Agapao në baticë drite!

Poetja Alisa Velaj vjen me vëllimin poetik “Harrim në katër sy të bukur”


Nga Dr. Valbona Avdullaj

AGAPAO NË BATICË DRITE

 “Poeti është prifti i të padukshmes”, Uallas Stivens, poet modern amerikan

Agapao në greqisht përfaqëson formën më të lartë të dashurisë në veprim, e cila, përtej emocionit shpreh ndjenjën e pakushtëzuar dhe sakrifikuese për tjetrin. Këtë gjendje shpirtërore ka kërkuar të përcjellë përmes vargjeve poetja Alisa Velaj në vëllimin “Harrim në katër sy të bukur”, me poezi të frymëzuara dhe të shkruara gjatë periudhës pranverë-vjeshtë 2022.

Dashuria ka qenë përherë joshje dhe muzë frymëzimi për poetët. duke u shndërruar në një prej temave madhore, pikërisht sepse përfaqëson një ndjenjë kaq komplekse, ku ngërthehen gëzimi dhe ankthi i humbjes, dhimbja dhe ripërtëritja, vetmia dhe plotësia, vdekja dhe jeta, motive të cilat nxisin për të krijuar një përfytyrim të plotë poetik. Por, ajo çka e bën të veçantë këtë përmbledhje është trajtimi i temës së dashurisë si përjetim lirik dhe shpirtëror në tri forma: në formën e phileo-s si dashuri miqësore, të eros-it si dashuri seksuale dhe në nivelin më sublim të këtij koncepti, atë vetëflijues, siç është forma agapao/agape[1]. Për të mbërritur në këtë nivel, tema e dashurisë mplekset me temën e shpirtërores përmes pikëprerjes së tekstit poetik me koncepte dhe simbolikë të Shkrimeve[2] në një raport intertekstual sa të pastër, aq edhe të nënvetëdijshëm, ndërsa na sendërtohet imazhi i atij vendi ku shpirti gjen përmbushjen: “Mbi krye kisha qiellin tënd të ujtë/ Nën këmbë ujra qiellorë/ të kaltër, të kaltër si ngjyrë amëshimi/ Në ëndrra trazohej një kohë pa qiej”. (Nën qiellin tënd të ujtë).

Është i njohur stili poetik i Velajt me një sistem figurativ që lëviz midis ujërash në praninë e përhershme të dritës (dy motivet me frekuencën dhe intensitetin më të lartë të përdorimit) shtyrë nga uni lirik në shtegtime dhe udhë ku lartohet dashuria, në ikje tej vetes për të kuptuar veten, tjetrin, botën. Tipologjia figurative, ndërlidhja e të cilave krijon një tekst të ngarkuar e të ngjeshur semantik i jep mundësi poetes të shprehë anët e ndërlikuara të qenies. Edhe më herët studiuesit kanë vërejtur te vargjet e saj shqetësimin poetik të ekzistencës, ankthin e brishtë dhe rendjen drejt vlerave shpirtërore, perceptimit të vetes së brendshme dhe botës, ndryshe furtunat që trandin shpirtin

Po t’i referohemi filozofit danez Kierkegaardit mbi gjendjen e ankthit që njeriu ndjen përballë vetes dhe botës, kjo vjen për shkak të tjetërsimit të tij nga qenia esenciale. Sipas tij, në brendësi të njeriut jetojnë ngushtësisht dy gjendje natyrore: natyra esenciale, e cila kërkon lidhjen me pafundësinë dhe gjendja ekzistenciale, e cila është pasojë e tjetërsimit për shkak të shkëputjes nga pafundësia, e përjetshmja, Zoti.[3] Në natyrën e vet esenciale, uni lirik shpirtëror rreket të mbërrijë në nivelin agapao, si gjendja më e lartë e mirësisë dhe e shëlbimit për veten dhe tjetrin e për pasojë, të mund të lidhet me pafundësinë e të mbetet aty… Zgjedhja intertekstuale në këtë rast, sipas studiueses Julia Kristeva, vjen si një nevojë e brendshme emocionale për çlirim, ashtu edhe si një mënyrë e vetëdijshme e përzgjedhur për t’ia arritur këtij çlirimi për domosdonë e një katharsisi të përhershëm.[4]

