Agresioni i Serbisë, Borrell dënon sulmin terrorist kundër Policisë së Kosovës
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas sulmit kundër Policisë së Kosovës.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas sulmit kundër Policisë së Kosovës. Ai ka dënuar sulmin terrorit ndaj Policisë së Kosovës dhe ka ftuar për qetësi e stabilitet.
Pas sulmit të tmerrshëm dhe terrorist të sotëm kundër policëve të Policisë së Kosovës, përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, dënoi ashpër agresionin e sotëm, thuhet në komunikatën për media të BE-së.
Borrell shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët dhe të dashurit e policit që humbi jetën në krye të detyrës dhe u uroi shërim të shpejtë policëve të lënduar.
Në komunikatë bëhet e ditur se Borrell ka telefonuar edhe Vuçiqin, dhe se ka bërë thirrje që sulmuesit të dorëzohen menjëherë dhe që të rivendoset qetësia dhe stabiliteti.
“Ai përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe për lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit. EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, po monitoron situatën në terren dhe është i gatshëm të mbështesë institucionet e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj, në përputhje me mandatin e tij dhe në koordinim të ngushtë me KFOR-in e NATO-s. Përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovën në terren është në kontakt të ngushtë me autoritetet”, thuhet në komunikatë. /KosovaPress/