Mbi dymijë shqiptarë në SHBA në programe shkëmbimi
Që nga viti 1992, Ambasada e SHBA ka dërguar mbi 2000 shqiptarë në Shtetet e Bashkuara në programe shkëmbimi të financuara nga Ambasada
Miq nga programet e shkëmbimit të Ambasadës së SHBA në Tiranë u mblodhën mbrëmë për t’u rilidhur dhe ndarë përvojat mes pjesëmarrësish ndër vite, bëri të ditur sot Ambasada e SHBA.
I Ngarkuari me Punë i SHBA në Shqipëri, David Wisner falënderoi ish-pjesëmarrësit për kontributin në lidhjen e veçantë mes vendeve tona dhe nxiti grupin që të vazhdojë të ndërtojë mbi vlerat që bashkojnë vendet tona dhe të çojnë përpara të ardhmen e Shqipërisë dhe rrugën e saj euroatlantike.
Që nga viti 1992, Ambasada e SHBA ka dërguar mbi 2000 shqiptarë në Shtetet e Bashkuara në programe shkëmbimi të financuara nga Ambasada, përfshirë mjekë, zyrtarë qeveritarë, profesorë universiteti, sipërmarrës, shkencëtarë, gazetarë dhe shumë të tjerë.
“Jemi shumë krenarë për shqiptarët e talentuar që janë pjesë e familjes së ish-pjesëmarrësve në programet tona të shkëmbimit!”, theksoi Ambasada.