Deti nis të sulmojë. Mirsevjen zonja vjeshtë!
Ajo që më befasoi, ishte tërbimi i detit. Sipërfaqja e qetë e lëmshit të ujit, ishte prishur keqas
Nga BUJAR QESJA, “Mjeshtër i madh”
U nisa si zakonisht në orën 18.00 nga Durrësi, për në sektorin “Teuta”. Distanca që eca ishte 11.000 hapa, e barabartë me afro 9 kilometra. Bëra edhe lëvizje suplementare.
Ajo që më befasoi, ishte tërbimi i detit. Sipërfaqja e qetë e lëmshit të ujit, ishte prishur keqas. Dallgët e hasdisura mezi kishin pritur rastin, për të sulmuar rërën dhe për ta prishur qetësinë e saj, deri në prag të banesave dhe lokaleve.
Këtë prishje të detit dhe me sa kuptoj, mund të ishte në 5-6 ballë, desh e pësova edhe unë, pasi për pak këpucët do ti kisha qullur plotësisht. Pamja e qetë e disa muajve, ishte prishur dhe mbase kjo pasdite, do t’i jap fund kompromisit të detit me rërën.
Peisazhi ndryshuar plotësisht. Ngjyra gri kishte vendosur kushtet e saj. Dielli ishte larguar më herët se zakonisht, duke lënë rërën, shezllonet dhe kashtoret në mëshirën e detit. Nuk bëhet fjalë më për plazh. Pushues të pabindur bënin luftë me dallgët, për ti treguar se kjo shaka me ta duhet të merrte fund. Fresku më i spikatur këtë pasdite më shumë se zakonisht, i kish bërë kallkan disa laskuriq të pabindur.
Tjetër pamje në këtë fund javë. Plazhistët ishin në arrati. Ecja jo ngadalë. Gjurmët e këpucëve bënin forma në rërë dhe zemërimi i dallgëve në finish të tyre, i hiqnin menjëherë. Pak njerëz. Në ecje isha thuajse i vetmuar. Djersët po më lagnin trupin, si bujqit në arë në pikë të diellit.
Ndalova dhe vendosa ta filmoja këtë det, me dallgë të dala nga binarët për 150 sekonda. Iu luta edhe një kalimtari, të më bënte një shkrepje. Vendosa t’ua përcjell ndjekësve të mi. Ta prekin këtë det në ekstazë. Ka edhe kjo pamje bukurinë e vet. Sidoqoftë nuk u pengova në planet, për të realizuar 10 kilometrat e zakonshme.
Deti gri sot. Sot gjithashtu edhe qielli gri, ku mjaft herët kishte filluar të bisedonte me gjysmën e hënës. Rëra gjithashtu gri. Banesat gri. Edhe lokalet ashtu. Ngjyra gri më kishte ngjyrosur edhe mua. Nga deti dilte sot në pasditen e vonë kjo gri, që kishte vendosur ligjin në këtë që quhet plazhi i Durrësit.
Dhe kur grija bën ligjin, kjo tregon se verës së tejzgjatur po i vjen fundi. Dhe këtë më shumë se kushdo, e ndjen ai marshuesi i zakonshëm si puna ime, ku plazhi është vetë jeta e tij.
Kësaj mbrëmje i vinte era vjeshtë. Ajo po bëhet gati, megjithëse me shumë vonesë, për të marrë në dorëzim rotacionin. Natyrisht që unë jam dëshmitari i kësaj.
E lashë plazhin në mëshirën e dallgëve. Sulmi i tyre mund të vazhdojë gjatë natës dhe në ditët në vazhdim. Vera po bindem që ka mbaruar.
Mirsevjen zonja vjeshtë!
_______________________
Durrës: 22 shtator 2023