Krasniqi në forumin e BRAF: Sfidat tona në epokën e medias digjitale
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, ka drejtuar panelin me temë “Dezinformimi dhe edukimi mediatik digjital”
Sfidat e licencimit të medias në epokën digjitale, dezinformimi, edukimi mediatik i publikut në formën e aftësisë kritike për të kuptuar dhe për t’u përfshirë në mënyrë të përgjegjshme në media, kanë qenë disa nga temat e trajtuara në forumin vjetor të enteve rregullatore të vendeve të Detit të Zi, BRAF.
Në Konferencën e zhvilluar në Antalia të Turqisë, kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, ka drejtuar panelin me temë “Dezinformimi dhe edukimi mediatik digjital”, organizuar nga Këshilli i Lartë i Radio-Televizionit Turk (RTÜK), me pjesëmarrjen e drejtuesve të enteve rregullatore të Greqisë, Turqisë dhe Serbisë.
Përveç prezantimit mbi rolin e AMA-s si enti rregullator në tregun mediatik audio e audioviziv shqiptar dhe sfidat me të cilat përballet ky treg, në këtë panel Krasniqi i ka njohur të pranishmit edhe me ndryshimet e bëra, në maj të këtij viti, në ligjin “Për median audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.
Këto reflektime në ligj, të bëra në përputhje me Direktivën 2018 të BE-së, forcuan më tej kompetencat e AMA-s, duke rritur rolin e saj në inkurajimin e aktorëve dhe transmetuesve që operojnë në tregun shqiptar, për edukimin mediatik të publikut.
“Është e rëndësishme që qytetarët të kenë akses në informacion, por është njësoj e rëndësishme edhe që ata të kenë edukimin e nevojshëm në përdorimin e medieve online, të dinë të dallojnë dhe të përzgjedhin informacionin e saktë nga ai i rremë dhe të kenë aftësinë e duhur analitike e kritike në realitetet komplekse online”, tha Krasniqi, duke shtuar rëndësinë që ka edukimi mediatik i publikut.
Për këtë qëllim, gjatë dy viteve të fundit, AMA ka zhvilluar një sërë aktivitetesh me aktorët që operojnë në treg dhe targetgrupe të caktuara të popullsisë.
Është ndjekur gjithashtu me interes edhe prezantimi nga Krasniqi mbi “Sfidën e licencimit në epokën digjitale”.
Si çdo vend tjetër, edhe Shqipëria po përballet me ndryshimet që dikton zhvillimi teknologjik. Ndërkohë evidentohen aktivisht në treg edhe kompani ofruese të shërbimit të internetit, rrugët e reja të komunikimit nëpërmjet rrjeteve sociale apo platformat e shpërndarjes së videove, ku përdoruesi është edhe prodhues i produktit që shpërndan.
“Kjo nënkupton një sfidë të re për entet rregullatore, për hartimin dhe zbatimin e udhëzuesve dhe rregulloreve që përshtasin dhe monitorojnë këtë ambient të ri mediatik, këtë sistem të ri komunikimi online, por pa prekur lirinë e shenjtë shprehjes”, tha Krasniqi.
Për këtë arsye, aktualisht, autoritetet rregullatore të medies, si AMA, po përshtaten me detyrat dhe përgjegjësitë e reja dhe po zhvillojnë qasje të reja për rregullimin ligjor për ofruesit e shërbimeve mediatike në treg.
“Ky proces kërkon planifikim strategjik, përcaktimin e prioriteteve për politikat e përputhshmërisë dhe zbatimit, por edhe trajnim të stafit”, tha Krasniqi. /ATSH