futeshin dhunshëm nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe turqve, duke vrarë e plaçkitur. Shkupi kishte 60 mijë banorë, gjysma e të cilëve ishin shqiptarë e turq. Disa nga ata sigurisht që kishin ikur, por shumica kishte mbetur.

Tashmë, gjatë natës kundër tyre kryheshin krime. Dy ditë pas arritjes sime në Shkup, e para gjë që me të cilën përballesha në mëngjes ishte grumbulli e kufomave të shqiptarëve me koka të thyera nën Urën e Vardarit, mu në qendër të qytetit. Disa thoshin se ishin shqiptarë, të cilët ishin mbytur nga çetnikët, të tjerët thoshin se ata i kishte sjellë uji i lumit. Vetëm një gjë dihej: ata njerëz nuk ishin vrarë në luftime…

Shkupi ishte kthyer në një kamp të rëndomtë ushtarak. Popullata, sidomos shqiptarët dhe myslimanët fshiheshin nëpër rrugë për të mos u parë nga ushtarët serbë. Në mesin e masës së ushtarëve dallohen edhe fshatarë serbë, të cilët kanë ardhur këtu nga vende të ndryshme të Serbisë.

Duke u justifikuar se kanë ardhur për të gjetur bijtë dhe vëllezërit e tyre, ata kalojnë nëpër Kosovë duke plaçkitur. Bisedova me tre prej atyre “torbaxhinjve”. Më i riu, një burrë i shkurtër, i sojit të “trimave”, lavdërohej sesi me pushkën e tij kishte vrarë dy shqiptarë, ndërkohë që dy të tjerë i kishin ikur. Bashkudhëtarët e tij, fshatarë të moshuar, e vërtetonin rrëfimin e tij.

Genocidi ndaj shqiptareve 1912

“Një gjë nuk është e mirë, ankoheshin ata – Nuk kemi para me vete.

Këtu mund të marrësh sa të duash qe dhe kuaj…”

Paga e ushtarit është dy dinarë (75 kopekë). Ushtari shkon në fshatin e parë të shqiptarëve dhe e merr kalin e parë që gjen. Përmes ushtarëve mund të marrësh një pendë qe për 20 dinarë. Serbët nga rrethina e Vranjës, në mënyrë masive janë nisur drejt fshatrave shqiptare me qëllim për të rrëmbyer gjithçka që gjejnë.

Gratë serbe kanë ngarkuar në shpinë edhe dyer e dritare të cilat i kanë marrë nëpër fshatrat shqiptare.

Ndërkohë erdhën dy ushtarë. Ata bëjnë pjesë në çetat, të cilat çarmatosin shqiptarët.

Një ushtar pyet ku mund ta këmbejë një lirë. Kërkova të ma tregojë lirën, meqë nuk kisha parë monedhë turke. Ushtari fillimisht shikon anash, pastaj e nxjerr floririn nga qesja, duke rrëfyer se ka edhe të tjera, por nuk dëshiron të rrëfejë sasinë.

Një lirë turke këmbehet me 23 franga. Erdhën edhe ushtarë të tjerë. Po dëgjoja bisedat e tyre. “Nuk e di sa shqiptarë kam vrarë! – thotë njëri – por te asnjëri prej tyre nuk kam gjetur diçka të vlefshme për ta marrë. Dhe, kur ia kam hequr kokën një nuseje të re, te ajo kam gjetur 10 lira!”. Për bëmat e tyre, ata flasin krejt lirshëm. Kjo është e zakonshme për ta.

Njerëzit nuk e kuptojnë se sa ndryshime të brendshme kanë sjellë vetëm disa ditë të luftës. Mund të shihet se deri në çfarë niveli shkon njeriu nga rrethanat. Në kushte të organizmit barbar të luftës, njerëzit shpejt brutalizohen dhe këtë ndoshta edhe nuk e kuptojnë. Një tog ushtarësh po marshonte rrugës kryesore të Shkupit.

