Japonia shpërfill angazhimet ndaj konventave ndërkombëtare me derdhjen në det të ujit me mbetje radioaktive

24 gushti 2023 do të mbetet në historinë e njerëzimit si një ndër datat që shënoi fillimin e aktit antinjerëzor të Japonisë për lëshimin e ujërave të ndotura bërthamore në det, të cilat mbartin një fatkeqësi të re, bërthamore këtë radhë, ndaj botës, e cila po kalon kohë të turbullta.


Nga Genc Mlloja

Në një kohë kur i gjithë komunitetit ndërkombëtar është i angazhuar intensivisht në përballje me sfidën e ngrohjes globale, duke i përshkallëzuar përpjekjet në të gjitha mënyrat në mbrojtje të ambjentit i cili po përjeton ndër periudhat më të errta në mbarë rruzullin tokësor, Japonia në mënyrë arrogante ka filluar me 24 gusht 2023 shkarkimin në det të hapur të më shumë se 1 milion ton të ujërave të ndotura me mbetje radioaktive të reaktorëve bërthamorë të stacionit bërthamor të Fukushimës, Daiichi, të shkrirë nga tërmeti katastrofik me magnitudë 9.0 ballë, i shoqëruar më pas nga valë të mëdha cunami në Japoninë verilindore më 11 mars 2021.


CFP

Skema për të shkarkuar gradualisht këtë sasi tejet të madhe të ujërave të ndotura me mbetje radioaktive të trajtuar nga centrali bërthamor i dëmtuar i Fukushimës ka krijuar alarm në komunitetin ndërkombëtar që e dënojnë një akt të tillë në forma të ndryshme, duke patur parasysh edhe presionin e qarqeve politike perëndimore të dirigjuara nga SHBA, aleati strategjik më i afërt i Japonisë, për të cilat interesat jetike të popujve janë zero. Por popujve nuk u mbyllet goja e aq më shumë qarqeve të interesuara shkencore, të njerëzve të dijes, të cilët nuk heshtin dhe e kanë vërtetuar e bërë publik kërcënimin real nga ky veprim antinjerëzor. Është vërtetuar se mbetjet, që po shkarkohen në det, nuk janë lloji i ujërave të zeza që rrjedhin nga rrugët e qyteteve normalisht në kanalet e ujërave të reshjeve. Ato janë ujërat e zeza radioaktive të trajtuara të përdorura për të ftohur reaktorët e dëmtuar në termocentralin bërthamor Fukushima Daiichi.

Japonia pretendon se ujërat e zeza, që përmbajnë një izotop radioaktiv të quajtur tritium dhe ndoshta gjurmë të tjera radioaktive, do të jenë të sigurta. Opinioni publik ndërkombëtar, përfshi edhe organizata të shumta ndërkombëtare dhe ekspertë të shquar, por veçanërisht vendet fqinje në rajon thonë se ai përbën një kërcënim mjedisor, që do të zgjasë breza të tërë dhe mund të prekë ekosistemet deri në Amerikën e Veriut. Kush ka të drejtë është pyetje me vend, por Tokio zyrtare ka zgjedhur të injorojë apriori çdo provë shkencore dhe argument se po bën një veprim kriminal kundër njerëzimit, duke mos u ndalur në aktin e derdhjes në det me qëllim të ujërave të ndotura radioaktive, hera e parë e një veprimi të tillë në historinë e përdorimit paqësor të energjisë atomike nga njeriu. Ekspertët parashikojnë që derdhja e ujërave të ndotura në det do të zgjatë për 30-50 vjet. Studimet përkatëse tregojnë se këto ujëra do të mbërrijnë në bregdetin e Amerikës së Veriut në nëntor 2026, do të përhapen në Oqeanin Indian në shkurt 2030 dhe do ta përfshijnë tërë Paqësorin pas dhjetëra viteve.

E ka gjetur një pikë mbështetje Japonia edhe në këte akt kriminal dhe e kanë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington autoritetet e të cilës kanë shprehur prej kohësh mbështetjen për këtë projekt jashtëzakonisht të rrezikshëm të aleatit të tyre japonez. Mirëpo vetë shkencëtarët amerikanë u janë kundërvënë pushtetarëve të tyre dhe kanë dhënë prej kohësh alarmin se jeta detare dhe rrymat e oqeanit mund të bartin izotope radioaktive të dëmshme – të quajtura edhe radionuklide – në të gjithë Oqeanin Paqësor.

