Borxhi i vendeve afrikane dhe bashkëpunimi Kinë – Afrikë
Nga viti 2022, Kina ka falur 23 kredi pa interes në 23 vende
Nga Prof. Dr. Petraq Milo
Barra e borxhit publik të Afrikës është dyfishuar nga viti 2010 deri më sot. Të dhënat e borxhit të Dhjetorit 2022, nga statistikat ndërkombëtare, tregojnë se vendet afrikane kanë borxh në rreth 696 miliard USD. Borxhi në shtetet afrikane shkon prapa në periudhën koloniale kur qendrat perandorake u lanë trashëgim vendeve të reja të pavarura borxhet që kishin kontraktuar për interesat e tyre, duke i bërë ato jo legale dhe të paligjshme. Vendet e pavarura kishin pak mundësi për të financuar projektet e zhvillimit kombëtar dhe u detyruan të kontraktonin borxhe. Për më tepër, politikat e borxhit të ish-kolonive u inkurajuan nga konteksti ndërkombëtar i Luftës së Ftohtë, si në nivel ekonomik, ashtu edhe në atë politik. Situata u rëndua nga politikat neoliberale të rregullimit strukturor të imponuara nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në vitet 1980-1990, të kushtëzuara nga “reformat strukturore”, kryesisht masat shtrënguese fiskale dhe liberalizimi i ekonomisë.
Hekurudha e ndërtuar nga kompania kineze në Kenia/CFP
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore konsiderojnë se 22 vende afrikane me të ardhura të ulëta janë në rrezik të lartë për të përmbushur detyrimet financiare të borxhit dhe kërkohet ristrukturimi i borxhit që nga Nëntori 2022. Në një numër të konsiderueshme të vendeve afrikane shërbimi i borxhit arrin në 60 përqind të të ardhurave të tyre. Shumat e mëdha të parave që shtetet afrikane janë të detyruara të paguajnë çdo vit për shërbimin e borxhit kanë pasoja serioze në sektorët socio-ekonomikë të zhvillimit si shëndetësia dhe arsimi, aksesi në punësim të denjë, aksesi në energji elektrike dhe ujë të pijshëm. Sa më i lartë të jetë raporti i borxhit ndaj PBB-së, aq më pak ka gjasa që vendi të paguajë borxhin e tij dhe aq më i lartë është rreziku i falimentimit, gjë që mund të shkaktojë një panik financiar në tregjet e brendshme dhe ndërkombëtare. Një studim i Bankës Botërore zbuloi se vendet për të cilat raporti i borxhit ndaj PBB-së tejkalon 77 përqind të PBB për periudha të gjata, përjetojnë ngadalësime të konsiderueshme në rritjen ekonomike. Çdo pikë përqindje e borxhit mbi këtë nivel u kushton vendeve 0,017 pikë përqindje në ulje të rritjes ekonomike.
Të dhënat nga Banka Botërore tregojnë se borxhi i vendeve të Afrikës është në nivelin e 696 miliard USD. Nga ky nivel vetëm 73 miliardë USD dhe rreth 9 miliardë USD borxh privat mbahen nga Kina. Një numër ekonomistësh dhe studiuesish gjykojnë se kurthi i borxhit i Kinës ndaj Afrikës është i pabazuar nisur nga një sërë treguesish. Realiteti është se 12 përqind të barrës së borxhit vendet afrikane i detyrohen Kinës dhe huadhënësve kinezë. Ndërsa huadhënësit tregtarë dhe shumëpalësh janë kreditorët më të mëdhenj të borxhit të jashtëm total të Afrikës. Norma mesatare e interesit për kreditë nga huadhënësit privatë perëndimorë është pothuajse dyfishi i huadhënësve kinezë. Në vitin 2021, huadhënësit privatë ngarkuan me norma interesi 5%, ndërsa Kina dhe huadhënësit shumëpalësh ngarkuan përkatësisht 2.7% dhe 1.3%.
