Rrumbullaku pret delegacionin e agjencive ligjzbatuese franceze: Bashkëpunim në nivele të larta
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku priti një delegacion të lartë nga agjencitë ligjzbatuese franceze, i cili kryesohej nga ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku priti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, një delegacion të lartë nga agjencitë ligjzbatuese franceze, i cili kryesohej nga ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard.
Policia e Shtetit njofton se në fokus të takimit ishte konsolidimi më tej i bashkëpunimit mes dy vendeve, me qëllim shumëfishimin e kapaciteteve në luftën kundër krimit ndërkombëtar, krimit të organizuar, emigracionit ilegal dhe pastrimit të parave, si dhe për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit tha se, “bashkëpunimi i deritanishëm me agjencitë ligjzbatuese franceze ka qenë në nivele të larta, konkret dhe tejet i frytshëm, në dobi të qytetarëve të vendeve tona. Ky bashkëpunim duhet të intensifikohet më tej, përmes hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta, të cilat do të bëjnë të mundur shkatërrimin e grupeve kriminale me veprimtari ndërkombëtare, si dhe gjurmimin, përcaktimin dhe asgjësimin e aseteve të tyre. Në emër të Policisë së Shtetit, iu garantoj angazhim maksimal të të gjitha strukturave, për të qenë partnerë dhe koordinues profesionistë dhe të besueshëm, në operacione policore të përbashkëta, me impakt ndërkombëtar.”
Ambasadorja, Catherine Suard u shpreh se, “ndonëse kam pak kohë me këtë detyrë, takimet që kam zhvilluar me titullarë dhe punonjës të Policisë, më kanë bërë të kuptoj cilësinë e bashkëpunimit ndërmjet nesh, i cili është efektiv dhe produktiv për të dyja palët. Shkëmbimi i informacioneve në kohë reale dhe besimi i ndërsjellë kanë bërë të mundur kapjen e shtetasve të rrezikshëm, të kërkuar ndërkombëtarisht për llogari të shteteve tona”.
“Me rastin e kësaj vizite dua të shpreh mirënjohje dhe vlerësim për angazhimin 100 % të strukturave tuaja, kundër emigracionit të paligjshëm. Qeveria dhe Policia franceze angazhohen për të ofruar mbështetje dhe partneritet në luftën kundër kësaj veprimtarie kriminale, për gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale, si dhe kundër veprimtarive të tjera që janë fokus i përbashkët”, nënvizoi ajo.
Të dy titullarët u dakordësuan për hartimin dhe zbatimin e marrëveshjeve, nga ekspertë të nivelit të lartë teknik, me objekte bashkëpunimin me Institutin e Policisë Shkencore, për implementimin e bazës së të dhënave të sistemit të balistikës, ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj franceze, si dhe rivlerësimin e masave parandaluese ndaj braktisjes së të miturve.
Në takimi ishin të pranishëm edhe atasheu i Sigurisë së Brendshme, Augustin Andres, oficeri ndërlidhës për migracionin, Christophe Cherault dhe nga asistenti i Zyrës së Bashkëpunimit Policor, Jetnor Isufaj.