Si reflektohet i gjithë ky proces në këtë vëllim? Në aspektin strukturor vetë poetja e ka konceptuar në mënyrë uniforme, jo të ndarë në cikle, por me katër thyerje të pazakonta që mund të konsiderohen edhe si lajtmotiv për secilën pjesë. Në pjesën e parë, me pak shi vjeshte dhe më shumë qirinj varreve të zogjve, lexuesit njihet me shtegtimin shpirtëror të unit poetik përballë tjetrit: para syve të tjetërkujt në perëndim… Pjesa e dytë, na fut në një përfytyrim metaforik të shoqërimit të poetes me vetminë me shputa të përgjakura nga iriqët dhe kandilët e detit jonian. Kjo pjesë përbëhet nga 27 poezi, ku poetja rreket të tregojë mbi dashurinë e saj në format e përziera phileo dhe eros: Të vijë dashuria si drita mbi kulme/ Të rritet dashuria si klithmë pulëbardhe mbi valë. (Si drita mbi kulme); Portokajt e tu në errësirën e natës/ më të paqme se deti janë/ më të lëngëta përbrenda. (Grua e portokalltë). Megjithatë ajo vazhdon të jetë në kërkim të përmbushjes shpirtërore përballë një gjendjeje ankthi, vetmie mbi dashurinë që, sa e bukur duket, aq edhe e trishtë dhe e pasigurtë: Dua të iki, sa më parë të iki/ Të ndjek me mall një udhë ku lartohet dashuria/ Të iki tej vetes e të mbetem aty… (E diel); Kam ndjerë një dhimbje që ma ka shqyer kraharorin…/ e prapë shpirti më mbetej shpirt…/ e një varkë që më premtonte tjera dete/ më të largët, më të bukur, më të paanë/ ndryshe e dëgjova zërin e dashurisë…”. (Ndryshe e dëgjova zërin e dashurisë).

Përballë “një oazi përtej të kuptuarit” dashuria agape, si pasqyrim i shpirtit të etur për ripërtëritje prej së larti, paraqitet në mënyrë progresive në pjesën e tretë, për të kulmuar me “drurët e kuq”, kuptimi metaforik i të cilëve fuqizohet në mënyrë të dyfishtë: për shkak të kuptimit që mbartin, si drurët më të lartë në botë (shënimi i autores) dhe prekjes së esenciales, përmes së cilës arrihet të kuptuarit e ekzistencës. “Qenka dashur të ecim vetëm nën qiej të lartë/ vetëm aty, tjetër askund…/ Qenka dashur të ecim vetëm nën qiej të lartë/ Drurë në ngjyrë perëndimi u dashka të jemi/ Lart, nga shumë lart/ të na pushtojë dashuria…”. (Na ishte njëherë dashuria).

Pjesa e fundit mbyllet me 17 poezi, të cilat vijnë si meditime dhe abstragime mbi ripërtëritjen dhe përsosjen e dashurisë agape, të shenjuar tanimë për tjetrin si dashuri vepruese agapao, ku qenia lirike e poetit, pasi ka pësuar një proces të brendshëm katharsisi, përpiqet të veprojë me “një dashuri që nuk kërkon të sajat”, një dashuri ku flijohen dhimbja, tradhtia, humbja, klithmat. Ky nivel i lartë është prekje e hyjnores, e asaj hapësire pa cak e pa kohë dhe si e tillë kërkon dialogim me të përmes lutjes, dialogim jo më me njerëzoren, por me hyjnoren.

“Mbi krye kisha qiellin tënd të ujtë/ Nën këmbë ujra qiellorë/ të kaltër, të kaltër si ngjyrë amëshimi…/ Në ëndrra trazohej një kohë pa qiej”. (Nën qiellin tënd të ujtë).

“Kur dashuria të të jetë e përballueshme, njeri/ plot me ujë të gjallë sternat e shpirtit do të të mbushen/ burim që rrjedh e rrjedh pa pushim prej zemrës/ Do të derdhen sternat, do të derdhen/ si dashuria ime!/ Lutem, vetëm lutem/ kur dashuria të të jetë e përballueshme/ dhe më e bukur, dhe më e shndritshme/ llampa do të ndizet në hapat e tu/ të tremben hijet, hijet të tremben”. (Kur dashuria të të jetë e përballueshme).

Përmes krijimit të një imazhi sa të thjeshtë në dukje, po aq edhe tronditës për mushkëritë e shpirtit kur kupton se nuk ke të bësh thjesht me një njeri që pi ujë me grushte nga lumi, por me burrin e qiparistë që vjen prej dashurisë. Është ai që bën të veprojë dashuria e përkorë dhe që në të vërtetë është vetë dashuria, një dashuri pa fillim e mbarim, përndryshe një dashuri e përjetshme. Ky vëllim përmbyllet me arritjen e qëllimit poetik të prekjes, të përqafimit dhe të mbështjelljes së unit lirik me dashurinë agape. Mund të pohojmë që shqetësimi i poetes në këtë vëllim e kapërcen çështjen ontologjike të ekzistencës si qenie dhe arrin të paqtohet pasi identifikohet dhe njëjtësohet me natyrën esenciale, përmes lidhjes me dashurinë në formën agape.

