Ja dhe një gjethe tjetër u dorëzua…
“Çdo prag vjeshte keshtu më vesh e zhvesh Dhe mua…”
Nga Sonila Strakosha
Ja dhe një gjethe tjetër ra, u dorëzua
U shkëput nga pema, iku, fillikat
Toka mbulohet me fantazi të re
Ndërsa pema zbehet, zhvishet, ndërron formë.
Çdo prag vjeshte keshtu më vesh e zhvesh Dhe mua
Më mbulon me ndjenja që ndryshojnë
Çdo çast
Ka te ngjarë që zgjimi më gjen të trishtuar
E më pas frymëzimi më zapton pa shkak
S’di a t’i kënaqem ngjyrave që ndërrojnë
Apo t’i strukem vetes në ditët me shi
Era që lëviz me gjethet kur bien
Herë më ngazëllen, herë më jep bezdi.
Nis dhe ngatërrohet entuziazmi i fshehur
Me zhurmën e pabesë, kryeneçe,
Të një ikjeje pa kthim
Çdo fillim vjeshte nuk di se çfarë dua
A t’i strukem melankolisë së vetes
A të kërkoj diku një tjetër përqafim.