Investimet e Huaja Direkte arritën në 686 milionë euro, në rritje me 7.9%
51% e investimeve të huaja direkte ishin fitime të riinvestuara, ndërsa 49% e totalit ishin injektime të reja të kapitalit.
Investimet e Huaja Direkte regjistruan rritje duke shënuar vlera të reja rekord për tremujorin e dytë dhe të gjithë 6-mujorin e parë të vitit 2023.
Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, për tremujorin e dytë, vlera e Investimeve të Huaja Direkte arriti në 379 milionë euro, në rritje me 12.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e Investimeve të Huaja Direkte arriti në 686 milionë euro, me një rritje 7.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas BSH-së, rritja e Investimeve të Huaja Direkte është mbështetur nga shtimi i flukseve të reja dhe nga rritja e fitimeve të riinvestuara të investitorëve ekzistues.
51% e investimeve të huaja direkte ishin fitime të riinvestuara, ndërsa 49% e totalit ishin injektime të reja të kapitalit.
Sipas BSH-së, flukset valutore hyrëse në formën e Investimeve të Huaja Direkte ishin të përqendruara në pasuri të paluajtshme, në masën 20%, në sektorin e hidrokarbureve, në masën 17%, në sektorin financiar, në masën 15% dhe në energjetikë, në masën 9% të totalit. (ATSH)