Ukraina shkatërron një sistem të fuqishëm kundërajror të Rusisë
Moska ende nuk e ka komentuar rastin, por blogerët ushtarakë rusë thanë se ky sulm i vuri në pah të metat e kapaciteteve mbrojtëse të Rusisë.
Ukraina ka thënë të mërkurën se e ka shkatërruar një sistem kundërajror të Rusisë, S-400, në Gadishullin e Krimesë, i cili u aneksua jashtëligjshëm nga Moska më 2014.
“Rreth orës 10:00, një shpërthim ndodhi…i cili e shkatërroi një sistem kundërajror me rreze të gjata dhe të mesme veprimi të Rusisë, S-400 Triumph”, tha Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës më 23 gusht në rrjetet sociale.
Ministria e publikoi në rrjetet sociale një video të shpërthimit masiv.
Shpërthimi ndodhi afër fshatit Olenivka, në Gadishullin Tarhankut dhe e shkatërroi “sistemin, raketat dhe personelin e tij”, sipas Ministrisë ukrainase.
“Kjo është një goditje e dhimbshme për sistemin mbrojtës të pushtuesit”, shtoi Ministria.
Moska ende nuk e ka komentuar rastin, por blogerët ushtarakë rusë thanë se ky sulm i vuri në pah të metat e kapaciteteve mbrojtëse të Rusisë.
Kanali me ndikim në Telegram, Rybar, i cili i ka 1.2 milion ndjekës, tha se nga ky sulm u shkatërrua një sistem mbrojtës S-300.
“Përsëri, shtrohet pyetja pse anijet ukrainase vijnë kaq afër bregdeteve të Krimesë. Ata e bënë këtë edhe një herë”, raportoi Rybar.
Të martën, Rusia tha se i shkatërroi dy anije ukrainase në Detin e Zi, por sipas Rybar, kjo “nuk ishte e mjaftueshme”.
“Ne kemi nevojë ta mposhtim tërë flotën ukrainase sistematikisht, dhe kjo kërkon ndryshime në organizimin e marinës ruse”, raportoi Rybar.
Një kanal tjetër, Voenny Osvedomitel, tha se sulmi “ngre pyetje të drejta për cilësinë e mbulimit të mbrojtjes ajrore në njërën prej rajoneve të Rusisë të goditura më së shumti nga raketat”.
Të dy kanalet spekuluan se sulmi u krye me dronë dhe me një raketë.
Territoret e kontrolluara nga Rusia janë cak i përditshëm i sulmeve me dronë në javët e fundit.
Në mëngjesin e së mërkurës, Moska u godit nga dronët për natën e gjashtë radhazi.
Top Channel