“Ai vjen fill prej vjeshte dhe është i përkorë/ Nuk flet për veten dhe as për qiejt xhuxhë/ Nuk është prej fjalësh, por prej dashurie është…/ Pëllëmbët e tij mbështjellin fytyrën time/ si dashuria mbështjell atë/ Me të unë jam koha dhe koha është lumi ynë/ ende i parrëfyer deri në fund/ Lumë ku vëmë buzët në ujërat pa cak e zanafillë!”. (Përmbys mbi një lumë).

Përfytyrimi poetik që krijohet përmes përdorimit të shpeshtë të konceptit të dritës si prani dhe mungesë me diellin, mëngjeset, muzgjet, dritëhijet.., të ujërave në dete, lumenj, liqene.., të arratisjes prej vetes në kërkim të dashurisë në një hapësirë dhe kohë pa limit midis realitetit fizik dhe atij shpirtëror përmes mallit, vegimit, kujtimit, ëndrrës, lutjes.., të ndërmend ritin e pagëzimit të zhytjes në ujë me qëllimin e ripërtëritjes së personit në një krijesë të re. Prandaj kuptimi i këtij vëllimi mund të përcillet edhe si pagëzimi poetik përmes ujërave të gjallë.

Si përfundim, do të dallonim që kjo përmbledhje me poezi përfaqëson një nivel cilësor të pjekurisë së autores, në krahasim me veten në të gjithë procesin prej gati dy dekadash të krijimitarisë së saj poetike. Poezitë nuk vijnë thjesht si përjetime të çastit apo çlirime spontane të shpirtit, por të strukturuara sipas një mendimi poetik të qartë, me një vetëdije autoriale të qëndrueshme dhe të qëllimshme. Gjithashtu elementet që i sollëm në pah si vlera dhe që lidhen me tiparet postmoderniste, të tilla, si: dialogu i teksteve (intertekstualiteti), formati i çlirët i strukturës poetike, trajtimi i temave madhore të dashurisë dhe shpirtërores, i japin Velajt një vend të nderuar në poezinë postmoderne shqiptare, edhe pse, mbetemi të mendimit që ajo çfarë lexuesi ka nevojë nuk është një poezi që kufizohet brenda një drejtimi apo rryme letrare, por thjesht një poezi e bukurshkruar.

Qershor 2023


[1] Agapao është folje që kërkon veprimin, ndërsa agape është emër që cilëson konceptin e dashurisë. Në rastin e Velajt, uni lirik arrin të përjetojë dashurinë agape për veten dhe të veprojë sipas agapao për tjetrin.

[2] Kemi dalluar koncepte dhe motive biblike që në formën eksplicite shenjojnë tekstin biblik, ndërsa jemi të bindur që këto shenja dhe të tjera në korrelacion me figuracionin e ngjeshur implikojnë kuptime edhe më të thella implicite: amshim si pa mbarim, pa cak, pafundësi, e paanë, këmbanë, qirinj, kishë, vezë pashke, përndritje, përshkënditje, shëlbim, shpirt, ujëra të gjallë, Zanafillë, fruit i athët në asocacion me gjarprin, shpirti / firomë shpirti, Shpirti, Njeriu, gjuhë zjarri, farë sinapi, bisha, imzot, lutje, ringjallje, parajsa…

 [3] Kierkegaard, S. “Koncepti i ankthit”, “Plejad”, Tiranë, 2002.

[4] Kristeva, J. “Nous Deux or a (hi)story of intertextuality”, Romanic review, Jan-March 2002, 93, ½, Research Library.


Dr. Valbona Gaçe Avdullaj është studiuese e letërsisë shqipe. Ka punuar mbi 10 vjet me studimin e veprës së Migjenit. Teza “Intertekstualiteti biblik ne veprën e Migjenit” është vlerësuar maksimalisht nga komisioni vlerësues i ASA-s. Shkrimet dhe kumtesat e saj studimore në revista dhe konferenca shkencore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar kanë ofruar një qasje të re në aspektin e analizave intertekstuale, veçanërisht në ndërkomunikimin e letërsisë me Shkrimet e Shenjta.

 

Begaj takon fituesit e konkursit të gjuhës shqipe: Alfabeti, simboli më i bukur i bashkimit kombëtar

Në 116-vjetorin e Kongresit të Manastirit, në nderim të dijetarëve shqiptarë që vendosën njësimin e alfabetit shqip, Presidenti i Republikës,…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Begaj takon fituesit e konkursit të gjuhës shqipe: Alfabeti, simboli më i bukur i bashkimit kombëtar

Në 116-vjetorin e Kongresit të Manastirit, në nderim të dijetarëve shqiptarë që vendosën njësimin e alfabetit shqip, Presidenti i Republikës,…