Rama: Kalim, brenda këtij mandati, në një sistem prokurimesh komplet teknologjik
Kryeministri: Mundësitë dhe sfidat janë të jashtëzakonshme në çdo drejtim dhe për t’i adresuar siç duhet
Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot në fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së se, “kemi kaq shumë punë për të bërë dhe na duhet aq shumë angazhim në çdo drejtim, aq shumë fokus te sfidat e vendit e Partinë Socialiste në këtë udhëkryq strategjik të rrugës sonë 2030”.
Prandaj, shtoi Rama, “duhet të përqendrohemi dhe të bashkëveprojmë shumë më tepër në çdo nivel, se kjo e historive të zullumqarëve është vetëm një pjesë dhe fatmirësisht jo pjesa më e madhe e problemit, po është dhe historia e shpejtësisë, historia e aftësisë, historia e gjithë energjisë që duhet vënë në dispozicion, çdo nivel për të thelluar reformën, për të përmirësuar qeverisjen, qeverisjen qendrore dhe qeverisjen vendore, për të fuqizuar dhe për të zgjeruar komunitetin tonë politik, përtej partisë sepse 1000 herë e kemi përsëritur, partia jonë është më pak se 100 mijë veta, votuesit tanë po i afrohen 1 milionëve dhe ne duhet ta shohim këtë bashkësi votuesish si komunitetin tonë, jo thjesht si radhën e dytë më shumë numra të mbështetjes për ne”, u shpreh Rama.
“Jetojmë në një kohë shumë të ngarkuar. Europa nuk është në luftë vetë, por është e përkushtuar me gjithsej, me të gjitha problematikat që ky gjithsej i kërkon të përballesh që në luftën e Ukrainës të triumfojë e drejta ndërkombëtare, jo padrejtësia e një agresioni brutal ndaj territorit të një shteti sovran. BE-ja është në një fazë të ndërlikuar, plot me oportunitete të reja, por edhe me rreziqe jo të vogla dhe këtu më e rëndësishmja për ne është se BE-ja është në një proces reflektimi pozitiv ndaj rajonit tonë, për të cilin ne e kemi luajtur, po e luajmë dhe do e luajmë rolin tonë shumë aktiv”, tha Rama.
“Rajoni është në një udhëkryq të ri me dialogun Kosovë-Serbi në një tjetër qorrsokak, me situatën, jo të qëndrueshme në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut që është në një situatë dramatike mes domosdoshmërisë strategjike që të kalojë sprovën e ndryshimeve kushtetuese në funksion që të vazhdojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe populizmit taktik që kërcënon me verbëri pikërisht ecurinë europiane të shtetit fqinj. Bosnje dhe Hercegovina dihet se në çfarë kompleksiteti të rrezikshëm gdhihet dhe ngryset çdo ditë.”, theksoi Rama.
“Shqipëria është sot në pozicionin e vet më të mirë ndonjëherë, në Europë dhe në rajon, por duhet të vazhdojë me ritme të reja, të fuqizohet së brendshmi, duke hedhur hapa të tjerë, hapa të mëdhenj përpara, me një sens shumë më të fortë krenarie kombëtare në përballimin e sfidave të reja të zhvillimit, me një vetëdije më të madhe kolektive për ndryshimet jo të lehta që duhen bërë sot, në disa drejtime”, tha Rama.
“Në arsim, nuk mund të vazhdojmë ta lemë situatën në këtë disbalancë totale mes kërkesave që ka kjo ekonomi dhe ky treg dhe inercisë “të gjithë nëpër gjimnaze”, sistemin e financimit të ekonomisë, politikat sociale e me radhë, të mos i përmend të gjitha të tjerat, por me fokus shumë më të madh në objektivat jetike afatmesme. Shqipëria 2030 duhet të jetë obsesion në mendjen dhe në veprimin e kësaj partie”, u shpreh kreu i qeverisë.
“Nuk kemi ne punë fare me të tjerët, me të tjerët nuk flas për njerëzit, por flas për të tjerët në këtë arenën ku ne nuk kemi kundërshtarë. Asnjë punë. Nga ana tjetër, jemi shumë të ekspozuar ndaj rrezikut që të na duket se jemi mirë. Jo nuk jemi mirë.Ne të parët duhet të kuptojmë këtë; ne mund të themi “Mirë” dhe mund të ulemi për të lënë stafetën kur të arrijmë majën e Shqipërisë 2030, vetëm atëherë.Deri atëherë, për ne nuk ka mirë, për ne ka vetëm edhe më mirë, edhe më mirë, edhe më mirë”, nënvizoi Rama.
“Duhet të kemi gatishmëri shumë më të lartë, ne sot për ta përshpejtuar integrimin e teknologjisë digjitale në funksionimin e gjithë shtetit shqiptar. Kemi bërë gjëra shumë të rëndësishme, por bota…Teknologjia digjitale është bekimi më i madh që koha i ka dhënë vendeve në zhvillim si ne, se na jep mundësi të paimagjinueshme për t’i shkurtuar brenda një kohe shumë më të shkurtër, në shumë drejtime, distancat me botën e vendeve të zhvilluara se na ofron mundësinë të kapërcejmë, përmes progresit eksponencial, që deri dje ishte linear nëse do të prodhonte Gjermania një tip të ri makine shkrimi, kur të vinte radha që makina e shkrimit të vinte në Shqipëri do duhen më parë të furnizohej gjithë dynjaja atje, sa për ta sjellë një shembull”, theksoi Rama.
“Sot ato janë aty të gjitha. Për kë i kap e për kë i bën? Ne nuk pyesim fare sa i zhvilluar je apo sa i pazhvilluar je. I kape, i bëre, kapërceve. Ne sot kemi mundësi që, jo vetëm ta dëshirojmë apo thjesht ta parafytyrojmë, sa mirë do ishte ta bënim, por ta bëjmë realisht, ta bëjmë brenda, pse jo, brenda këtij mandati kalimin e një sistem prokurimesh komplet teknologjik përmes Inteligjencës Artificiale, që i bën të panevojshëm të gjithë komisionet e tenderëve, me këtë rast do kemi dhe më pak kandidatë për t’u futur në komisione se nuk do ketë komisione fare e më këtë rast do kemi edhe më pak që do shkojnë e do përfundojnë në SPAK-ra nga injoranca se e dimë shumë mirë që, një pjesë e atyre as nuk e dinë fare se për çfarë kanë firmosur, por do t’i kursejmë shtetit kushedi sesa fonde dhe kushedi sesa kohë dhe do ta zhbëjmë komplet korrupsionin në prokurime siç bën drita errësirë dhe kjo është diçka që nuk është fanta-shkencë, por është njëri nga projektet që e kemi nisur dhe nuk e kemi nisur brenda nesh se kemi parë në televizor apo në Youtube, por e kemi nisur me skuadrën e platformës OpenEye, nga kompania e Microsoft që punon ngushtësisht me AKSHI-n dhe me institucionet e përfshira në këto projekte”, tha Rama.
“Mundësitë dhe sfidat janë të jashtëzakonshme në çdo drejtim dhe për t’i adresuar siç duhet, na duhet në radhë të parë ta kuptojmë se për çfarë jemi këtu, për të bërë llogaritë e turistëve dhe për t’u ulur të kënaqur, sa mirë apo për të bërë një kapërcim epokal duke shfrytëzuar edhe teknologjinë?”, u shpreh kryeministri Rama.