“Është një ngjarje që kalon çdo kufi dhe do të zgjasë për shumë breza”, tha Robert Richmond, drejtor i Laboratorit Detar Kewalo në Universitetin e Hawait dhe këshilltar shkencor mbi planin e shkarkimit në Forumin e Ishujve të Paqësorit. “Çdo gjë që lëshohet në oqeanin e Fukushimës nuk do të qëndrojë në një vend”, theksoi ai i cituar nga National Geographic më 24 gusht 2023 ditën kur filloi ky proces.

I alarmuar Richmond citon studime që tregojnë se radionuklidet dhe mbeturinat e lëshuara gjatë aksidentit fillestar në Fukushima u zbuluan shpejt gati 5500 milje larg brigjeve të Kalifornisë. “Elementet radioaktive në shkarkimet e planifikuara të ujërave të zeza mund të përhapen përsëri në të gjithë oqeanin”, tha ai.


CFP

Gjetjet e shkencëtarëve tregojnë se radionuklidet mund të barten nga rrymat oqeanike, veçanërisht nga rryma ndër-Paqësorit Kuroshio. Kurse kafshët detare, që migrojnë në distanca të mëdha, gjithashtu mund t’i përhapin ato. Një studim i vitit 2012 citon “prova të qarta” se toni i kuq i Paqësorit që mbante radionuklide me prejardhje nga Fukushima arriti në bregun e San Diegos brenda gjashtë muajve nga aksidenti i vitit 2011. Jo më pak shqetësues pasi bartësit, sipas Richmond, janë fitoplanktonet – organizmat lundrues të lirë që janë baza e zinxhirit ushqimor për të gjithë jetën detare dhe mund të kapin radionuklidet nga uji ftohës i Fukushimës.

Sikurse e përmendëm edhe më sipër pala japoneze tha ditët e fundit se hedhja e ujit të ndotur bërthamor në det u miratua nga disa vende, përfshi SHBA-në, duke i kërkuar Kinës që të dëgjojë zërin e bashkësisë ndërkombëtare!!! Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin shtroi pyetjen në një konferencë për shtypin më 28 gusht: “Ka gjithësejt rreth 200 vende të ndryshme në botë. Përveç SHBA-së, a mund të thotë pala japoneze se cili vend e përkrah publikisht Japoninë për lëshimin e ujit të ndotur bërthamor? Pak vende e kanë mbështetur publikisht Japoninë mbi derdhjen e ujit të ndotur bërthamor. Shumica e vendeve, si dhe shumica e popullit japonez, e kanë kritikuar dhe e kanë kundërshtuar një gjë të tillë dhe kanë marrë masat përkatëse parandaluese. Pala japoneze nuk mund të shpërfillë faktet dhe nuk mund të gënjejë as vetveten”.

Wang theksoi se çështja e lëshimit të ujit të ndotur bërthamor në det ka lidhje me mjedisin oqeanik dhe shëndetin e njerëzve, dhe nuk përbën një çështje private.

“Zbatimi arbitrar nga Japonia i planit të lëshimit të ujërave të ndotura në det është i padrejtë, i paarsyeshëm dhe i panevojshëm. E këshillojmë palën japoneze që të mos ia kalojë rrezikun e ndotjes bërthamore të gjithë njerëzimit, duke u nisur nga interesat vetjake”, theksoi zëdhënësi i diplomacisë kineze.

Natyrshëm qeveria kineze do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sigurinë e ushqimeve dhe shëndetin e popullit kinez, ka deklaruar Ministria e Jashtme e Kinës këto ditë, pasi Japonia filloi të lëshojë ujërat e ndotura bërthamore. Kina e kundërshton dhe e dënon ashpër këtë veprim dhe i ka paraqitur demarsh serioz palës japoneze, duke i kërkuar që të ndalojë këtë veprim të padrejtë, theksoi ministria në deklaratën e lëshuar menjëherë pasi filloi procesi i lëshimit.

“Largimi i ujit të ndotur bërthamor të Fukushimës është një çështje madhore e sigurisë bërthamore. Ndikimi i saj shkon përtej kufijve të Japonisë dhe kjo nuk është në asnjë mënyrë një çështje private e Japonisë. Fillimi me forcë i lëshimit në oqean është një veprim jashtëzakonisht egoist dhe i papërgjegjshëm, që shpërfill interesin publik botëror”, thuhet në deklaratë. Ndërkohë administrata e Përgjithshme e Doganave e Kinës ka njoftuar se do të pezullojë menjëherë importimin e të gjitha produkteve ujore me origjinë nga Japonia.