Treni i ndërtuar nga kompania kineze në Kenia/CFP
Bashkëpunimi Kinë-Afrikë ka sjellë përfitime të prekshme për vendet afrikane dhe njerëzit e saj Bashkëpunimi financiar i Kinës me Afrikën është kryesisht në zhvillimin e infrastrukturës dhe kapacitetin prodhues. Ai synon të rrisë aftësinë e Afrikës për t’u zhvilluar në mënyrë të pavarur dhe të qëndrueshme. Kina ka ndërtuar në Afrikë mbi 6,000 kilometra hekurudha, 6,000 kilometra rrugë, gati 20 porte dhe mbi 80 objekte të gjera energjie dhe ka ndihmuar në ndërtimin e mbi 130 spitaleve dhe klinikave, mbi 170 shkollave, 45 qendrave sportive, dhe mbi 500 projekte bujqësore atje. Këto projekte kanë luajtur një rol thelbësor në nxitjen e zhvillimit socio-ekonomik të Afrikës dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve, dhe janë vlerësuar gjerësisht nga vendet afrikane.
Hekurudha e ndërtuar nga kompania kineze në Kenia/CFP
Sipas parashikimit të Bankës Botërore, nëse të gjitha projektet e infrastrukturës së transportit të Iniciativës një Brez një Rrugë (BRI) realizohen deri në vitin 2030, ky projekt do të gjenerojë 1.6 trilion dollarë të ardhura në vit, ose 1.3% të PBB-së globale. Deri në 90% të të ardhurave do të shkojnë për vendet partnere dhe ekonomitë e korridorit me të ardhura të mesme dhe të ulëta të cilat pritet të përfitojnë më shumë. BRI mund të kontribuojë në nxjerrjen e 7.6 milionë njerëzve nga varfëria ekstreme dhe 32 milionë nga varfëria e moderuar nga viti 2015 deri në vitin 2030. Linja hekurudhore Kenias Mombasa-Nairobi dhe porti në detin Lekkti në Nigeri janë një shembull domethënës. Ky investim ka nxitur zhvillimin socio-ekonomik të Kenias dhe ka përmirësuar jetesën e njerëzve, që kur filloi të funksionojë pesë vjet më parë, duke kontribuar mbi 2 përqind në PBB-në e Kenias dhe krijuar afro 50,000 vende pune në Kenia. Mbi 80 për qind e punonjësve të tyre janë vendas. Porti i sapo inauguruar i Detit Lekki në Nigeri, që mbetet porti më i madh i detit të thellë në Afrikën Perëndimore, pritet të gjenerojë afro 360 miliardë dollarë përfitime të përgjithshme ekonomike dhe të krijojë 170,000 vende pune.
Ura e ndërtuar nga kompania kineze në Mozambik/CFP
Kina është kontribuuesi më i madh në Iniciativën për Pezullimin e Shërbimit të Borxhit të G20. Kina ka qenë gjithmonë e përkushtuar për të ndihmuar Afrikën për të lehtësuar barrën e saj të borxhit. Ajo ka marrë pjesë aktive në Iniciativën e Pezullimit të Shërbimit të Borxhit të Grupit të 20 (G20), ka nënshkruar marrëveshje ose ka arritur konsensus me 19 vende afrikane për lehtësimin e borxhit dhe ka pezulluar pagesat më të mëdha të shërbimit të borxhit midis anëtarëve të G20 . Kina ka qenë gjithashtu e angazhuar në mënyrë aktive në trajtimin rast pas rasti të borxhit për Çadin, Etiopinë dhe Zambinë nën Kornizën e Përbashkët të G20. Kina ristrukturoi ose rifinancoi rreth 15 miliardë dollarë borxhin afrikan midis viteve 2000 dhe 2019.
Kina gjithashtu ka luajtur një rol në ristrukturimin e borxhit të jashtëm të disa vendeve afrikane si Zambia, i cili u bë vendi i parë afrikan që fali borxhin e tij gjatë pandemisë. Gjithashtu nga viti 2022, Kina ka falur 23 kredi pa interes në 23 vende. Kina, së bashku me Francën, po kryesojnë komitetin t’u marrë me përpjekjet për lehtësimin e borxhit. Zgjidhja e qëndrueshmërisë së borxhit të Afrikës do të kërkojë bashkëpunimin e Kinës, kombeve afrikane, anëtarëve të Klubit të Parisit dhe aktorëve të tjerë kryesorë. Më 11 Janar 2023, Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës lëshoi një deklaratë duke pohuar angazhimin e Kinës për të ndihmuar barrën e borxhit të Afrikës duke u bashkuar me Iniciativën e Pezullimit të Shërbimit të Borxhit të Grupit të 20 (G20) dhe duke nënshkruar marrëveshje të ndryshme.
CFP