Biblioteka Kombëtare, ekspozitë homazh për akademikun dhe gjuhëtarin Bahri Beci
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në hollin kryesor të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, përmes një ekspozite homazh për akademikun dhe gjuhëtarin Bahri Beci (1936-2023), i cili u nda nga jeta një ditë më parë, sjell në vëmendje të publikut kontributin e tij shkencor në fushën e gjuhësisë përmes botimeve të rëndësishme në fushën e dialektologjisë, fonetikës, gramatikës, gjuhës letrare, si edhe të historisë së gjuhës, si: “Të folmet veriperëndimore të Shqipërisë dhe sistemi fonetik i së folmes së Shkodrës”; “Gramatika e gjuhës shqipe”; “Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri”; “Dialektet e shqipes dhe historia e formimit të tyre”; “Probleme të lidhjeve të shqipes me gjuhët e tjera ballkanike”; “Fonetika e gjuhës shqipe”; “Historia e standardizimit të shqipes”; “Struktura dialektore e shqipes”; “L’union linguistique balkanique a la lumière des données de la langue albanaise” etj.. Një vend të veçantë zë edhe kontributi i tij i vyer në hartimin e teksteve mësimore të gjuhës shqipe, si dhe të metodave për mësimin e shqipes nga të huajt, si dhe artikujt e shumtë shkencorë në revistat më në zë të fushës.
Akademiku Bahri Beci vlerësohet si një personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare historike e bashkëkohore për më shumë se gjashtë dekada; autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në hollin kryesor të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.