Rama: Shqipëria do të jetë kampione absolute në rajon për turizmin
Kryeministri: Po shohim frytet e para domethënëse e kuptimplota në një rrugë që për ne është përcaktuar si rruga drejt Shqipërisë 2030
Kryeministri Edi Rama deklaroi se “sot po shohim frytet e para domethënëse e kuptimplota në një rrugë që për ne është përcaktuar si rruga drejt Shqipërisë 2030, ku pa asnjë diskutim Shqipëria do të jetë kampione absolute në rajonin tonë për turizmin,kur them rajonin tonë kam parasysh Ballkanin Perëndimor”.
Në një konferencë për shtyp duke bërë një përmbledhje të përgjithshme të sezonit turistik në vend Rama theksoi se “ këtë vit Shqipëria po përjeton sezonin e një kthese historike që është rezultat i shumë përpjekjeve të bëra në vitet e mëparshme dhe kurorëzim i një faze të re transformimi për turizmin që ka nisur kohë më parë me programin kombëtar të rilindjes urbane me përkushtimin e posaçëm të zonave turistike me përkushtimin e posaçëm të trashëgimisë kulturore, me rritjen e aktiviteteve kulturore dhe artistike në funksion të sezonit. Pa diskutim edhe me mbështetjen e vazhdueshme për shumë investime që sektori privat ka bërë në industrinë e turizmit”.
Rama tha se “shifrat flasin për një sukses të jashtëzakonshëm edhe në aspektin e afrimit thuajse të plotë me Greqinë apo të tjera vende që janë shumë përpara nesh kur vjen fjala tek numri i turistëve për frymë”.
Më tej Rama u shpreh se “mendoj që duhet të nënvizuar një element që është aeroporti i Tiranës, i cili ka pësuar një transformim të rëndësishëm, me ndryshimet që janë bërë nga koncesionari, me investimet që janë bërë nga kompania shqiptare në aeroport. Besoj e keni parë edhe klasifikimin e nxjerrë nga Agjencia Europiane e Trafikut Ajror që Shqipëria në rritjen e numrit të pasagjerëve në trafikun ajror është në vendin e parë dhe sot jemi në kushtet kur mund të themi pa rezervë jo vetëm jemi konkurrues me aeroportin e Beogradit, që është më i madhi në rajonin tonë dhe me një traditë më të gjatë sesa aeroporti ynë, por me shumë gjasë mund ta kapërcejmë aeroportin e Beogradit ne numër pasagjerësh këtë vit”.
“Nga ana tjetër është e rëndësishme të kujtohet se kantieri i aeroportit të Vlorës është në punë sipas grafikut. E dini që aeroporti i Vlorës do të operohet nga aeroporti i Mynihut dhe kemi shumë optimizëm dhe besim që me futjen e aeroportit të Vlorës do të kemi një bum të konsiderueshëm të numrit e turistëve. Edhe pse aeroporti i Tiranës punon 24 orë dhe ka 200 fluturime në ditë mundësitë janë shumë më tepër”, tha Rama. /ATSH