Një i dehur, sipas të gjitha gjasave, një turk i marrë, filloi t’i mallkonte. Ushtarët ndaluan. E mbështetën turkun tek muri më i afërt dhe e pushkatuan në vend. Toga vazhdoi tutje, ashtu sikur edhe popullata që ishte në rrugë.

Genocidi serb ndaj shqiptareve 1912

Biseda me oficerin që e njihja:

“Po pjekim zogj dhe po vrasim arnautë. Jemi lodhur tashmë!”

Në mbrëmje, në një pijetore, takova një oficer, të cilin e njihja. Njësia e tij kishte qenë e stacionuar në Ferizaj, në qendrën e shqiptarëve, “Serbia e vjetër”. Me njerëzit e tij, rreshteri kishte tërhequr një top të madh të rrezikshëm, gjatë marshimit nga Koçani deri në Shkup. Topi do t’i dërgohej ushtrisë, e cila kishte rrethuar Edrenenë.

-Çfarë detyrash keni tani në Ferizaj mes shqiptarëve? – e pyes.

“Po pjekim zogj dhe po vrasim arnautë. Jemi lodhur tashmë!”,- thotë, duke bërë grimasa dhe duke hapur gojën nga lodhja. Pastaj vazhdon: “Ka shumë njerëz të pasur mes tyre. Afër Ferizajt kemi hyrë në një fshat të pasur, me shtëpi si kështjella. Pronari ishte një njeri i pasur, i cili kishte tre bij. Ishin katër meshkuj dhe shumë gra. Të gjithë i kemi nxjerrë nga shtëpia, i kemi radhitur gratë dhe para syve të tyre u kemi therur burrat. Gratë nuk qanin nga frika. Na u lutën t’i lejonim të futeshin në shtëpi dhe të merrnin rrobat e tyre. I lejuam. Ato pastaj na dhanë nga një dhuratë. Pastaj i vumë zjarrin tërë vendit…!”

“Si mund të veproni në mënyrë kaq brutale? – e pyes i tmerruar nga rrëfimi i tij

“Nuk e di as vetë, mësohet njeriu. Në një kohë tjetër, nuk do të kisha qenë në gjendje ta vrisja një plak apo një fëmijë të pafajshëm. Në kohë lufte, sikundër e dini, komandanti urdhëron dhe ju duhet ta zbatoni urdhrin. Shumë gjëra si këto kanë ndodhur. Gjatë bartjes së atij topi deri në Shkup, gjatë rrugës takuam një qerre, në të cilën ishin shtrirë katër burra të mbuluar deri në brez. Menjëherë nuhata erën e jodit. Diçka ishte e dyshimtë, mendova.

Ndalova qerren dhe i pyeta kush ishin dhe ku shkonin. Heshtnin, duke u justifikuar se nuk dinin serbisht. Me ta ishte vetëm qerrexhiu, një rom, i cili na tregoi se katër të plagosurit kishin marrë pjesë në luftime në Merdare. Ishin plagosur dhe tani po ktheheshin nëpër shtëpi. E kuptova se kush ishin. -Zbritni! – urdhërova.

E kuptuan çfarë po u thosha, por hezitonin. Ç’të bësh? Vendosa bajonetën në pushkë dhe i thera të katërt…

E kisha njohur këtë njeri. Kishte qenë kamerier në Kragujevc. Njeri pa ndonjë kualitet. Jo luftarak nga natyra, kamerier, ashtu sikur të gjithë kamerierët në vendet e tjera. Një kohë ishte edhe në Sindikatën e Kamerierëve. Ishte madje edhe sekretar, por u largua… Dhe shikoni tani se në çfarë është kthyer!

-Përse veproni si banditë, po vrisni dhe po plaçkitni, pa bërë asnjë dallim! – bërtita, duke ndjerë një neveri për njeriun me të cilin kisha biseduar.

Eprori u gjend në një situatë të vështirë. U duk sikur diçka i kishte rënë ndërmend. Pastaj duke u munduar ta justifikonte veten, i bindur dhe serioz, shqiptoi një frazë, e cila kishte edhe më shumë të zeza sesa kisha parë dhe dëgjuar.

