Basha me delegacionin ukrainas: Federata Ruse detyrim të kompensojë Ukrainën
Basha shprehu mbështetjen e tij dhe të PD për udhëheqjen dhe popullin e Ukrainës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, njëherësh reporter i Këshillit të Europës për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, u takua me një delegacion nga Ukraina, në përbërje të të cilit ishin deputetë, ekspertë të çështjeve politike, opinionistë dhe aktivistë.
Basha shprehu mbështetjen e tij dhe të PD për udhëheqjen dhe popullin e Ukrainës, të cilët vazhdojnë të përballen me guxim heroik me agresorët rusë.
“Këto janë ditë të errëta jo vetëm për Ukrainën, por dhe për botën demokratike, e cila po përballet me tentativën e tjetërsimit me luftë të tërësisë territoriale të një shteti sovran e të pavarur”, tha ai.
Basha tha se përgjegjësia për krimet dhe dëmet e shkaktuara në Ukrainë nga agresioni i paprovokuar i Rusisë, është i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe ai duhet të paguajë për të.
“Federata Ruse ka detyrimin për të kompensuar Ukrainën, qytetarët, sipërmarrjet dhe qeverinë e saj, për dëmet e shkaktuara nga aktet e paligjshme”, tha Basha.
Sipas tij, “ky është thelbi i rezolutës së propozuar prej tij në Këshillin e Europës dhe që ka një mbështetje të gjerë nga vendet anëtare të kësaj organizate”.