Pema e mollës!
E keni ndjerë ndonjëherë parfumin e luleve të mollës?
Nga Dr. Monika Stafa
Në vitin 1928, gratë ishin thjesht një objekt zbukurimi krah një burri. Të paafta krejt për të shprehur një mendim apo për të marrë një vendim. Jeta nuk ishte e lehtë për askënd, por ishte edhe më e vështirë për gratë.
Nëse do të ishe një grua në vitin 1928, liria dukej e pamundur për t’u arritur, sepse për shoqërinë ato konsideroheshin thjesht amvisa dhe nëna. Ato nuk kishin të drejtë të kishin ëndrra apo ambicie. Për të kërkuar një të ardhme, shumë gra duhej të udhëtonin larg. Shumë larg ku nuk i njihte njeri.
Ndërsa atyre që qëndronin u duhej të përballeshin me normat e një shoqërie të prapambetur po aq shoviniste. Në fund, të gjitha ato, të pasura apo dhe të varfra, kërkonin në subkoshiencë të njëjtën gjë: të ishin të lira… Dhe nëse, për të qenë të lira, duhej të shkelnin normat apo dhe ligjin, kishin treguar se ishin të gatshme ta bënin, pavarësisht pasojave.
Vetëm ato që luftojnë për ëndrrat e tyre mund t’i arrijnë ato, sepse kështu duhet të jetë… Në këtë betejë për ëndrra dhe dashuri të reja e vetmja gjë që dimë me siguri është se fati sjell gjithmonë surpriza. Shumë surpriza. Ashtu sic i ndodhi Migenit një ditë të bukur prilli nën hijen e luleve të mollës.
E keni ndjerë ndonjëherë parfumin e tyre?
Eshersti po. Studentit anglez sa herë i shkonte ndërmend për një kokërr mollë, aroma e saj i zgjonte në shpirt një trishtim që nuk dinte si ta shpjegonte.
Boh, sa i keq duhet të jetë njeriu! Cfarëdo të jetojë mes arritjes dhe pasurisë, mbetet gjithmonë një qenie e pangopur. Me sa duket sepse ai ka gjithmonë etje për të jetuar ndonëse jeta shkon drejt fundit.
Dhe kësaj, qenia jonë nuk i shpëton dot. Për ne me sa duket nuk ekziston prehja e lumtur në kopshtin e bukur mbuluar me lulet e mollës apo dhe prarimi i pranverës, ashtu sic këndon kori i famshëm grek në tragjedinë e Hipolitit që mori jetë në Troezen të Greqisë antike.
Njeriu është qenia më e kryelartë që natyra ka krijuar për t’iu përshtatur jo aq me fisnikëri botës ku jeton. Kjo ishte ajo ndjesi dashurore që Esherstit i lindi për Migenin, vajzën e thjeshtë fshatare që banonte jo shumë larg Londrës në fillim të shek. 20-të.
John Galswothy, një nga shkrimtarët më të shquar kritik realist anglezë, një nga fituesit e çmimit Nobel për Letërsinë, na tregon përmes një rrëfimi plot emocion të vërtetën që mbuloi tragjedinë e dashurisë mes tij dhe Migen.
Nuk ka kënaqësi në jetë sado e fortë të jetë ajo. Nuk ekziston asnjë liman i qetë lumturie pavarësisht ujrave të qeta që vozisim sepse në fund nuk ekziston asgjë që të mund të konkurojë bukurinë e fiksuar në veprat e artit; atë bukuri të përjetshme dhe të qëndrueshme.
Sepse vetëm ajo është e tillë. E bukur dhe e qëndrueshme.
Ne duhet të kënaqemi me atë cka në jetë njeriu sheh dhe prek. Ndjen dhe gëzon. Qoftë dhe për pak. Ato rreze të asaj bukurie të papritur dhe dehëse megjithëse zhduken shpejt.
Është e pamundur t’i ruash ato rreze ashtu sic e ruan bukurinë, arti i lartë. Ato kalojnë njësoj si vegimet plot dritë që lindin në ndërgjegjen e njeriut kur sodit natyrën dhe kur ai përpiqet të depërtojë në të fshehtat e saj.
Vetëm atëherë ne duhet të pretendojmë se i jemi afruar njohjes së plotë të saj.
Ka gjëra në jetë që ne s’mund t’i kuptojmë. Ka njerëz që shohin cdo gjë. Ka të tjerë që nuk shohin asgjë. Çfarë mund të bësh kur e di se mund të humbasësh atë që do më shumë? Kur një pjesë e zemrës tënde pret të shkulet?
Nëse jeni të gatshëm të humbisni gjithçka, nuk ju intereson se sa poshtë mund të bini. Por nëse nuk jeni, edhe rënia më e shkurtër të duket e pafundme. Disa njerëz janë të përgatitur të humbasin lirinë e tyre për ata që duan, edhe nëse kjo do të thotë t’i dorëzojnë shpirtrat e tyre djallit. Megjithatë, ka të tjerë që nuk duan të humbasin shansin për të qenë të lumtur ndërsa besojnë në shekullin e artë, në kopshtin e Hesperideve.
E vërteta është se ne kurrë nuk e dimë se sa shumë e duam dikë derisa e humbasim. Ai që e ndjen të bukurën shpesh harron kohën. Vecanërisht kur pranë tij lozin ‘fëmijë të bukur’ ndërsa në breg të liqenit Diana e re pret gjahun e radhës. Njëjtë ndodhi dhe me Esherstin. Koha u ndal. Të gjitha ngjarjet ikën me të kaluarën dhe cdo gjë që nuk i përkiste së tashmes e humbi rëndësinë.
Nuk bën të besosh në Bibël vetëm për të ngushëlluar veten. Po përse atëherë njeriu dëshiron të jetojë sa më shumë?
Sepse kjo është esenca e jetës. Dhe jo shenjtëria e Krishtit?
Në bazën e cdo feje zyrtare qëndron gjithmonë ideja e shpërblimit në qoftë se do të jesh i mirë. Duket sikur kërkon nga vetja mëshirë. Por ndoshta kjo vjen nga frika që njeriu ka në tërësi në raport me jetën.
Njerëzit më fetarë janë ata që jeta nuk u ka dhënë asgjë nga ato që kanë ëndërruar. Njeriu duhet të bëjë mirë sepse bamirësia në vetvete është një gjë e bukur.
Por a mjafton vetëm të bësh mirë që të jesh i mirë?
Ndaj unë pyes mendueshëm veten sa herë këtë libër mbaj në dorë, ndaj kujt u hakmorr Kiprida e egër, perëndesha e dashurisë, ulur nën pemën e mollës atë mbrëmje?
Ndaj luleve të mollës apo prarimit të pranverës?
Vitrina e librit/ Liqeni Tom- Ann Patchett; Nga autorja e mirënjohur e romaneve “Shtëpia holandeze” dhe “Bel Canto” vjen një roman me nuanca inteligjente dhe me një rrëfim tepër të sinqertë për familjen dhe për jetën e nënave që kanë jetuar përpara lindjes së fëmijëve të tyre. Një roman elegjiak mbi dashuritë e humbura, dinamikat e të përditshmes dhe historive befasuese. Një roman që di të tregojë rrugën drejt lumturisë kur bota po shkon drejt shpërbërjes. C’të jetë vallë ky libër? Ombra Libri