“Jo. Nuk është ashtu. Ne, ushtria e rregullt, i përfillim në mënyrë rigoroze rregullat, asnjëherë nuk vrasim njeri më të ri se 12 vjeç. Për çetnikët nuk të them asgjë me siguri. Ata janë kokë më vete. Unë mund të siguroj për ushtarët!”

Rreshteri nuk siguronte për çetnikët. Dhe me të vërtetë, ata nuk pranonin asnjë kufizim. Të rekrutuar nga mesi i të papunëve, të paaftëve, elementë të ligj dhe të pavlerë, nga turma më e ulët, argëtoheshin me egërsinë e tyre me krimet, plaçkitjet dhe dhunën.

Veprat dëshmonin shumë kundër tyre. Edhe ushtria e shteti ndiheshin jo mirë nga banalitete të tilla të përgjakshme të çetave të degjeneruara. Ata u detyruan të marrin masa dhe ende pa mbaruar lufta, i çarmatosën dhe i kthyen nëpër shtëpitë e tyre.

Shkupi ne 1912, 85 % shqiptare

Kthimi

Nuk isha në gjendje ta duroja edhe më tej atë atmosferë, nuk kisha stomak për ta duruar. Interesi politik dhe vetëdija morale, për të parë me sy se si bëhen gjërat e tilla, u fundosën. Tashmë kisha vetëm një dëshirë: Të kthehesha sa më parë. Sërish u gjeta në tren. Po shikoja fushat e gjera rreth Shkupit. Çfarë bukurie, çfarë gjerësie! Njerëzit mund të jetonin mirë këtu. Çfarë dobie ka të flas kur ju vetë i dini këto ide, porse ato në atë vend më tingëllonin dhjetë herë më fort.

Pesëmbëdhjetë minuta nga nisja e trenit, hodha vështrimin jashtë dhe pashë në një largësi prej 200 jardësh nga stacioni një kufomë me takije në kokë, me fytyrë përdhe dhe duar të shtrira. Rreth 50 jardë nga hekurudha po qëndronin dy roje serbe, pjesë e forcave që po ruanin hekurudhën. Me siguri kjo ishte vepër e tyre. Tutje, tutje, vetëm të largohem sa më parë nga ky vend.

Jo larg nga Kumanova, në një livadh, afër hekurudhës, ushtarët po hapnin një gropë të madhe.

I pyes se për çfarë po hapej ajo gropë. Më thanë se gropa po hapet për mish të prishur, që ndodhej në dhjetë apo 15 kamionë, të cilët ishin parkuar anës rrugës. Ushtarët nuk e kishin marrë mishin që u kishte takuar. Krejt nevojat e tyre ushqimore, madje edhe më shumë se u nevojiteshin, ata i merrnin nga shtëpitë e shqiptarëve: djathë, qumësht, mjaltë. “Në atë kohë hëngra më shumë mjaltë, që ua merrnim shqiptarëve, sesa kisha ngrënë gjatë tërë jetës sime!”, – më thotë një ushtar.

Për çdo ditë, ushtarët serbë thernin qe, dele, derra, pula, të cilat i hanin duke i hedhur mbetjet tej. “Neve nuk na duhet mishi. Sa e sa herë u kemi shkruar atyre në Beograd të mos na dërgojnë mish, por ata e bëjnë këtë sipas disa rregullave!”. Kështu qëndrojnë gjërat kur shikohen nga afër. Mishi po prishet, si mishi i njerëzve, ashtu edhe i kafshëve, fshatrat janë bërë shkrumb e hi, njerëzit po dëbohen, “njerëzit mbi 12 vjeç”… të gjithë janë barbarizuar, duke humbur fytyrën e tyre njerëzore…

Lufta po del në sipërfaqe si kryesorja dhe më e rëndësishmja, do t’i shihni krimet nëse shpalosni pak perden, e cila rri varur para veprave të “trimërisë” së ushtarëve.

Artikulli origjinal: Albertvataj.com

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…