“Atman” dhe rrëfimet e sofistikuara të Laura Olldashit

Libri “Atman” i Laura Olldashit është një përmbledhje me nëntëmbëdhjetë proza


Nga Marsela Neni

Sot folëm për librin “Atman” në Klubin e leximit. Miqtë që patën mundësi e kishin lexuar, të tjerë morën pjesë në diskutime. E bukura e këtyre takimeve është rrahja e mendimeve, ndarja e ndjesive dhe përqasja e këndvështrimeve.
Sapo kam nisur të lexoj librin e dytë të Laura Olldashit, “Asgjëja ime”, i cili sapo është botuar nga ” Klubi i Poezise” dhe pata mundësinë të rishikoja sot shënimet që kisha mbajtur në libër, të rilexoja ato çka me të vërtet më kishin bërë për vete te libri i parë.
Dhe pyetja që më mundonte gjithë kohës është: a do arrijë Laura ta tejkalojë veten me këtë libër të dytë me tregime?

Sfidat më të forta shkrimtari/artisti gjithnjë duhet t’i ketë me veten.

Si lexuese, kur nisa të lexoj, krejt rastësisht, librin e parë, nuk kisha asnjë pritshmëri, por sot që lexoj librin e dytë nuk është e njëjta Marselë dhe pritshmëritë s’janë më të njëjtat.

Dhe teksa reflektoja rreth veprës së Laurës, normalisht po reflektoja dhe rreth gjithë shkrimeve të pabotuara të miat në poezi e prozë të shkruara para botimit të “Nantë herë grue”… ato mbase nuk mund a nuk duhet të jenë më të parat…
A shënon botimi i parë “vitin zero”? …

#ripost për ata që s’i kanë lexuar këto shënime.
‐——————————————————————-

Shënime për veprën “Atman” të Laura Olldashit

Libri “Atman” është një përmbledhje me nëntëmbëdhjetë proza. Tregimet e kësaj përmbledhjeje, në optikën time, janë në fakt diçka e ndërmjetme midis tregimit dhe prozës poetike. Janë shkrime në trajtë “shpirti”, pra të lira për t’i kapërcyer kufijtë e gjinive letrare, të shkruara me një gjuhë të pasur në figuracion i krijuar shpesh përmes asosacioneve mbresëlënëse.
Gjatë kohës që isha duke e lexuar këtë libër, i kam përfytyruar këto proza si një shkallare, fillimi i mbështetur te rrëfimi tokësor për t’u ngjitur te përjetimi poetiko-estetiko-filozofik i lirisë së të qenurit vetja e vërtetë.
Nuk kisha dijeni për ekzistencën e Laura Olldashit derikur më ra në dorë libri “Atman”. Që të gjeja Laurën, në këto tregime kjo hynte në pritshmëritë e mia. Edhe Laura Olldashi, si jo pak shkrimtare femra, është e guximshme dhe e sinqertë, vetëekspozohet, vetëdemaskohet, pa qenë qaramane, a e prirë për vetëviktimizim, romantizma apo sentimentalizma. Ajo di të ironizojë e të qesendisë jo veç problemet e “errësirës që qorron çka gjen”, shterpësinë shpirtërore, thatësinë e ndjenjave, shkërmoqjen e raporteve më të ngushta njerëzore, dehumanizmin e botës moderne, por mbi të gjitha ajo shpotit e shkund vetveten me besimin se çka mund të thyhet, mund të ndreqet, çka mund të rrëzohet, mund të ringrihet përsëri.
Ajo çka nuk hynte në pritshmëritë e mia, dhe që më impresionoi është:
Së pari, paraqitja lakuriqe dhe me vërtetësi i të gjithë procesit shpirtëror nga rrëzimi, që nis me tregimin e parë “Gjendje” ku personazhi femëror thyhet pasi dyshon /zbulon tradhëtinë bashkëshortore, deri te tregimi i fundit “Kafe me Pesson”, ku personazhi ynë tek gjerb kafen përballë çiftit që flirton e këshillon vajzën: “Nuk të duhet një burrë me zanore të humbura” (Nuk të duhet një burrë që të thotë fjalë anemike (pra fjalë pa gjak, pa zjarr, pa lëng jete). Dhe burrin e sheh me guxim në sy. Tregim pas tregimi vetja e vërtetë del prej një tuneli duke ndjekur dritën, derisa e veshur tërësisht dritë e shpresë, e mbyll librin me këto fjalë:
“Fjala ime e parë dhe e fundit si në këtë kohë si në çdo kohë është dashuria. Ajo bën ndryshimin.”

