Ferri i “amerikanit”, që mbajti fjalën
Përsiatje mbi romanin “Amerikani”, Odise Kote, “Botimet Toena”, 2022
Nga Arbër Ahmetaj, Revista Letrare
Romani befasues i Odise Kotes nis në qiell, me një fluturim nga Vjena drejt Tiranës dhe përfundon në ferr, në burgun e Ballshit dhe kampeve të tjera të shpërfytyrimit! Kjo është bileta njëdrejtimëshe që ka blerë Nelson Andrea, të cilit i duhen njëzetë e tre vjet që të kuptojë se çfarë i ka ndodhur.
Nelson Andrea, violinist shqiptaro-amerikan, larguar nga vendi që dy vjeç, kthehet nga Amerika në Shqipëri, duke kaluar nga burgu në persekutim e anasjelltas.
“Imperialisti”, “Amerikani”, “Neloja” përbëjnë tashmë identitetin e tij, emra me të cilët e thërrasin hetuesit, togerët e dhunës dhe ata që do njohë. Në Shqipëri e kthen dëshira për të vizituar varrin e nënës, por hyn vetë në dhe për së gjalli!
Me kaq fjalë mund të paraqitet fati i një qytetari të huaj me origjinë shqiptare, që bie në duart e makinës çnjerëzore të dhunës së shtetit dhe cubave enveristë.
Një prej cilësive të këtij romani është aftësia e autorit për të gdhendur personazhe. Nelsoni, i ati, Sotiri, Hana Erdal – e dashura e tij amerikane – hetuesi i parë, Gjatovinoja, i dyti Kenani, kapter Gërdhuqi, me gjithë kapterët dhe hetuesit e tjerë, infermieri Selman me të bijën, Rako Sirani, Shkurrja, Otoja, Dikja, Haxhiu, shokët e tij të punës, gruaja, Pandora, dhe prindërit e saj. Por kjo është më e pakta që kërkohet nga një autor; çka e shënjon këtë roman është se autori ka shndërruar në “personazhe” edhe vendet, qytetet, fshatrat, lagjet, vendet e punës e të vuajtjes së dënimit. Bashkë me to marrin pjesë në dinamikën e romanit, në energjinë e tij, edhe peizazhet, klima, erërat, shiu, tërmetet, fantazmat, legjendat, thashethemet, gurët, fjalimet, arkitektura, violina, veglat e punës dhe një arsenal i tërë personazhesh të dorës së dytë: qen, mace, gjarpërinj, nuse pashke, të dehur, gurguj, ferra, driza, kaktuse, dhe i thatë, pluhur guri, zhurma matrapiku etj. Asgjë nuk është e qetë në këtë roman.
Për ata që kërkojnë me çdo kusht diçka të bukur, të mirë, të ëmbël, “anën e mirë” të gjërave në këtë roman, përveç ironisë së pashoqe që përdor rrëfyesi, lexuesve me stomak të përkëdhelur u kujtoj se mund të gjejnë një marrëdhënie dashurie të pashoqe mes Nelsonit dhe violinës së tij “Stradivarius”, faqe të mrekullueshme të identifikimit të tij shpirtëror e fizik me instrumentin dhe muzikën, po aq sa jeta e vështirë, padashur e hedh në prehrin e një martese me një grua memece, Pandorën e bukur, atë grua simbol të dinjitetit, që ka siguruar mbijetesën e etnisë, e njeriut në atë dergjë, në atë kamp shfarosjeje masive që qe shndërruar Shqipëria komuniste. Në fund të romanit do lexoni një gjest madhështor, një sjellje të rrallë të kësaj gruaje, që ju ftoj ta zbuloni duke e lexuar këtë roman.
Përmenda pak më lart ironinë. Në një zymti të tillë, përdorimi i ironisë do të ishte shumë afër cinizmit e ligësisë, por autori e përdor atë në disa raste të rralla, duke e vënë në gojën e personazheve të tij. Kulmi i saj gjendet në një pasazh, ku flitet për rritjen e numrit të vetëvrasjeve në qytet. Arsyet gjenden tek uji, martesat, ëndrrat, por “…disa të tjerë besonin ndryshe. Madje betoheshin që shteti kishte gjetur dhe blerë farë, farë vetëvrasjesh. Dhe i kishte mbjellë (fillimisht në kubikë sekret), ashtu siç mbillet misri. I mbillte aty ku donte. Urdhri jepej nga lart, nga udhëheqësi”. Në një rast tjetër, kur Nelsoni i sapodalë nga burgu, i uritur, i kërkon një shoferi diçka për të ngrënë, ai i përgjigjet: “Ishe më mirë atje në burg, të paktën të jepnin për të ngrënë, këtu jashtë të gjithë po vdesin urie”.
Nëse aty-këtu vihet re një dridhje e lehtë dore e prozatorit apo një mungesë vëmendjeje në redaktim, që do i kishte kontribuar librit duke sugjeruar shkurtimin e disa faqeve, sidomos nga fillimi i romanit, kjo nuk e rrezikon librin në tërësi.
Romani i bën eko një legjende, mbajtjes së amanetit, fjalës së dhënë. E ëma e vdekur, varrin e së cilës ka ardhur të shohë Nelsoni, i kujton të birit në ëndërr se mbajtës të fjalës në legjendë janë të vdekurit, jo të gjallët. Është pikërisht kjo përmbysje e legjendës shkaku i fatkeqësisë së Nelsonit; pra, një i gjallë, që niset me peshën e amanetit në zemër. Legjendat sillen si fantazma kudo në roman dhe ka një pasazh të mrekullueshëm me rojën e muzeut të kështjellës, i cili “e kishte kapërcyer detyrën, ishte shtyrë thellë në shpirtërim, në përkushtim e bindje dhe e dinte veten truprojë mbrojtës të princeshës”. Bëhet fjalë për legjendën e Argjirosë. “Nuk është e lehtë të ruash një legjendë, nderin e saj”, ankohej apo mburrej herë pas here ai. Dhe më vonë, i bindur se princesha jetonte akoma, “mbështeti ngadalë kokën në faqen e lëmuar të gurit dhe, kur dëgjoi të rrahura zemre brenda tij, mbylli sytë. E mori vdekja”. Faqe të tilla në roman të rrëqethin nga bukuria.
Romani u jep një dorë ndihme lexuesve të sotëm, të kuptojnë se “çfarë parajse kanë humbur” duke mos jetuar në kohën e komunizmit.
Ky është romani i parë që kam lexuar nga Odise Kote, por me shumë siguri ju këshilloj që, pas leximit të tij, të këqyrni nëpër rafte librarish, se mos gjeni ndonjë vepër tjetër të tij.