Escobar: I shqetësuar për mesazhet që vijnë nga Prishtina
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) se është i shqetësuar me mesazhet që vijnë nga Prishtina
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) se është i shqetësuar me mesazhet që vijnë nga Prishtina, në të cilat kritikohet emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
“Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë”, tha Escobar.
Pas rundit të fundit të pasuksesshëm të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Bashkimi Evropian (BE) e mbajti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si përgjegjës për faktin se nuk ka pasur progres në dialog.
Kurti më pas deklaroi se përfaqësuesi special i BE-së “u pozicionua kundër Kosovës”.
Esobar theksoi se SHBA-ja pret që të dyja palët “të forcojnë përkushtimin e tyre dhe që Kosova të tregojë më shumë pragmatizëm dhe realizëm në qasjen e saj ndaj BE-së”.
“Ne, vërtet, po i bëjmë thirrje palës së Kosovës që të jetë më konstruktive. Dhe, më duhet të them që jam pak i shqetësuar nga mesazhet që vijnë nga Prishtina. Unë kam punuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian [Miroslav Lajçak]. Unë nuk shoh asnjë dëshmi njëanshmërie. Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë”, deklaron ai.
Sipas tij, të dyja palët duhet t’i dyfishojnë përpjekjet, por pala e Kosovës duhet të tregojë më shumë pragmatizëm dhe më shumë realizëm në qasjen e saj ndaj Bashkimit Evropian.
I pyetur nëse mund të ketë masa ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk ecin përpara me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të saj, Escobar shprehet se: “Nuk do të thosha masa. Do të thosha pasoja. Tani, ju them se pasojat, me të cilat ballafaqohet Kosova, është se nëse ata refuzojnë të angazhohen me Bashkimin Evropian, Bashkimi Evropian nuk do të angazhohet për ndihmë shtesë dhe masa shtesë për integrim. Shikoni, unë mendoj se këto masa janë duke pasur ndikim në Kosovë dhe në ekonominë e Kosovës. Shpresoj që të paktën në mënyrë bilaterale, Shtetet e Bashkuara të mund të punojnë me Kosovën për të gjetur një mënyrë për t’i hequr ato masa në vitin 2024. Kështu që, ne do të vazhdojmë të punojmë me Kosovën për ta afruar me Bashkimin Evropian. Por, ne do të kishim dëshirë të shihnim një vullnet politik dhe lëvizje në atë drejtim, gjithashtu”.
Gjithashtu, zyrtari i lartë amerikan deklaroi se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të krijojë probleme brenda Kosovës për funksionalizim, duhet të jenë në përputhje me Kodin e saj ligjor dhe me Kushtetutën”.
“Brenda kësaj, unë ende mendoj se ka një kapacitet të madh për t’i lejuar serbët të menaxhojnë shërbimet e tyre komunale në një mënyrë që u përshtatet më së miri qytetarëve të tyre, pa u bërë Republikë Sërpska. Ne e kemi adresuar atë në mënyrë të përsëritur. Dhe, jam i zhgënjyer që ajo pikë bisede vazhdon të ngrihet – se kjo do të jetë Republika Sërpska. Nuk do të bëhet [një Republikë Sërpska]. Me të vërtetë bëhet fjalë për autoritete komunale që bëjnë atë që komunat tashmë e bëjnë në gjuhën serbe”, nënvizon Escobar. /REL/