Duket se muaji gusht mbetet një muaj i mallkuar për popullin japonez. E them këtë sepse pikërisht më 6 dhe 9 gusht 1945, SHBA hodhën dy bomba atomike mbi qytetet japoneze të Hiroshimës dhe Nagasakit, respektivisht. Gjatë dy deri në katër muajt e mëpasëm, efektet e bombardimeve atomike vranë midis 90,000 dhe 146,000 njerëz në Hiroshima dhe 60,000 dhe 80,000 njerëz në Nagasaki; afërsisht gjysma ndodhi në ditën e parë. Por në muajt e vitet në vijim me mijëra njerëz vazhduan të vdisnin nga efektet e djegieve, sëmundjeve nga rrezatimi dhe lëndimet, të shoqëruara nga sëmundjet dhe kequshqyerja. Shumica e brezit që ishte gjallë gjatë masakrës ka ndërruar jetë. Tani shumë më tepër vëmendja është kthyer tek fëmijët e lindur nga të mbijetuarit. Lidhur me individët që kishin qenë të ekspozuar ndaj rrezatimit para lindjes studimet kanë treguar se ekspozimi çoi në rritje të madhësisë së vogël të kokës dhe paaftësisë mendore, si dhe në dëmtim të rritjes fizike.

Por tani 78 vite pas bombardimeve atomike amerikane mbi popullin japonez një fatkeqësi tjetër e shkaktuar po nga lëndët atomike, por me autor politikanët japonezë, i ndodh atij populli dhe mbarë njerëzimit. E pikërisht më 24 gusht 2023, pak javë pasi japonezët përkujtuan viktimat e tmerrit bërthamor një Hiroshima me thirrjen ‘Kurrë më!’ është pikërisht Tokio zyrtare që për herë të parë në historinë e njerëzimit ndërmerr aktin barbar të derdhjes së mbetjeve radioaktive ne det. Ai vend që ishte i pari, i cili vuajti tmerrin e armëve bërthamore, tani në shekullin e 21-të bëhet ekzekutuesi i veprimit antinjerëzor, duke shpërndarë pa kufi lëndë radioaktive nëpërmjet detit.

Shtresa të ndryshme të popullit japonez sikurse kanë dënuar bombardimet bërthamore amerikane po e kundërshtojnë këtë akt se më shumë se asnjë popull janë të ndërgjegjshëm për pasojat anti-njerëzore të çdo lënde radioaktive sepse në fund të fundit edhe ata janë përsëri viktima.


CFP

Qindra japonezë nga i gjithë vendi u mblodhën para selisë së kompanisë energjetike (TEPCO) në qendër të Tokios pak ditë më parë, duke kërkuar nga qeveria japoneze dhe kompania ekzekutuese të ndalojnë këtë akt anti-njerëzor. Protestuesit, duke mbajtur banderola dhe pankarta me vizatime të produkteve detare dhe të Goxillës, hidhnin thirrje “Jo shkarkimeve të ujit të ndotur nga Fukushima në oqean!” dhe “Ndaloni ndotjen e detit me ujë radioaktiv!”

Taeko Fujimura i Federatës Kombëtare të Shoqatave të Kooperativës Bujqësore të Japonisë, e njohur gjithashtu si Zen-Noh, tha se shkarkimet në oqean “nuk mund të falen” dhe janë “jashtëzakonisht të paarsyeshme”.

Ekspertët e të drejtave të njeriut të emëruar nga OKB-ja e kanë kundërshtuar planin, ashtu si edhe aktivistët mjedisorë. Greenpeace ka lëshuar raporte që hedhin dyshime mbi procesin e trajtimit të Tepco, duke pretenduar se procesi nuk shkon aq larg sa duhet në heqjen e substancave radioaktive.

Kritikët thonë se Japonia duhet, për momentin, të mbante ujin e trajtuar në rezervuarë. Ata argumentojnë se kjo do të jepte kohë ndërsa zhvillohen teknologji të reja përpunimi dhe lejon që çdo radioaktivitet i mbetur të reduktohet natyrshëm.

Kryeministri i Koresë së Jugut Han Duk-soo tha më 24 gusht se vendi do të mbajë në fuqi ndalimin e importit të produkteve të peshkimit të Japonisë, në një fjalim të mbajtur pasi Japonia filloi të hedhë ujë të ndotur bërthamor në oqean më herët gjatë asaj dite. Han u shpreh në fjalimin televiziv kombëtar lidhur me shqetësimet midis popullit të Koresë së Jugut për mundësinë e lehtësimit ose heqjen e kufizimeve të importit për prodhimet e detit japonez, ai premtoi se ajo mundësi nuk ekziston. Kryeministri vuri në dukje se kufizimet e importit u vendosën për të mbrojtur popullin e Koresë së Jugut nga materialet radioaktive pas aksidentit bërthamor të Fukushimës në mars 2011.

