I ngarkuari i përkohshëm me punë i ambasadës së Kinës në Shqipëri merr pjesë në veprimtarinë e Ditës së Gjuhës Kineze
I ngarkuari i përkohshëm me punë i ambasadës kineze në Shqipëri Wang Dexin mori pjesë në veprimtarinë me rastin e Ditës së Gjuhës Kineze të OKB-së
I ngarkuari i përkohshëm me punë i ambasadës kineze në Shqipëri Wang Dexin mori pjesë të enjten në veprimtarinë me rastin e Ditës së Gjuhës Kineze të OKB-së, të organizuar nga Instituti “Konfuci” i Universitetit të Tiranës.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe zv.dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës Drita Rira, kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë Spartak Nano, drejtorja kineze e Institutit “Konfuci” Zhang Xiaoying, drejtori shqiptar i këtij instituti Erion Malaj, studentë e ish-studentë në Kinë dhe dashamirës të gjuhës kineze.
Në fjalimin e tij, Wang Dexin tha se tema e Ditës së Gjuhës Kineze të këtij viti “Kinezishtja: Promovimi i dialogut ndërmjet qytetërimeve”, përputhet me Nismën e Qytetërimit Global të paraqitur pak kohë më parë nga presidenti i Kinës Xi Jinping.
“Shohim me gëzim se, me zhvillimin e pandërprerë të Kinës dhe me thellimin e lidhjeve ndërmjet Kinës e botës, gjithnjë e më shumë njerëz në mbarë botën po e mësojnë gjuhën kineze. Me përkrahjen e fortë të palës kineze, Instituti ‘Konfuci’ pranë Universitetit të Tiranës ka zgjeruar përmasën e vet, ka pasuruar kurset, ka krijuar kushte të mira për shqiptarët e moshave të ndryshme të mësojnë gjuhën kineze dhe ka dhënë kontribut të dukshëm për përhapjen e gjuhës kineze në Shqipëri,” u shpreh z. Wang.
Ai shprehu shpresën se mësimi i kinezishtes do t’u hapë miqve shqiptarë dyert e njohjes së kulturës kineze dhe do të shtojë miqësinë e bashkëpunimin gjatë dialogut ndërmjet qytetëtimeve, për të kontribuuar në të ardhmen më të bukur të marrëdhënieve kino-shqiptare.
Burimi: CRI.CN