Spiropali pret ambasadorin Soreca: Integrimi në BE, një axhendë me kah të pandryshueshëm
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali priti sot në një takim të ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali priti sot në një takim të ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca.
Duke e cilësuar Sorecën, një mik të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Spiropali theksoi se për Shqipërinë, Bashkimi Europian nuk është një nga zgjedhjet, por e vetmja zgjidhje.
“Mbështetja e familjes europiane, duke nisur nga forcimi i marrëdhënieve politike, ekonomike, e duke vijuar me mbështetjen e jashtëzakonshme për demokratimizim e institucioneve, shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut janë vetëm një pjesë e kontributit madhor që partnerët tanë kanë dhënë në kaq vite mision”, vijoi Spiropali.
Sipas saj, të rinjtë gjithashtu janë në themel të politikave të BE-së. Ajo nënvizoi se ndihma për ta nuk ka munguar, jo vetëm me fonde të caktuara, por edhe duke i bërë pjesë të nismave me ndikim social, politik dhe jo vetëm.
“Programi ‘EU4Schools”, për rindërtimin e 60 objekteve arsimore, në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, si dhe mbështetja financiare për Shqipërinë për të trajtuar pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19 meritojnë falënderim të posaçëm”, u shpreh ministrja.
Në vijim, Spiropali i shprehu mirënjohjen ambasadorit Soreca për mbështetjen e tij të palëkundur, ndërsa e siguroi se për Shqipërinë integrimi në BE është thelbësor dhe një axhendë me kah të pandryshueshëm.