Kisha mbi 400-vjeçare e “Shën Mërisë” së Pazarit në Përmet
Kisha i është kushtuar “Lindjes së Hyjlindëses” dhe kremton më 8 shtator.
Nga Andrea Llukani
KISHA E “SHËN MËRISË” SË PAZARIT
PËRMET, VITI 1600
Kisha e “Shën Mërisë së Pazarit” gjendet në qendër të Përmetit. Kisha i është kushtuar “Lindjes së Hyjlindëses” dhe kremton më 8 shtator. Ka qenë kishë e tipit të bazilikës me kupolë dhe kishte një kambaneri.
Muratura e kishës përbëhej nga blloqe të bardhë guri, të cilët lidhen me njeri tjetrin me një shtresë të hollë gëlqereje.
Kisha mbulohej nga një çati dyujse. Kisha kishte përmasa 20×14 metra. Kjo kishë është ndërtuar rreth vitit 1600 pranë pazarit dhe u shërbënte zejtarëve dhe tregtarëve përmetarë. Themelet e kishës u hodhën nga përmetari Zoto Loli.
Në vitin 1814 kisha u pikturua prej Paskal Trandafilit me interesimin e Janaq Prevezhanit. Këtë fakt e vërteton mbishkrimi: “Ndihmo shërbëtorin e zotit Janaq Prevezhani 1814”.
Gjatë viteve të kryepriftërisë së Mitropolitit të Korçës Meletit (1816-1827) kisha u zgjerua me kontributet e mbledhura nga banorët përmetarë.
Por me kalimin e viteve, kisha nuk mund ti plotësonte nevojat e komunitetit ortodoks të qytetit prandaj përmetarët donin të ndërtonin një kishë më të madhe.
Punimet për ndërtimin e kishës së re kanë filluar në vitin 1929. Në vitet 1930 pasi u mbaruan fondet e mbledhura për ndërtimin e kishës, ajo mbeti vetëm si karabina, me dysheme të pashtruar dhe mure të pasuvatuar.
Gjatë Luftës II Botërore kisha pësoi shumë dëmtime nga bombardimet. Në 16 nëntor të vitit 1962 qyeti i Përmetit u përmbyt dhe bashkë me të edhe kisha. Në vitin 1963 mbi karabinanë e kishës u ndërtua Pallati i Kulturës së qyetit të Përmetit. Në ceremoninë e inagurimit ka marrë pjesë edhe Kryeepiskopi Pais Vodica.
Muret mbajtës të kishës deri në një farë lartësie u ruajtën të paprekura, por u shkatërrua pjesa e sipërme e tyre. U mbyllën dritaret dhe hyrjet ekzistuese të kishës dhe u hapën dritare dhe hyrje të reja. Pjesa që u prish nga muret e kishës u shtua rreth dy metra me tulla të kuqe.
Megjithë ndërhyrjet kanë mbetur format origjinale të ndërtimit të kishës. Në lartësinë e murit perëndimor mund të shquhet forma e kambanerisë.
Muret e kishës janë të ndryshëm nga ata të Pallatit të Kulturës si nga gjerësia ashtu edhe nga materialet e përdorur për ndërtimin e tyre. Gjithashtu edhe ekzistenca e harkut të pjesës lindore të kishës përbën faktin kryesor të ruajtjes së skeletit të kishës me gjithë transformimet e bëra