Së dyti, përdorimi i multiperspektivës rrëfyese, e cila është një teknikë e sofistikuar rrëfimi jo fort e lëvruar në letrat shqipe. Koncepti “multiperspektivë” do të thotë “rrëfim i bërë nga shumë këndvështrime.”
Në historinë e letërsisë botërore multiperspektiviteti është një dukuri letrare e përdorur herët. Shembuj të hershëm mund të gjenden në “Simpozium”-in e Platonit dhe ato më të vona në modernizëm e postmodernizëm në vepra të mëdha si: “Valët” e Virgjinia Ulf, “Verbëria” e Hose Saramagos, “Dëbora” dhe “Unë jam e kuqja” e Orhan Pamuk , si dhe të kombinuara me risi të tjera stilistike ose artistike te “Uliksi” i Xhejms Xhojsit apo “Vargje satanike” të Selman Ruzhdies.
Kur përmendim titujt e autorët e mësipërm, ne gjithsesi po i referohemi zhanrit të gjatë, romanit, por si realizohet kjo teknikë letrare në një tregim? Në aspektin narrativ të veprës “Atman” nuk kemi të bëjmë me rrëfime të shumëfishta për të njëjtën ngjarje, por me ndryshimin e pikëvështrimit “njëherë ai, pastaj ajo” dhe anasjelltas, por dhe ndryshimi i rrëfyesit, nga personazh i botës së frymorëve , në personazh i botës së jofrymorëve. Pra herë kemi një rrëfyes të jashtëm që i rrëfen ngjarjet në vetën e tretë, herë kemi përjashtësimin nga vetvetja për të rrëfyer për vetveten (përjashtësimi- si teknikë psikologjike: dalja nga vetja dhe vëzhgimi i vetes nga jashtë), herë kemi një modele brenda një pikture që rrëfen për veten e se çfarë ndodh e thuhet rreth saj, herë kemi kornizën që rrëfen pasi modelja është zhdukur nga piktura (“Piktura” fq. 55), herë kemi vajzën që e sheh botën nga arkivoli në shëtitjen e trupit të së vdekurës për të fundit herë nëpër qytet (“Bukuri në pantallona” fq. 25), herë të tjera rrëfimin epistolar, përmes letrave si në tregimet “Vetes”, “Kube të pajetuara” etj.

Titulli, autori dhe lexuesi

Zakonisht si titull i një përmbledhjeje përzgjidhet një prej titujve të tregimeve. Kisha lexuar gati gjysmat e tregimeve kur vë re se s’po shfaqej asnjë prozë në horizont me titullin “Atman”. Asnjë tregim në pasqyrën e përmbajtjes me këtë titull. Kërkoj në google për ndonjë domethënie të mundshme të fjalës dhe më shfaqen fjalë sinonime si “vetja e vërtetë”, “shpirt”, “frymë”, “absolute”, “përjetësi” …
Kthehem pas dhe rilexoj fjalitë a sintagmat që kisha nënvizuar: “… nuk kuptoj kush jam. Kush më thotë që ëndrra nuk është realitet dhe realiteti nuk është ëndërr? / A do të më falë (vetja) për atë që nuk munda të bëj për të? /Edhe fëmija im akoma i palindur kishte gabime, sepse e përjetshmja i kalonte kufijtë dhe bëhet e mbasjetshme. /…shpirti im ecte mbi xhama…/…isha e lumtur me veten time që kisha ndërtuar mure/ shkoja mbi pemë por asnjëherë afër qiellit, sepse krahët e mia kishin lindur të prera/ Uluni, ju lutem, përpara se të respektohet vdekja, mësoni të respektoni jetën!/…nuk di të shpreh ndjenja për gjëra që më rrinë afër. Unë kam mall për gjëra që më ikin. /Unë dhe jeta ime paguajmë udhëtimin tonë. Asgjë nuk është gratis. / Kur arratisem në shkrim e bëj që t’i largohem sa më shumë lajthitjeve të realitetit/ Errësira duhet për të njohur dritën./ Ajo sheh veten e jashtme dhe të brendshmen që bie brenda oqeanit të pyetjeve…/ Dielli i shumtë verbon. Nuk jam mësuar të kem kaq shumë. Fus lugën në trupin tim. E mbush me diell dhe filloj t’ua dhuroj njerëzve. Grija e tyre ëmbëlsohet në të kaltërt. I thërras qiellit me aq zë sa kam në kokë: -Çfarë është lumturia? -Çaste / Këmbët zigzag. E dehur. Pa pirë një gllënkë. Tapë me jetën. / Pak kishte ditur nga armiqtë, akoma më pak nga luftërat. Gjithmonë ato e kishin gjetur në gjumë. Por gjurmët i kishin mbështetur fort mbi ëndrrat. /Fëmijëria jote nuk rritet…kujtimet…përzihen pak nga e vërteta e atëhershme; pak nga të vërtetat e të tjerëve. /Të gjithë i duam përgjigjet, por unë kam vetëm pëllëmbën e tokës të mbushur plot, edhe me ëndrra/ Më pëlqente muzika, shkrimi, I bija pianos dhe kërceja balet klasik. Njëlloj si ëndrrat e tua. /Qielli është miku im./ Unë i besoj mrekullive/ duhet të kërkojmë të falur për çfarë kemi bërë…/ Fjala ime e parë dhe e fundit si në këtë kohë si në çdo kohë është dashuria. Ajo bën ndryshimin.”

Duke rilexuar gjithë ç’kisha nënvizuar kuptoj se unë nuk kisha pikturuar “veten universale” të Laurës, por veten time universale si lexuese që nënvizon ngjashmërinë e shpirtrave, me sigurinë se një tjetër lexues do të kishte nënvizuar të tjera fraza që e lexojnë shpirtërisht.
Është e qartë se thirrja filozofike e këtij libri është sokratike: “Njeri, njih vetveten!”
“Çfarë është jeta? Kërkim për të njohur vetveten.”- shkruan Laura Olldashi.
“Ndryshe, Atman”- duket se na sugjeron libri i saj.
Që është dhe arsyeja pse Laura shkruan: Për t’u lidhur me hyjnoren, universalen apo të përjetshmen që banon brenda saj.
Arsye e shëndetshme pse duhet ta lexojmë këtë libër edhe si një terapi për shpirtin.

Marsela Neni
(21 shtator 2022)

Lexo më shumë nga

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…