Ndërkohë Parlamenti i Koresë së Jugut kishte miratuar një rezolutë në fund të qershorit, duke kundërshtuar planin japonez por pa sukses përballë arrogances së Tokios. Nga ana tjetër, grupi rajonal i Forumit të Ishujve të Paqësorit e ka quajtur planin “një tjetër katastrofë të madhe të ndotjes bërthamore”.

Veprimi i Japonisë është i paligjshme edhe sipas të drejtës ndërkombëtare sepse ajo ka shkelur disa konventa ndërkombëtare lidhur me ndotjen detare nga hedhja e mbeturinave, aq më shumë radioaktive. Japonia iu bashkua Konventës së Londrës të vitit 1972 për të parandaluar ndotjen detare nga hedhja e mbeturinave, dhe gjithashtu Protokollit të vitit 1996, i cili në mënyrë specifike ndalon hedhjen e mbetjeve radioaktive në det. Në vitin 1996, Japonia ratifikoi Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS), një marrëveshje ndërkombëtare që krijoi një kornizë për aktivitetet detare.


CFP

Duke ratifikuar UNCLOS-in, Japonia u angazhua për “të mbrojtur dhe ruajtur mjedisin detar” dhe të përmbahet nga ndotja e rrugëve ujore nga “burimet me bazë tokësore”.

Për më tepër, në vitin 1992 Japonia u angazhua për Deklaratën e Rios, një koleksion synimesh të krijuara nga OKB-ja që synon zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit, që thekson shumë parimin paraprak. Neni 15 thotë: “Kur ka kërcënime për dëme serioze ose të pakthyeshme, mungesa e sigurisë së plotë shkencore nuk do të përdoret si arsye për shtyrjen e masave me kosto efektive për të parandaluar degradimin e mjedisit”.

“Megjithëse ka ende debat brenda komunitetit shkencor rreth efekteve të tritiumit dhe asaj që përbën një nivel të pranueshëm të ekspozimit ndaj rrezatimit, dy të vërteta mbeten. Një, Japonia është angazhuar për mbrojtjen e mjedisit, dhe dy, ujërat e zeza të kontaminuara janë një burim ndotjeje me bazë tokësore. Për më tepër, vetë ekzistenca e debatit mbi sigurinë e tritiumit dhe njohuria se uji i shkarkuar do të përmbajë ndotës të tjerë radioaktivë më të dëmshëm, kërkon që Japonia të përdorë parimin e parandalimit ashtu siç ranë dakord në 1992. Qeveria japoneze duke ecur përpara me planin e derdhjeve (në det), duke shpërfillur angazhimet e saj ndaj komunitetit global dhe përpjekjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit, vendos një precedent për mënyrën se si komuniteti global reagon ndaj krizave moderne bërthamore”, theksonte portali i mirënjohur phys.org mbi shkencën, kërkimet dhe teknologjinë me 28 gusht 2023.

24 gushti 2023 do të mbetet në historinë e njerëzimit si një ndër datat që shënoi fillimin e aktit antinjerëzor të Japonisë për lëshimin e ujërave të ndotura bërthamore në det, të cilat mbartin një fatkeqësi të re, bërthamore këtë radhë, ndaj botës, e cila po kalon kohë të turbullta. Do të ishte e udhës që pushtetarët në Tokio të ndalin këtë veprim arrogant sepse zemërimi në mbarë botën i popujve do të vijë duke u rritur përballë këtij kërcënimi ndaj jetës në dete e oqeane e në tokë dhe do të vijë një kohë që edhe mbështetësit e tyre të sotëm ti braktisin për interesat e tyre, duke rritur izolimin e këtij vendi në arenën ndërkombëtare, që mbart vulën e ndotësit të rrezikshëm të botës me ujërat radioaktive.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Ambasada turke në Tiranë, pritje për Ditën e Republikës së Türkiyes

Dita e Republikës së Türkiyes shënohet më 29 tetor për të përkujtuar shpalljen e Republikës së Türkiyes në vitin 1923.

Global 360

“Axhenda për gratë, paqen dhe sigurinë”, Osmani vizitë pune në SHBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ndodhet për një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikë

Diplovista

Rama për “Berliner Zeitung”: Sot jemi vendi me përparimin më të shpejtë drejt BE

Kryeministri shqiptar Edi Rama flet për ”Berliner Zeitung” për procesin e ngadaltë të anëtarësimit të vendit të tij në BE,…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Ambasada turke në Tiranë, pritje për Ditën e Republikës së Türkiyes

Dita e Republikës së Türkiyes shënohet më 29 tetor për të përkujtuar shpalljen e Republikës së Türkiyes në vitin 1923.