Që nga Shkodra gjer në Vlorë
Është një varg i Nolit, drithërues në poezinë “Anës lumenjve”
Nga Visar Zhiti
QË NGA SHKODRA GJER NË VLORË
Është një varg i Nolit, drithërues në poezinë “Anës lumenjve”, ai çirrej: “Që nga Shkodra gjer në Vlorë…” dhe m’u kujtua, kur po mendoja takimet e ndryshme me miqtë Marcel Hila nga Shkodra dhe Zyba Hysa, mësuesen e Vlorës, tani janë në Tiranë, nuk e di a njihen, por unë busedova me ta, jo anash lumenjëve si në poezinë historike të Nolit, por anash lumit të lirë të librave.
Zyba Hysa ka botuar poezi e prozë, studime si ai për familjen patriotike të Sharrjve në Vlorë, të përndjekur nga regjimi e deri te romani voluminoz për Skënderbeun, ku fantazia del mbi historinë, kurse Marçel Hila është autor i shumë romaneve të vërtetë, siç i pëlqen të thotë, nga që ngjarjet janë të vërteta, të veçanta, persekutimet nga diktatura, internime kufomash e burgjeve shenjtorësh…
Lumi i turbullt dhe i përgjakur i dëshmive rrëqethëse, me gjasë dhe shkak vargun revolucionar dhe po aq mëkatar të Nolit: që nga Shkodra gjer në Vlorë…
Bisedat tona ishin miqësore, rreth lumit të librave, për prurjet e reja, aluvionet, shtjellat e kujtesës, vërshimet…