“Beleri”, Rama: Nuk ndërhyjmë në çështjet e drejtësisë!
Kryeministri: Asnjë lloj interference, ngado që të vijë në sistemin e drejtësisë nuk do të gjejë
Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp, komentoi sot çështjen “Beleri”, ndërsa theksoi se qëndrimi i kësaj maxhorance është i prerë se “drejtësia e re në Shqipëri duhet të bëjë e patrazuar detyrën e saj”.
“Siç e dini kemi pasur edhe një situatë të inflamuar për shkak të problemit me drejtësinë të kryebashkiakut të zgjedhur në Himarë. Qëndrimi ynë ka qenë, është dhe do të jetë që drejtësia e re në Shqipëri duhet të bëjë e patrazuar detyrën e saj dhe në këtë pikë asgjë nuk është më e rëndësishme se sa mbrojtja me të njëtjën mënyrë si në të gjitha rastet e tjera e qetësisë së veprimtarisë së sistemit të ri të drejtësisë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “asnjë lloj interference, ngado që të vijë në sistemin e drejtësisë nuk do të gjejë, jo përkrahjen, por as mirëkuptimin tonë”.
“Ne nuk ndërhyjmë në çështjet e drejtësisë. Nuk i komentojmë vendimet e organeve të reja të drejtësisë, nuk presim prej tyre asnjë gjë tjetër veç të zbatojnë ligjin dhe nuk kemi asnjë gjë tjetër për t’iu dhënë atyre veç mbështetjes sonë pa kushte, qoftë kur na vjen mirë, apo kur na vjen keq, kur na pëlqen apo jo një vendim i tyre. Kjo është e panegociueshme për forcën që sot qeveris Shqipërinë, të tjerët të bëjnë çfarë të dëshirojnë qoftë brenda qoftë jashtë, ne jo”, tha Kryeministri.